Donald Trump sanksione të forta ndaj Venezuelës

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos “sanksione të forta dhe të reja financiare ndaj diktaturës në Venezuelë”. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Diktatura e Maduros vazhdon t’i mohojë popullit venezuelian ushqimet dhe ilaçet, fut në burg opozitën e zgjedhur në mënyrë […]
Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos “sanksione të forta dhe të reja financiare ndaj diktaturës në Venezuelë”. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Diktatura e Maduros vazhdon t’i mohojë popullit venezuelian ushqimet dhe ilaçet, fut në burg opozitën e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe shtyp me dhunë lirinë e fjalës”. Shtëpia e Bardhë thotë se Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjet që në Venezuelë të rikthehet demokracia, të mbahen zgjedhjet e drejta dhe të lira dhe të lirohen të gjithë të burgosurit politikë.
Javën e kaluar, Asambleja Kushtetuese e Venezuelës votoi për pasur të drejtën që të miratojë ligje të cilat lejojnë marrjen me forcë të fuqisë legjislative nga Kongresi i udhëhequr nga opozita. Zgjedhja e asamblesë muajin e kaluar u bojkotua nga opozita dhe u dënua nga komuniteti ndërkombëtar. Asamblesë së re i është caktuar detyra të rishkruajë kushtetutën e vitit 1999 dhe i jep autoritetin Presidentit Nicolas Maduro, që ta sundojë vendin me dekret, pra duke i marrë vetë vendimet, një tipar tipik për një diktator. Muaj të tërë protestash gati të përditshme në Venezuelë kundër presidentit Maduro kanë shkaktuar më shumë se 120 të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur. Shumë prej tyre janë burgosur.
Kriza ekonomike ka përfshirë vendin dhe opozita ka fajësuar për situatën politikat e ndjekura nga presidenti Maduro. Qeveria ka argumentuar se opozita po punon me Shtetet e Bashkuara për rrëzimin me dhunë të Presidentit.
Akuzat ndaj Iranit për armët
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e ka akuzuar Iranin për kontrabandë ilegal të armatimit për aleatin e vet, grupin Hezbollah në Liban, dhe ashpër e ka kritikuar komandantin e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara, që i kishte “mbyllur sytë” ndaj këtij aktiviteti. Ky komandant, gjenerali Michael Beary, i ka kundërshtuar akuzat e bëra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, se Hezbollahu në mënyrë ilegale po depoziton armatim në këtë vend.
Derisa pritet që misionit të përbërë prej 10,500 paqeruajtësve, t’i vazhdoj mandati javën e ardhshme, ambasadorja Haley ka bërë presion për fuqizim të këtij misioni, për ta ndalur rrjedhën e armatimit për Hezbollahun në pjesën jugore të Libanit, afër Izraelit, që për një kohë të gjatë është ankuar për aktivitetet ushtarake të Hezbollahut në atë rajon. “Prej vitit 2006, ka ekzistuar rrjedhje masive e armatimit ilegal për Hezbollahun, në të shumtën e rasteve ky ishte kontrabandim nga Irani”, u tha mbrëmë Nikki Haley gazetarëve në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. “Ata hapur i kërcënohen Izraelit”, tha Haley dhe ka shtuar se “Hezbollahu është organizatë terroriste, që është shumë destabilizuese për rajonin”. Irani dhe Hezbollahu nuk kanë bërë komente të menjëhershme ndaj këtyre akuzave.
Por, gjenerali Beary tha këtë javë se forca e tij nuk ka gjetur dëshmi se armatimet kalojnë ilegalisht në këtë hapësirë. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se Hezbollahu e ka shtuar arsenalin e vet të armatimit dhe Beary “duket se është i vetmi person në pjesën jugore të Libanit, i cili është i verbër ndaj asaj që Hezbollahu po bën atje” dhe ka shtuar se “kjo tregon se ne duhet të kemi ndryshime” në këtë mision.












