Tek pas tre muajsh pasi u dënua nga Gjykata, Fadil Nurës i bie në mend ta shkarkojë Haxhi Bejtën nga pozita e drejtorit të prokurimit

Pas 3 muajve prej kur është shpallur fajtor drejtori i Prokurimit në Skenderaj, tek tash kryetari i kësaj komune Fadil Nura, e ka liruar nga detyra pasi ndaj tij ekziston një vendim dënues nga shkalla e parë e gjykatës. Haxhi Bejta është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë në grup me ish-kryetarin e Leposaviqit dhe 12 […]
Haxhi Bejta është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë në grup me ish-kryetarin e Leposaviqit dhe 12 të akuzuar të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kjo akuzë i rendohet për periudhën 2015 – 2017 gjatë kohës sa ishte drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vërtetuar dënimin me burgim prej 2 vite e 6 muaj.
Për këtë Periskopi kishte kontaktuar edhe kryetarin e Skenderajit, Fadil Nuren, për ta pyetur se çfarë do të ndërmarrin pas vendimit ndaj drejtorit të prokurimit.
“Ai sigurisht që tërhiqet prej përgjegjësive që ka deri në një vendim të shkallës së dytë. Besoj të hënën sigurisht personi në fjalë në këtë rast zotëriu do të tërhiqet prej përgjegjësive që ka. Të hënën me vjen aktgjykimi edhe personi tërhiqet, dhe është e vërtetë ajo çka është, po derisa ta kem aktgjykimin në dorë edhe formal, atëherë masat do të jenë konform përgjegjësive politike, morale dhe ligjore”, pati deklaruar Nura për Periskopin.
Bejta ka një përvojë të gjatë brenda Komunës së Skenderajt si shërbyes civil, kryesisht në pozitën e shefit të Prokurimit. Në prag të pensionimit të tij, Komuna e Skenderajt formoi një Drejtori të Prokurimit duke e emëruar atë udhëheqës të saj.
Saktësisht, më 05.10.2024, Bejta është bërë Drejtor i Prokurimit – si i emëruar politik.
Aktakuza e ngarkonte Haxhi Bejtën për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar bashkë me ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzoheshin për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.












