Të paktën 27 të vdekur nga zjarri në një lokal nate në Tajlandë, dhjetëra të plagosur

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një bar-restorant në Bangkok, kryeqytetin e Tajlandës, gjatë orëve të vona të së dielës, duke shkaktuar të paktën 27 viktima dhe duke lënë dhjetëra të tjerë të plagosur.
Sipas autoriteteve, flakët shpërthyen pranë skenës së lokalit “Rong Beer Na Lat Phrao”, në zonën e njohur Chatuchak, dhe u përhapën me shpejtësi në të gjithë ambientin. Dëshmitarët thanë se zjarri ndërpreu energjinë elektrike dhe mbushi sallën me tym të dendur, duke shkaktuar panik mes klientëve.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që përpiqeshin të largoheshin mes flakëve, ndërsa disa prej tyre kishin marrë flakë edhe në rroba.
Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje pak pas mesnatës dhe arritën ta vinin zjarrin nën kontroll brenda rreth 30 minutash. Gjatë kontrolleve, trupat e shumicës së viktimave u gjetën në një nga tualetet e lokalit, ku besohet se ishin strehuar për t’i shpëtuar flakëve.

Bilanci paraprak flet për 27 viktima, mes tyre 18 gra dhe 9 burra. Mbi 60 persona po marrin trajtim në spital, ndërsa 22 prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Hetimet e para sugjerojnë se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një defekt elektrik në një kondicioner, megjithëse autoritetet theksojnë se shkaku zyrtar do të përcaktohet vetëm pas ekspertizës.
Drejtori i Departamentit të Menaxhimit të Fatkeqësive në Bangkok bëri të ditur se shumica e viktimave dyshohet se humbën jetën si pasojë e asfiksisë nga tymi.
Ndërkohë, guvernatori i Bangkokut deklaroi se materialet lehtësisht të ndezshme të përdorura në dekorimin e tavanit mund të kenë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Ai shtoi se pranë daljes së emergjencës janë gjetur persona pa ndjenja, çka ngre dyshime se kjo dalje mund të ketë qenë e bllokuar, megjithëse kjo mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet.

Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, vizitoi vendin e ngjarjes dhe tha se, sipas një muzikanti që po performonte në momentin e shpërthimit të zjarrit, fillimisht u dëgjua një shpërthim dhe më pas të pranishmit u përpoqën të largoheshin nga tymi dhe flakët. Shumë prej tyre, në vend që të dilnin jashtë, u drejtuan drejt pjesës së pasme të godinës dhe u strehuan në tualete, ku edhe mbetën të bllokuar.
Si pasojë e tragjedisë, autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e lokalit për 30 ditë dhe kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.
Qeveria tajlandeze ka njoftuar gjithashtu mbështetje financiare për familjet e viktimave dhe për të plagosurit që po trajtohen në spitale.
Kjo është një tjetër tragjedi e rëndë e shkaktuar nga zjarret në Tajlandë. Në vitin 2022, një zjarr në një lokal në jug të Bangkokut u mori jetën 22 personave, ndërsa në natën e Vitit të Ri 2009, 66 persona humbën jetën në një zjarr në një klub nate në kryeqytet.











