Kryeministri Kurti dje është kthyer në Kosovë nga SHBA’të, nuk u takua me drejtorin e CIA-s

Një vizitë e papritur, dje i erdhi Kosovës. Njeriu kryesor i inteligjincës amerikane CIA, William Burns, zbarkoi me aeroplan në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Burns u takua me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti, e gjithashtu i shkoi në zyre edhe Presidentes Vjosa Osmani. Por, jo edhe kryeministrit Kurti që mendohej se ende është në […]
Burns u takua me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti, e gjithashtu i shkoi në zyre edhe Presidentes Vjosa Osmani. Por, jo edhe kryeministrit Kurti që mendohej se ende është në SHBA, në vizitën që pati për Konventën e Demokratëve.
Periskopi ka mësuar se kryeministrit Kurti, në fakt dje ishte rikthyer në Kosovë nga SHBA-të.
Megjithatë, kjo nuk tregon se kishte ndonjë agjendë të drejtorit të CIA-s se do të takohej edhe me kryeministrin Kurti, duke u bazuar me marrëdhëniet e kësaj Qeverie karshi ndërkombëtareve, specifikisht SHBA-të.
Vlen të theksohet se dje, shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila, gjithashtu kishte deklaruar për televizionin publik se “Kryeministri është nisur nga ShBA’të mbrëmë ( e mërkurë)”.
“Kryeministri është nisur nga ShBA’të mbrëmë ( e mërkurë), nëse nuk gaboj. Për arsye se ne kemi pasur agjenda të ndara”, tha ajo.
Edhe sipas fjalëve të Shefes së Grupit Parlamentar i bie që Kurti ka qenë në Kosovë gjatë vizitës së Shefit të CIA, William Burns.
Ndryshe, kujtojmë se udhëtimi i Kurtit drejt SHBA-së ra në kohën kur kritikat e vërejtjet nga zyrtarët amerikanë për të u ashpërsuan.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pasi tha se “nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra”, u nxitua të shpjegojë se ftesa e Kurtit për në SHBA i shkoi nga një institut amerikan dhe jo nga qeveria.
“Sa e di unë, kryeministri Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute). Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, tha Hovenier në intervistën që pati për Radion Evropa e Lirë më 13 gusht.
“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”, tha gjithashtu Hovenier.
Por, pasi arriti në Çikago, Kurti mohoi se ka dëmtime të marrëdhënieve meqë dallimet e tij me amerikanët tha se i ka për “strategji, taktika dhe operacione” e jo për vlera e parime.
“Nuk besoj që ka kurrfarë dëmtimi të marrëdhënieve. Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje, por unë besoj që marrëdhëniet që po ndërtoj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë”.
Kësaj deklarate të Kurtit, Hovenier iu përgjigj në një konferencë për media në Prishtinë të mërkurën.
“Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është konfuze. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me disa veprime dhe zgjedhje politike të Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti. Siç kam thënë në një intervistë javën e kaluar, ne po përballemi me disa sfida të caktuara me Qeverinë e tanishme të Kosovës dhe këto sfida kanë ndikuar absolutisht në cilësinë e partneritetit tonë”.
Në një fjali që u kap në mikrofon pas përfundimit të konferencës, Hovenier i tha presidentes Osmani, me të cilën mbajti konferencën, se këtë “nuk doja të bëja, por…”.
/Periskopi/