“Vostok-2018” – paralajmërimi i fuqishëm i Rusisë ndaj NATO-s me 300 mijë trupa ushtarake

Rusia po bën përgatitjet e fundit për stërvitjet më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, ku do të përfshihen rreth 300 mijë pjesëtarë të personelit në Siberinë lindore. Në këto stërvitje të njohura si “Vostok-2018”, Kina do t’i dërgojë rreth 3,200 pjesëtarë të saj, me shumë automjete e avionë ushtarakë. Po ashtu, disa […]
Në këto stërvitje të njohura si “Vostok-2018”, Kina do t’i dërgojë rreth 3,200 pjesëtarë të saj, me shumë automjete e avionë ushtarakë. Po ashtu, disa njësi do t’i dërgojë edhe Mongolia, shkruan Periskopi.
Stërvitjet e fundit ushtarake të Rusisë të këtij niveli ishin zhvilluar në vitin 1981 gjatë Luftës së Ftohtë, megjithatë Vostok-2018 do të përfshijë më shumë trupa. Dhe të gjitha këto stërvitje vijnë në një kohë tensioni mes NATO-s dhe Rusisë.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Aleancës Veri-Atlantike (NATO) – një organizatë e përbërë prej 29 anëtareve, që dominohet nga SHBA – janë përkeqësuar që prej kur Rusia e ka aneksuar Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, stërvitjet i ka arsyetuar me qëndrimet “agresive dhe jomiqësore” përballë Rusisë.
Çfarë do të ndodh gjatë stërvitjeve?
Gjatë të martes e të mërkurës do të bëhen planet e përgatitjet, përderisa operacionet do të nisin të enjten dhe do të zgjasin pesë ditë, ka thënë kreu i stafit të ushtrisë ruse, gjenerali ushtarak Valery Geramisov.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se rreth 36 mijë tanke, personel i armatosur dhe automjete të armatasoura tokësore do të marrin pjesë në Vostok-2018 që nga 11 deri më 17 shtator, së bashku me më shumë se 1,000 avionë luftarakë.
Stërvitjet do të shtrihen në pesë qendra kryesore, katër baza ajrore dhe hapësira të Detit të Japonisë. Rreth 80 luftanije do të marrin pjesë, nga dy flota ruse.
Stërvitjet nuk do të mbahen afër ishullit të kontestuar Kuril në veri të Japonisë, kanë thënë autoritetet ruse. /Periskopi/












