Krenaria e futbollit shqiptar “Skënderbeu” e transferon ish-sulmuesin e Beshiktashit (Foto)

Skënderbeu bën një lëvizje të madhe në këtë fund të merkatos së verës, duke synuar të finalizojë marrëveshjen me ish-sulmuesin e Beshiktashit, turkun Batuhan Karadeniz. Lojtari në fjalë ka luajtur me disa skuadra në superligën turke, por ka pasur një rënie në kategori dy sezonet e fundit. Ai është vetëm 26 vjeç dhe besohet se […]
Lojtari në fjalë ka luajtur me disa skuadra në superligën turke, por ka pasur një rënie në kategori dy sezonet e fundit. Ai është vetëm 26 vjeç dhe besohet se do t’i bëjë shumë punë Skënderbeut, nisur nga fakti se ka eksperiencë me shumë skuadra dhe me potencial fizike e teknik të konsiderueshëm.
Është pra një tjetër futbollist që do të veshë fanellën e korçarëve, nga ku u largua së fundmi Goran Vujoviç, ndërkohë që edhe Sebino Plaku me shumë mundësi do të ndërpresë bashkëpunimin me klubin pas ndeshjes së kthimit me Dinamon e Zagrebit.
100 mijë euro do të përfitojë shtatlarti Batuhan Karadeniz sipas “Ajansspor.com”. 26-vjeçari ka një karrierë të pasur, ndërkohë që ka luajtur për Beshiktashin dhe Trabzonsporin, si dhe ka provuar të luajë në Zvicër. Së fundmi kishte nënshkruar kontratë 2-vjeçare me Shanliurfasporin, por ka paguar për të dalë lojtar i lirë rreth 50 mijë euro dhe tani pritet të vihet nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja.
Kjo është e gjithë historia e transferimit më të fundit të klubit korçar, i cili e bën një lëvizje të tillë pikërisht në prag të ndeshjes së rëndësishme të kthimit në “play-off” të Ligës së Europës përballë Dinamos së Zagrebit.
Edhe pse Karadeniz shihet si një blerje me peshë për fatet e sezonit të ardhshëm, është e qartë tashmë se klubi është në pritje të kualifikimit për në fazën e grupeve të Europa League.
Nëse Skënderbeu e kalon Dinamon e Zagrebit dhe shkon në grupe, atëherë ekipit do t’i duhen përforcime cilësore që të mundësojë një prezantim sa më të mirë e pse jo konkurrues, duke synuar madje dhe rezultate pozitive në grup, në mënyrë që të përfitojë sa më shumë në aspektin financiar.
Problemi i vetëm i lëvizjes së sulmuesit turk do të jetë nëse Skënderbeu zhgënjen dhe nuk arrin të kualifikohet. Atëherë lëvizja e sulmuesit në fjalë jo vetëm vihen në pikëpyetje, por mund të dështojë.
Gjithsesi, klubi është në një moment vlerësimi të grupit dhe mundësisë së bërjes merkato aktive deri në ditën e fundit të afatit zyrtar të transferimeve verore. Janë afruar disa lojtarë deri tani, por domosdoshmëria e klubit për të bërë blerje lidhet me largimin e tre lojtarëve. I pari është Vujoviç, një largim zyrtar tashmë.
Më pas është paralajmërim i për largimin e Liridon Latifit, që do të kalojë në kampionatin hungarez, por edhe pasiguria në lidhje me sulmuesin Sebino Plaku, që gjithashtu ka probleme me drejtuesit dhe nuk përjashtohet mundësia e largimit të tij në fund të merkatos së verës (gjasat janë që të përfundojë tek skuadra e Laçit).
Përveç tyre, në pikëpyetje është dhe qëndrimi i mesfushorit Bakary Nimaga, i cili ka marrë interesim nga klube të ligës së parë ruse. Duke parë këtë pasiguri të krijuar me disa lojtarë, Skënderbeu po tenton të përforcojë repartin e sulmit, i bindur se Batuhan Karadeniz mund të jetë goditje e saktë dhe që e përmbush objektivin e skuadrës korçare.
Mbetet tashmë të mësohen vetëm disa detaje financiare nga kontrata e tij e re, por lajmet që paraqesin mediat turke që e bëjnë kalimin e tij tek Skënderbeu fakt zyrtar tregon se midis lojtarit e Skënderbeut ka ardhur tashmë akordi dhe pritet që Karadeniz të japë kontributin e tij në fushë në ndeshjet e sezonit të ri.
Ambiciet e Skënderbeut në kampionat janë për titullin kampion, por sukses mbi të gjitha në këtë periudhë do të ishte kalimi në fazën e grupeve të Europa League.
Rivalitetin më pas në kampionat për titullin kampion do ta kenë me Partizanin dhe Kukësin, dy klube që e kanë ruajtur bërthamën e vjetshme dhe kanë bërë përforcime të ndjeshme në këtë merkato vere.














