Mbrojtja s’i ka pranuar të gjitha deklaratat e dëshmitarëve, ndërpritet gjykimi ndaj Sladan Trajkoviq

Për shkak se mbrojtja pretendon se nuk i ka pranuar të gjitha deklaratat e dëshmitarëve, të dhëna edhe në faza të mëhershme, është ndërprerë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Sladan Trajkoviq po akuzohet për krime lufte. Këto pretendime, mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiq, i ka […]
Këto pretendime, mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiq, i ka bërë para se të vazhdohej me dëshimin e dëshmitarit Mehdi Gashi
Fillimisht, lidhur me një deklaratë të dëshmitarit të dhënë në Polici më 12 maj 2021, avokati Vasiq tha se e ka kërkuar edhe më herët, si dhe ka pranuar që e njëjta t’i dorëzohet edhe në gjuhën shqipe, mirëpo tha se nuk e ka pranuar ende.
Avokati Vasiq tha se ka dashur që ta lexojë atë deklaratë, para se t’i parashtrojë pyetje dëshmitarit Mehdi Gashi, duke kërkuar që të sigurohet barazia mes palëve.
Këtë deklaratë, Vasiq mohoi ta ketë pranuar edhe pse prokurorja Florije Salihu-Shamolli tha se ia kishte dorëzuar.
Në lidhje me kërkesat e avoaktit Vasiq, gjykatësi Mentor Bajraktari tha se sipas parashtresës së 17 janarit 2024, ai ka kërkuar disa deklarata të dëshmitarëve që janë dhënë para UNMIK-ut, EULEX-it, KLMDNJ-së dhe Policisë së Kosovës.
Andaj, tha se gjykata sipas detyrës zyrtare do t’iu drejtohet UNMIK-ut dhe EULEX-it lidhur me deklaratat të cilat i ka precizuar avokati në parashtresë.
Po ashtu, gjykatësi Bajraktari obligoi Prokurorin e Shtetit që deklaratat të cilat i posedon, t’ia dorëzojë gjykatës dhe mbrojtjes.
Kështu, gjykatësi Bajraktari tha se meqenëse ka pengesa në raport me dëgjimin e dëshmitarëve sa i përket mbrotjtjes, e që sipas tij gjykata është dashur të kujdeset qysh në fazën fillestare, atëherë shqyrtimi i sotëm ndërpritet kurse seanca e nesërme anulohet.
Kurse sa i përket deklaratës së dëshmitarit Gashi të dhënë më 16 dhjetor 2022 (të cilën avokati thotë se nuk e ka), gjykatësi Bajraktari tha se gjykata konsideron se kjo deklaratë nuk ekziston as në Prokurori e as nuk është që e ka dhënë këtë deklaratë deshmitari.
Për këtë deklaratë, gjyaktësi Bajraktari tha se ka qenë një gabim teknik, për çka ka sqaruar edhe prokurorja, duke shtuar se kjo deklaratë nuk do kërkohet në parashtresë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.
Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi
PDK këkron hetim parlamentar për 153 milionë euro apo 220 kontratat një burimore












