Liberalizimi i tregut të energjisë: Bizneset përballen me rritje të kostos

Duke filluar nga 1 qershori, kompanitë e mëdha në Kosovë duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike. Derisa rregullatorët e cilësojnë këtë si hap drejt liberalizimit të tregut të energjisë, drejtuesit e bizneseve paralajmërojnë për rritje të kostove dhe paqëndrueshmëri ekonomike. Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), […]
Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Si pjesë e Ligjit për energjinë elektrike, kjo masë nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike.
Përfaqësuesit e tyre, por edhe afaristët paralajmërojnë se ky tranzicion, mund të shkaktojë çrregullime ekonomike dhe rritje të çmimeve të produkteve.
“Në momentin që neve na qesin nga furnizimi i rregullt në furnizim të parregulluar, unë besoj se rryma do të jetë mbi 70 për qind më shtrenjtë se aktualisht”, thotë për Radio Evropa e Lirë, Alajdin Fusha, përfaqësues i kompanisë “ABI SHPK”, transmeton Periskopi.
Kjo kompani, me bazë në Prizren, ka nën ombrellën e vet 13 kompani të ndryshme, që ofrojnë produkte ushqimore dhe shërbime të tjera, dhe punëson rreth 600 punëtorë.
Aktualisht, ajo paguan mbi 65 mijë euro në vit për faturat e energjisë së shpenzuar. Kostoja i është përgjysmuar që nga viti 2021, për shkak të investimeve në panele diellore.
Fusha thotë se me liberalizimin e tregut të energjisë, çmimi për kilovat nuk mund të pritet nën 15 centë, nga rreth 7 centë sa paguan kompania tash për tash.
Kjo, sipas tij, me doemos do të reflektojë edhe në koston e produkteve dhe shërbimeve.
Ku mund të furnizohen kompanitë me rrymë?
Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.
Operatori për Furnizim me Energji – KESCO është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë.
Çmimin e produkteve të tij e përcakton ZRRE-ja.
Sipas ZRRE-së, në Kosovë janë të licencuara edhe 18 kompani të tjera.
“Ato mund të kryejnë aktivitetin e furnizimit dhe tregtimit me shumicë të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e këtij rregullatori për Radion Evropa e Lirë, por nuk specifikohet më shumë rreth tyre.
KESCO, në një njoftim të publikuar më 5 mars, bëri të ditur se me kërkesë të ZRRE-së, kompanitë komerciale me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet të zgjedhin furnizuesin me rrymë brenda 15 ditësh, pasi, nga data 1 qershor, nuk do të jenë më në listën e konsumatorëve me tarifa të rregulluara.
Ato do të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.
“Pasoja për bizneset”
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, thotë se ky ndryshim në furnizim, do të ketë pasoja të rënda për bizneset e mëdha, të cilat janë kryesisht prodhuese.
Sipas tij, çmimi i rrymës as tash nuk është i lirë.
“Dhe, shtrenjtimi i radhës do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendor. Gjithashtu, mund ta dëmtojë edhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë, bizneset aktive sipas numrit të punëtoreve ndahen në mikro, që kanë të punësuar nga 1 deri në 9 punëtorë; të vogla me nga 10 deri në 49 punëtorë; të mesme me nga 50 deri në 249 punëtorë dhe të mëdha me mbi 250 punëtorë.
Numri i dy kategorive të fundit arrin në rreth 17.300, sipas OEK-ut.
Rafuna thotë se OEK-u është interesuar për kompanitë tjera që përmend ZRRE-ja për furnizim, por, sipas tij, ato nuk funksionojnë si furnizues të rregullt.
“Institucionet nuk kanë krijuar kushte për një treg të hapur dhe konkurrues. Bizneset detyrohen të dalin në tregun e lirë, por pa pasur mundësi të negociojnë për një çmim më të lirë dhe energji më cilësore. Kjo mund të krijojë monopol nga KESCO-ja, e cila do t’i diktojë çmimet”, thotë Rafuna.
Ngjashëm shprehet edhe afaristi Fusha.
“Pas njoftimit të KESCO-s, jam interesuar për këtë çështje, por nuk ka kompani tjera që garantojnë ofertë të qëndrueshme. Në fund, sërish do të furnizohemi nga KESCO-ja, por me çmime shumë më të larta”, sipas tij.
Radio Evropa e Lirë pyeti KESCO-n se sa do të jenë çmimet për bizneset që hyjnë në tregun e liberalizuar dhe vazhdojnë të mbeten kliente të saj, por nuk mori përgjigje.
Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh./REL/












