Pupovci kritikon arsimin në Kosovë, gjithashtu flet edhe për dënimin e Enver Hasanit

Pupovci kritikon arsimin në Kosovë, gjithashtu flet edhe për dënimin e Enver Hasanit

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci në një intervistë për Gazeta Blic ka folur lidhur me problemet dhe ngjarjet e fundit që po ndodhin në këtë sektorë, duke komentuar shkarkimin dhe emërimin e ri të AKA-së, plagjiaturën në Universitetin e Prishtinës, dënimin e ish-rektorit të UP-së, Enver Hasanin dhe në fund gjendjen e arsimit […]

Pupovci për AKA-në, tha se ka pasur parregullsi që nga dita e themelimit të këtij bordi dhe krejt kjo ka ndodhur si rrjedhojë e ndikimit të politikës mbi këtë agjenci.

Në anën tjetër, plagjiaturën në UP dhe raportin e institutit Edguard njohësi i çështjeve të arsimit thotë se krejt ky mosndëshkim ndaj personave që përdorin plagjiat ka krijuar një komoditet te ta dhe sidomos ku këto persona marrin poste të larta, nuk e mund të pritet një luftim i kësaj dukurie.

Pupovci gjithashtu ka përmendur edhe dënimin e ish-rektorit të UP-së, Enver Hasanit duke e cilësuar minimal. Ai ka cilësuar të gjithë kohën kur ai ishe rektor me shkelje të shumëta në Universitet.

Sa i  përket fushës së arsimit në përgjithësi, Pupovci tha se duhet filluar përmirësim nuk e cilësisë nga mësimdhënia në shkolla, llogaridhënia, duke shtuar se rritja e rrogave jo domosdoshmëritë sjell përmirësime nëse nuk  shoqërohet me rritje të llogaridhënies.

Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Gazeta Blic: Si e komentoni shkarkimin e bordit të Agjencisë së Akreditimit dhe emërimin e Bordit të ri? Çka mendoni se do të ndryshojë puna e këtij bordi me anëtarët e rinj? A mendoni se personat të cilët janë caktuar në krye të kësaj Agjencie do të përmirësojnë situatën në sektorin e arsimit?

Dukagjin Pupovci: Motivet për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Cilësisë kanë mbetur të paqarta. Me siguri që në punën e Agjencisë së Akreditimit ka pasur shumë parregullsi që, kryesisht, ndërlidhen me shkeljen e kritereve me rastin e akreditimit. Këto parregullsi datojnë nga dita e themelimit të Agjencisë dhe, kryesisht, kanë ndodhur si rezultat i presionit të politikës mbi Agjencinë. Ndërkaq, kohëve të fundit Agjencia kishte filluar të demonstrojë pak më shumë vendosmëri për respektimin e kritereve të cilësisë dhe shkarkimi ndodhi pikërisht në momentin kur suspenduan një numër të konsiderueshëm të programeve për mosplotësim të kritereve minimale.

Në përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të Cilësisë nuk shoh ndonjë vlerë të shtuar në raport me përbërjen paraprake dhe nuk pres performancë më të mirë nga kjo përbërje, nëse vazhdon të ushtrohet presioni politik ndaj Agjencisë siç ka ndodhur deri tani.

Ligji parasheh që anëtarët e emëruar të KKC duhet të ratifikohen nga Kuvendi dhe, po ashtu, se duhet raportuar Kuvendit kur shkarkohen më shumë se 1/3 e anëtarëve brenda një viti. Këto kërkesa ligjore nuk janë të rastit dhe qëllimi i tyre është minimizimi i ndikimit politik në punën e KKC. Prandaj, shpresoj se në Kuvend do të hapet debati për shkarkimin e përbërjes së vjetër dhe emërimin e përbërjes së re të KKC.

Gazeta Blic: Në media është publikuar një raport nga instituti Edguard ku thuhet se rreth 40 për qind e profesorëve në UP kanë përdorur plagjiaturë në punimet e tyre. Si e komentoni situatën në UP, përveç mungesës së teksteve ka edhe plagjiaturë? Çka konkretisht duhet të veprohet në këtë drejtim?

Dukagjin Pupovci: Nuk mund ta komentoj raportin e EdGuard, pasi nuk kam pasur rastin ta shoh. Ka pasur në media edhe më herët raportime të argumentuara për plagjiaturën dhe mashtrimin nga ana e stafit akademik, por deri tani, asnjëherë nuk janë marrë masa ndaj kryerësve të këtyre veprave të shëmtuara. Kjo i ka kontribuar krijimit të një kulture të mosndëshkimit që inkurajon edhe të tjerët të shkojnë asaj rruge, pa u përballuar me pasojat dhe jo vetëm kaq. Ne kemi raste kur njerëzit që janë përfshirë në plagjiaturë dhe në mashtrim marrin poste të larta publike, si në universitet, ashtu edhe në institucionet tjera dhe nuk mund të pritet prej tyre që, nga ato pozita, ta luftojnë dukurinë negative në të cilën janë vet të përfshirë.

Gazeta Blic: Në anën tjetër, ish-rektori i UP-së, Enver Hasani është dënuar me 1 vit burg me kusht në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për universitetin e Prishtinës? Çka mendoni për këtë rast? A është ky njëri nga faktorët ndikues në gjendjen e keqe të UP-së?

Dukagjin Pupovci: Vendimi i Gjykatës nuk është përfundimtar, por bie në sy fakti se ish-rektorit i është shqiptuar dënimi minimal që parasheh Kodi Penal për këtë vepër. Mendoj se kjo flet për katandisjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, pasi është vështirë të gjindet ndonjë rrethanë lehtësuese kur fajtor për një vepër të tillë shpallet njeriu që i janë besuar poste të larta publike dhe, përveç kësaj, është një jurist me nam dhe profesor i drejtësisë. Po shihet se sistemi ynë i drejtësisë nuk është i përgatitur të merret, në mënyrë meritore, me raste të profilit të lartë.

