KFOR’i për shpërthimet në Bondsteel: Ishin aktivitete rutinë

Banorë të Ferizajt raportuan se gjatë natës mes së mërkurës dhe së enjtes kanë dëgjuar disa detonime që dyshohej se vinin nga zona përreth kampit ushtarak Bondsteel
Lidhur me këtë rast, KFOR, bëri të ditur se bëhej fjalë për veprime të planifikuara në kuadër të operacioneve të rregullta të misionit.
“KFOR-i mund të konfirmojë se shpërthimet që u dëgjuan ishin pjesë e aktiviteteve operative rutinë të ekipeve të EOD-së (Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese). Këto aktivitete kryhen rregullisht si pjesë e mandatit të vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
“Operacione të tilla përfshijnë ushtrime trajnuese, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e gatishmërisë dhe efektivitetit të forcave tona”, u tha në përgjigjen për Klan Kosova nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun të KFOR-it.
Nga misioni paqeruajtës u theksua gjithashtu se do të vazhdojnë të informojnë publikun për aktivitetet e tyre kur është e nevojshme, me qëllim të ofrimit të informacionit të saktë dhe transparent. /KlanKosova











