Ja kur do ta bëjë publik AKR-ja emrin e kandidatit për Prishtinën

Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë që nesër do të bëhet publike se kush do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës. “Jemi duke i rregulluar disa lista, nesër do të bëhet zyrtare se kush do të jetë kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës”, tha Makolli në një […]
“Jemi duke i rregulluar disa lista, nesër do të bëhet zyrtare se kush do të jetë kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës”, tha Makolli në një deklaratë për Gazeta Blic.
Makolli theksoi se kandidati i AKR-së do të jetë një kandidat i mirë, i cili do ta fitojë Prishtinën.
“Kandidati ynë do të jetë shumë i mirë, dhe do ta fitojë Prishtinën pa balotazh”, tha ai.
Ditë më parë ‘Gazeta Blic’, ka raportuar për një përgatitje që po e bënte lideri i AKR-së Behgjet Pacolli që t’i hyjë garës për të parin e Prishtinës.
E gjithë kjo pasi që Behgjet Pacolli ishte tërhequr disa ditë nga Prishtina, dhe me një ekip vendor dhe ndërkombëtar kanë studiuar parimet e tij kryesore për zhvillimin e Prishtinës.
Ky është plani i Pacollit për zhvillimin e kryeqytetit.
- Prishtina, kryeqytet evropian(tërheqja e e administratës qëndrore nga qyteti aktual dhe ndërtimi i qytetit të ri me financime jo buxhetore.
- Prishtina qytet ekologjik evropian: Ndërtimi i qytetit të ri të Prishtinës, nga Hajvalia ku do të ishte qendra e qytetit administrativ dhe vazhdimi i ndërtimit të qytetit elitar bregut të liqenit të Badovcit deri në Suteskë dhe perspektiva nga Suteska në Grashticë që nënkupton futjen e parkut të Gërmisë në mes si mushkria e kryeqytetit . Ky do të ishte parku nacional në mes të qytetit ndër më të mëdhenjët në Evropë.(investime jo buxhetore). Ndalimi i zhvillimit të qytetit në tokat pjellore dhe rezervat e thengjillit.
- Prishtina kryeqendër universitare : largimi i Universitetit publik nga qendra aktuale dhe ndërtimi i kampusit të madh universitar në Bardhosh. Investimi po ashtu jo buxhetor me financim nga të hyrat që vijnë nga kampusi i vjetër i universitetit.
- Prishtina kryeqendër kulturore : Ndërtimi i Teatrit të madh të Operas dhe Baletit në hapësirën e ish qendrës tregtare Gërmia, në qendrën aktuale të kryeqytetit. Teatri i tanishëm rikthehet në teatër alternativ për artistët e rinjë.
- Prishtina kryeqytet i tolerancës fetare : Ndërtimi i Qendrës kulture Islamike diku në hapësirat që do të liroheshin me shpërnguljen e kampusit universitar, përballë katedrales Nënë Tereza.
- Hapja e shtretërve të dy lumenjëve që do të furnizoheshin me ujë të natyrshëm edhe nga lumi i Llapit.
- Prishtina qytet historik : Qendra aktuale të konservohet dhe të rregullohet (me infrastrukturë) dhe tu jepet në dispozicion qytetarëve . Gjithashtu të ndërtohet tramvaji nga xhamia e llapit deri te QKUK dhe fillimi i menjëhershëm i ndërtimit të tunelit transitor Bardhosh – Xhamia e Llapit.
- Prishtina me fytyrë të re : Rregullimi i trotuareve, hyrjeve dhe fasadave në gjithë qytetin e vjetër.
- Prishtina, kryeqytet i rinisë : Ndërtimi i një stadiumi të ri dhe qendrave rekreative në Bardhosh, jo larg kampusit universitar.
- Prishtina, kryeqendër e inovacionit : Ndërtimi i qendrës së madhe inovative me infrastrukturë adekuate për zhvillimin e Start Up për ndërmarrësit e rinj.
- Projekte me financime të siguruara : Financimi i gjithë këtyre projekteve do të ishte pjesërisht nga donacionet ndërkombëtare, pjesërisht nga legalizimet dhe pjesërisht nga buxheti.
- Prishtina, kantieri më i madh i ndërtimit në vend : Prishtina brenda 8 viteve të ardhshme, me fillimin e implementimit të këtyre pikave do të shndërrohej në kantierin më të madh evropian të ndërtimit dhe punësimit masiv. Në kryeqytet do synohet realizimi i idesë së kancelares Angela Merkel për punësim 100 përqind brenda pak vitesh.
Zgjedhjet lokale do të mbahen me 22 tetor.












