Mësohet kur do të ndodhë përpjekja e radhës për shfuqizimin e Speciales

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dështuar tri herë që ta mbajë mbledhjen ku pritej të diskutohej për shfuqizimin e Gjykatës Speciales. Periskopi ka mësuar se mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit është thirrur për të hënën, 22 janar. Në këtë mbledhje do të jetë në rend dite iniciativës së 43 deputetëve për shfuqizimin […]
Burime të Periskopit kanë bërë të ditur se të hënën do të mbahet mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit.
Në rend dite do të jetë edhe diskutimi për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Deri më tani, mbledhja e Kryesisë ku do të diskutohej për shfuqizimin e këtij Ligji, ka dështuar tri herë, në mungesë korumi.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kishte thirrur mbledhje edhe në natën e 22 dhjetorit pikërisht për këtë çështje, porse në mungesë të numrave kishte dështuar dy herë radhazi.
Mbledhjen e fundit, përveç Vetëvendosjes e bojkotuan edhe AAK-ja, Nisma e komunitetet joshumicë (pjesë të koalicionit qeverisës). Përfaqësuesit e këtyre partive u arsyetuan duke thënë se disa prej anëtarëve ishin jashtë vendit.
Ndërkaq përfaqësuesit e LDK-së, ani pse ishin të pranishëm në sallë, bënë të ditur se kishin planifikuar ta lëshonin mbledhjen kur të vinte në radhë Projektligji për Shfuqizimin e Dhomave të Specializuara.
Sërish pati reagime të ashpra nga ambasadorët, të cilët kërkuan që kjo nismë e disa deputetëve të shuhet përfundimisht.
“Ndryshimi ose zhbërja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe demonstrimi i përbuzjes së saj për sundimin e ligjit do ta kthente Kosovën prapa me vite të tëra në integrimin e saj në institucionet evropiane. Nëse doni të anëtarësoheni në një klub duhet të jetoni sipas rregullave të atij klubi. E njëra ndër rregullat më të rëndësishme në klubin euroatlantik është sundimi i ligjit”, ka thënë ambasadori amerikan, Greg Delawie./Periskopi












