Mustafa dorëzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme, kërkon ta shpallë të pafajshëm ose ta kthejë çështjen në rigjykim

Salih Mustafa i cili u dënua nga të dy shkallët e gjykatave në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë tashmë ka dorëzuar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme. Në kërkesën e dorëzuar më 13 mars 2024, Mustafa ka kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë […]
Në kërkesën e dorëzuar më 13 mars 2024, Mustafa ka kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje kwshtu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Mustafa ka parashtruar pesë pika me anë të të cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit i cili e dënoi me 22 vite burgim.
Tek pika e parë e paraqitur në kërkesën e Mustafës thuhet se është bërë shkelje ligjore dhe Kushtetuese. Mustafa ka rikujtuar se Apeli iu është drejtuar argumenteve të tij lidhur me parimet lex mitior që do të thotë se nëse ka ndryshuar ligji që ka të bëjë me veprën penale të të akuzuarit duhet të zbatohet ligji më pak i rëndë. Sipas Mustafës, lex mitior i Apelit është i kufizuar dhe i gabuar.
Ashtu si në pikën e parë edhe në pikën dy dhe tre, Mustafa ka parashtruar se vendimi i Apelit ka pasur shkelje të Ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërsa, në pikën katër, në kërkesë thuhet se Mustafa ka theksuar se deklarohet i pafajshëm në të gjitha pikat dhe këtë qëndrim e mbanë edhe sot. Tutje, thuhet se edhe pse shkalla e parë dhe e dytë e dënuan Mustafën për arrest arbitrar, torturë dhe vrasje në lidhje me këtë të fundit ai ka pohuar se nuk ishte gjykuar siç duhet në rastin e tij.
Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme, Mustafa ka thënë se shkalla e parë dhe e dytë e gjykatës e kanë interpretuar vetëm në mënyrë teorike krimin e vrasjes që më pas e dënuan për atë.
Mustafa ka pohuar se të dy aktgjykimet përfshijnë shkelje thelbësore të rregullave dhe nuk mund të përbëjnë vrasje siç është në bazë të nenit 14 të Ligjit.
“Trupi gjykues arriti në përfundimin se Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-s ishin përgjegjës kryesor për keqtrajtim të rëndë dhe refuzim të ndihmës mjekësore, që çoi në vdekjen e viktimës. Megjithatë, sa i përket vrimave të plumbave në trupin e viktimës, kishte paqartësi nëse ato ishin shkaktuar nga pjesëtarë të BIA-s apo nga forcat serbe. Duke zbatuar parimin ‘in dubio pro reo’ (favorizimi i të akuzuarit në rast dyshimi), Trupi Gjykues supozoi se forcat serbe qëlluan viktimën. Përkundër këtij supozimi, Apeli sugjeron që Trupi Gjykues duhet të kishte marrë parasysh nëse ndërhyrja e forcave serbe përbënte një veprim të palës së tretë që thyente zinxhirin e shkakësisë, siç u ngrit në apel”, thuhet ndër tjerash në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Mustafës në Supreme.
Ndërsa, në pikën e pestë, Mustafa pretendon se ka shkelje të të drejtave të tij të cilat ia garanton Kushtetuta. Sipas tij, që kur ishte shpallur aktgjykimi i Apelit ndaj tij, drafti i përkthyer në gjuhën e të akuzuarit ishte i disponueshem nga data 12 shkurt 2024.
Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa ka thënë se mungesa e gjykimit në gjuhen e tij në një fazë të hershme cenon të drejtat pasurore dhe kohën për përgatitjen e mbrojtjes së tij. Aty thuhet se kjo situatë u komplikua edhe me shumë nga fakti që vendimi për emërimin e një mbrojtësi të ri të tij ishte anuluar. Sipas tij, kjo ishte konfuze dhe dëmtoi aftësinë e tij për t’u përgatitur siç duhet për mbrojtjen e tij.
Në këtë kërkesë, Mustafa ka pohuar se ka të drejtë të informohet për aktgjykimin ndaj tij në një gjuhë që ai e kupton dhe kjo gjë duhet të bëhet në kohën e duhur e që për rrjedhojë ai pretendon se janë shkelur të drejtat e tij.
Ndryshe, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova ka caktuar gjyqtarin Gilbert Bitti si gjyqtar i vetëm për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit kundër Salih Mustafës për zhdëmtimin e viktimave.
Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.
Ndërsa, prokurorja e specializuar, Kimberly Ëest e quajti ‘fitore për drejtësinë’ vendimin e Apelit ndaj Salih Mustafës.
Kronologjinë e rastit ndaj Salih Mustafës, mund ta lexoni KËTU. Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020. /BetimipërDrejtësi
Anulohen dy seanca në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve












