Buja: Edhe nëse bashkohen Kosova e Shqipëria, shqiptarët do ta kenë një shtet të vogël e të pafuqishëm (Video)

Studiuesi i filozofisë, Jetlir Buja vlerëson se, edhe në rast të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, shqiptarët prapë do ta kenë një shtet të vogël dhe të pafuqishëm. Në videokomentin për Periskopin, Buja vlerëson se edhe vet ideja e bashkimit kombëtar është prodhuar në një shoqëri të mbyllur, të shtypur, të paarsimuar dhe të influencuar nga […]
Studiuesi i filozofisë, Jetlir Buja vlerëson se, edhe në rast të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, shqiptarët prapë do ta kenë një shtet të vogël dhe të pafuqishëm.
Në videokomentin për Periskopin, Buja vlerëson se edhe vet ideja e bashkimit kombëtar është prodhuar në një shoqëri të mbyllur, të shtypur, të paarsimuar dhe të influencuar nga idetë romanticiste.
“Bashkimi kombëtar si ide u prodhua në një shoqëri të mbyllur, të shtypur, të paarsimuar dhe të influencuar nga idetë romanticiste. Pra, bashkimi kombëtar është një ide e nacionalizmit romantik ose siç njihet ndryshe, nacionalizmit organik. Rrjedhime të këtij nacionalizmi, ishin edhe lëvizje të ndryshme anti-semite, fashiste, që e dëmtuan rëndë Evropën”, theksoi ai.
Sipas tij, kombi nuk duhet kuptuar si entitet natyror e historik, për arsye se në rast dështimesh e dëshpërimesh mund të përkthehet në autoracizëm.
Buja konsideron se as vet qytetarët e dy vendeve nuk i duan shtetet e tyre, dhe sipas tij, jo vetëm për arsye të mirëqenies ekonomike.
“Edhe sot, Shqipëria e Kosova janë dy shtete që nuk duhen nga vet qytetarët e tyre. Ikjet në vitet e fundit nuk besoj se ishin të motivuara vetëm ekonomikisht. Bashkimi kombëtar nuk duhet të merret si një arratisje nga liria por në një rast të mundshëm e të pashmangshëm, por si një lëvizje për liri dhe që të ndodh diçka e tillë, shumëçka në konceptimet tona duhet të ndryshojë”, vlerësoi Buja.
Më poshtë mund ta shihni video-komentin, ku Buja flet lidhur me temën. /Periskopi/