Pavarësisht kësaj, personalisht mendoj se Enver Hasani ka qenë një zgjidhje e keqe për rektor të Universitetit. Mandati i tij është karakterizuar me shkelje të shumta ligjore, arbitrarizëm flagrant dhe kultivim të një kulture klanore që nuk i ka hije universitetit. Skandalet e shumta që i shkaktoi gjatë mandatit të rektorit, si duket, i shërbyen si referencë për t’u zgjedhur kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Duket se politika e kërkonte pikërisht një të tillë për gardian të Kushtetutës, pasi qëllimi nuk ishte ruajtja e Kushtetutës, por gjetja e mundësive për abuzim me Kushtetutën për arritjen e qëllimeve politike.

Gazeta Blic: Si është situata me arsimin në përgjithësi në Kosovë? Çka mund të përmirësohet dhe çka konkretisht duhet të veprohet në vitet në vazhdim?

Dukagjin Pupovci: Është mirë që kemi filluar të krahasohemi me botën dhe njerëzit janë të ndërgjegjshëm për gjendjen jo të mirë në arsim. Problemet kyçe kanë të bëjnë me cilësinë, e që është një koncept shumë i gjerë. Mendoj se duhet t’i kushtohet kujdes më i madh leximit, sepse këtu kemi treguar rezultate shumë të dobëta – rreth 77% të nxënësve 15-vjeçarë nuk kanë shkathtësi minimale leximi që do të thotë se kanë probleme të mësuar dhe për të kryer punë të përditshme. Pastaj, duhet përmirësuar cilësinë e mësimdhënies në shkolla, në veçanti duke shfrytëzuar më mirë teknologjinë. Ne jemi vend ku 80% e popullsisë ka qasje në Internet, prandaj nuk është e arsyeshme që Interneti të mos shfrytëzohet për mësimdhënie në shkolla. Tekstet mësimore kanë nevojë për rishikim rrënjësor dhe përshtatje nevojave të kohës.

Një aspekt tjetër me rëndësi është llogaridhënia, e cila mungon në sistemin tonë të arsimit. Komunat janë përgjegjëse për performancën e shkollave, ndërsa Ministria e Arsimit për gjendjen e sistemit të arsimit në vend. Nuk mund të kalojë pa komente dështimi i një shkolle në provimin e maturës. Kuptohet, që të kemi një rezultat besnik, Ministria duhet ta përmirësojë administrimin e provimit. Nëse tolerohet kopjimi dhe mashtrimi në provim të maturës, atëherë do të fitojmë rezultate krejtësisht të gabuara dhe, në vend se nxënësit të mësojnë ata do ta çojnë kohën duke përgatitur kopje, ndërsa mësimdhënësit nuk do ta japin maksimumin e vet në punë me ta. Edhe prindërit do të jenë të këbnaqur që fëmijët kalojnë provimin, qoftë edhe pa meritë, prandaj nuk do të kërkojnë përgjegjësi nga shkolla. Paramendoni çfarë mobilizimi do të ishte sikur të gjithë ta kishin të qartë se në provim të maturës nuk mund të kopjohet. Është rol i shtetit që këtë ta bëj realitet.

Vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ka aprovuar një plan strategjik 5-vjeçar për zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ky plan është gjithëpërfshirës dhe, po ashtu, parasheh edhe shpenzimet buxhetore që duhet bërë. Kërkohet shumë përkushtim që Plani të zbatohet dhe kjo është ajo që mungon. Nëse nuk zbatohet, në mënyrë sistematike, ajo që është planifikuar, atëherë gjërat do të bëhen në mënyrë stihike dhe kjo nuk rezulton me përmirësim, por me përkeqësim të gjendjes. Rritjet e pagave që, rëndom, premtohen gjatë fushatës zgjedhore, nuk sjellin përmirësime, nëse nuk shoqërohen edhe me rritje të llogaridhënies. Kjo është pa qartë në 10 vjetët e fundit.

 

Të ngjashme
Tensione të reja mes Beogradit dhe Podgoricës, rreth 30 malazezë ndalohen në aeroportin e Beogradit

Tensione të reja mes Beogradit dhe Podgoricës, rreth 30 malazezë ndalohen në aeroportin e Beogradit

KQZ lejon diasporën të votojë me dokumente me afat të skaduar

KQZ lejon diasporën të votojë me dokumente me afat të skaduar

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutë për të kufizuar veprimet ushtarake të Trumpit ndaj Iranit

Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutë për të kufizuar veprimet ushtarake të Trumpit ndaj Iranit

Identifikohen viktimat, si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

Identifikohen viktimat, si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

Futbollisti Leonit Aliu është njëri nga dy të mbyturit në bregdetin e Shëngjinit

Futbollisti Leonit Aliu është njëri nga dy të mbyturit në bregdetin e Shëngjinit

Moti sot, vranët e me shi sot

Moti sot, vranët e me shi sot

Kapen 8 tonë kokainë në Gjermani, vlera 500 milionë euro

Kapen 8 tonë kokainë në Gjermani, vlera 500 milionë euro

Parashikimi i motit për të enjten

Parashikimi i motit për të enjten

Ky është njëri prej viktimave nga tragjedia në Shëngjin

Ky është njëri prej viktimave nga tragjedia në Shëngjin

16-shi i LDK-së, Visar Azemi pas tubimit: Faleminderit Ferizaj

16-shi i LDK-së, Visar Azemi pas tubimit: Faleminderit Ferizaj

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike