Zimeri: Shefqet Krasniqi e Blerim Latifi janë të njëjtë, nuk kanë kurrëfarë dallimi

Filozofi Sead Zimeri ka reaguar ndaj një shkrimi të filozofit, ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, tash këshilltarit të Kadri Veselit, me titullin “Boshnjakizimi”. Zimeri, në shkrimin e tij në Facebook thotë se nuk sheh kurrëfarë dallimi në nivelin e qasjes epistemike e kognitive mes Blerim Latifit dhe teologëve të tjerë dogmatikë, siç është Shefqet Krasniqin. Sipas […]
Filozofi Sead Zimeri ka reaguar ndaj një shkrimi të filozofit, ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, tash këshilltarit të Kadri Veselit, me titullin “Boshnjakizimi”.
Zimeri, në shkrimin e tij në Facebook thotë se nuk sheh kurrëfarë dallimi në nivelin e qasjes epistemike e kognitive mes Blerim Latifit dhe teologëve të tjerë dogmatikë, siç është Shefqet Krasniqin.
Sipas Zimerit, që të dy janë dy anë të së njëjtës monedhë dhe se ekzistojnë për shkak të njëri-tjetrit, shkruan Periskopi.
Për Zimerin, Blerim Latifi nuk është asgjë më shumë veçse një mendjengushtë.
Lexoni më poshtë reagimin e plotë të Zimerit:
Mes purizmit fetar dhe atij nacionalist
Unë nuk shoh kurrfarë dallimi në nivel të qasjes epistemike/kognitive mes Blerim Latifit dhe telogëve tjerë dogmatikë, si Shefqet Krasniqi për shembull. Janë dy anë të së njëjtës monedhë, dhe ato ekzistojnë vetëm në saje të njëri tjetrit. Ata kanë dy ligjërime që në dukje dhe në përmbajtje janë kontradiktore, por në esencë dhë formë janë të njëjtë. Blerim Latifi është Shefqet Krasniqi.
Para një kohe lexova një teolog që shkruante në atë avazin e vjetër dogmatik ku të qenurit musliman e përcaktonte aq ngushtë saqë ishte e pamundur të mbeteshe edhe musliman edhe mendimtar i shekullit 21. Kategoritë përmes të cilave përkufizohej qenia muslimane ishin aq të ngushta saqë edhe po dëshirove të mbetesh musliman nuk do të të pranonin. Ato kategori që ndoshta ishin të përshtatshme në epokat e hershme të islamit por jo sot, ndonëse edhe atëherë ato ishin po aq arbitrare sa janë edhe sot, pasi që ato nuk përfshinin kokat më gjeniale të islamit.
Ana tjetër e kësaj monedhe është dogmatizmi nacionalist i cili përmes një përkufizimi të ngushtë, arbitrar dhe jo historik të qenies shqiptare përjashton një popull të tërë nga identiteti shqiptar. Tani kur ballafaqohesh me përkufizime të këtilla duhet menjëherë nëse nuk je komplet idiot ta kuptosh që përkufizime të këtilla janë tendencioze; janë dashakeqe dhe karllëqe, që përpiqen t’i fusin në kuti, dhe t’i mbyllin njëherë e përgjithmonë identitetet dinamike. Janë po ashtu përpjekje për të krijuar ortodoksi të reja dhe për të monopolizuar të drejtën e definimit të përkatësive fetare dhe kombëtare. Është me një fjalë luftë për pushtet simbolik.
Tani nuk është që unë merakosem shumë nga individë me mendjengushtësi të këtilla kur ata marrin të drejtën të mi përkufizojnë identitetet. Jo. Personalisht as që më bëhet vonë për asnjërin identitet. Ajo që më brengos është se si rregull ortodoksi krijojnë përherë ata që operojnë me kategori dogmatike dhe ahistorike. Është kështu ngaqë kategori të tilla manipulohen lehtë nga pushtete politike dhe si rrjedhojë ato përcaktojnë fatin e popujve të tërë. Mua nuk më pengon kategorizimi si i tillë por idiotizmi i atyre që bëjnë këto kategorizime, dhe e ndjej se ata, e jo ne të tjerët që shohim më shumë nuanca, fitojnë betejat për të drejtën e përkufizimit të përkatësive tona në nivele institucionale.











