Marrëveshja me Serbinë – Kurti e thotë sërish: Pesë herë ofrova nënshkrimin tim, pesë herë u refuzova

Radio Evropa e Lirë: Kalojmë te çështja e dialogut të nivelit të lartë… Çfarë po ndodh me procesin e dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Ku ka ngecur? Albin Kurti: Ka ngecur te shkeljet që ia bën Serbia marrëveshjes. Së paku tetë nga 11 nenet e marrëveshjes bazike, Serbia i ka shkelur. […]
Radio Evropa e Lirë: Kalojmë te çështja e dialogut të nivelit të lartë… Çfarë po ndodh me procesin e dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Ku ka ngecur?
Albin Kurti: Ka ngecur te shkeljet që ia bën Serbia marrëveshjes. Së paku tetë nga 11 nenet e marrëveshjes bazike, Serbia i ka shkelur. Dhe, kjo ka kulmuar me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, e cila tash do të jetë kryetare e Parlamentit të Serbisë, ku ajo thotë se praktikisht tërhiqen nga marrëveshja bazike dhe nga aneksi i zbatimit [i arritur] në Ohër. Marrëveshja bazike është së paku njohje reciproke, de facto. Ndoshta edhe më shumë, por së paku njohje de facto është.
Dhe, ata u tërhoqën sepse thanë “kurrë s’do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës, kurrë s’do ta pranojmë integritetin territorial të Kosovës dhe as ulësen për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
Ata, praktikisht, u tërhoqën nga marrëveshja pasi që gjatë gjithë vitit e kishin shkelur atë. Problemi që unë kam me ndërmjetësit evropianë dhe amerikanë është se e kanë toleruar shkeljen e marrëveshjes, mosrespektimin e marrëveshjes në vazhdimësi që e ka bërë Beogradi përgjatë muajve, javëve e madje edhe ditëve të vitit 2023, e të cilat kulmuan më 13 dhjetor, në samitin e Këshillit Evropian, ku zonja Bërnabiq tha që ne po tërhiqemi nga kjo marrëveshje.
Pra, nuk mund të kemi zbatim të marrëveshjes pa respektim të saj. Brukseli dhe Uashingtoni vazhdimisht kanë insistuar në zbatim të marrëveshjes, por si të zbatohet një marrëveshje që nuk respektohet?! Ata e shkelin çdo ditë marrëveshjen. Dhe, dy ngjarjet kryesore që i kemi pasur vitin e kaluar është 24 prilli, kur Kosova e kaloi fazën e parë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, e presidenti i Serbisë, Vuçiq, e mbajti një konferencë në të cilën tha se veriu i Kosovës është i okupuar, nuk e pranon marrëveshjen e kështu me radhë, deri te refuzimi të cilin e bëri Bërnabiq në mes të dhjetorit.
Ndërkaq, në terren kemi pasur sulmet paramilitare ndaj personelit të sigurisë, në maj, ku mbi 90 ushtarë të KFOR-it, por edhe policë e gazetarë, u lënduan rëndë e lehtë, dhe vrasja e rreshterit të Kosovës, heroit tonë, Afrim Bunjaku, më 24 shtator. Më 27 shkurt i bëjmë marrëveshjet, më 18 është aneksi i zbatimit. Shihni se çfarë ndodh më vonë.
Radio Evropa e Lirë: Si proces, nga e gjithë kjo që ju na thatë, procesi ka ngecur aty ku ishte apo është duke shkuar më prapa?
Albin Kurti: Unë besoj që ka edhe hapa prapa, sepse në momentin kur shkelet marrëveshja dhe arbitri, ndërmjetësi nuk e dënon këtë shkelje, ajo është hap prapa. Sepse shkelësi i marrëveshjes do ta marrë këtë si një leje për të vazhduar me avazin e vjetër.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mund të gjendet ndonjë alternativë që mund t’i shtyjë përpara të dyja palët që të përparojnë?
Albin Kurti: Të dyjat palët, nuk e di… Unë e di për Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës, kryeministër i së cilës jam unë, plotësisht zotohet për Marrëveshjen bazike, që unë kam ofruar pesë herë ta nënshkruaj në takime të ndryshme. Pesë herë jam refuzuar. Ndërkaq, për palën tjetër, unë besoj që vendosin Brukseli dhe Uashingtoni. A e kanë ndërmend ta sanksionojnë për sulmet terroriste dhe kriminale në Kosovë, në njërën anë, dhe për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes, në anën tjetër?
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te sulmi… Zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar se janë duke i hetuar lidhjet organizative për sulmin që ka ndodhur në Banjskë. A keni ju ndonjë informacion për këtë çështje nga…?
Albin Kurti: Për informacionin që kam unë, si kryeministër, duke iu falënderuar para së gjithash Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ajo çfarë ka qenë e domosdoshme për ta njoftuar publikun, ne këtë e kemi bërë në një konferencë të përbashkët me ministrin Sveçla në fund të vitit të kaluar, atëherë kur, nëse nuk gaboj, ishin bërë tre muaj të sulmit terrorist në Banjskë që na e vrau rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku. Por, Prokuroria e Kosovës, me datën 24 mars, do ta shënojë gjashtëmujorin e mospasjes së një aktakuze ndaj Millan Radioçiqit.
Për bindjen time, ky është problemi, unë nuk mund të ngre aktakuza. Aktakuza duhet t’i ngrejë Prokuroria Speciale e Kosovës, Prokuroria e Shtetit. Më 24 mars bëhen gjashtë muaj që Millan Radoiçiq nuk ka aktakuzë për sulmin terrorist që na e vrau policin e shtetit.
Radio Evropa e Lirë: A do të ishte më mirë, ndoshta, të pritet edhe të mblidhen informacionet dhe pastaj të ngrihet aktakuza?
Albin Kurti: Sa të pritet, për shembull?
Radio Evropa e Lirë: Për një periudhë derisa të mblidhen të gjitha dëshmitë dhe ekspertizat?
Albin Kurti: Po ai e pranoi veten… Ai tha unë e kam bërë. Në Serbi, Millan Radoiçiqi deklaroi se ai e ka bërë edhe organizimin edhe ekzekutimin e sulmit që na e vrau Afrim Bunjakun dhe nuk ka aktakuzë në Kosovë. Çfarë po ndodh?! Ma gjeni një tjetër shtet demokratik, ku vlerësimi, pëlqimi, kredibiliteti i presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit është sa dyfishi i sistemit të drejtësisë. E kundërta mund të jetë, kur gjyqtarët, prokurorët, sistemi i drejtësisë e kanë dyfishin e vlerësimit të krerëve shtetërorë. Por, në Kosovë është e kundërta. Presidentja Osmani, kryeparlamentari Konjufca dhe unë si kryeministër e kemi dyfish më lart vlerësimin se sistemi i drejtësisë.
Radio Evropa e Lirë: Të flasim për çështjen e Deçanit… Zoti kryeministër, a është kryer gjithçka sa u përket tokave rreth Manastirit të Deçanit?
Albin Kurti: Ne jemi njoftuar që nga tri parakushte që thuhej se do të mund të ishin, në fakt ekziston vetëm një. Dhe, kjo ka ndodhur pas një vizite që kanë pasur kryeparlamentari Konjufca me zëvendësministrin e Jashtëm Ahmeti dhe takimeve dhe komunikimeve që i ka zhvilluar zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla. Pra, vetëm një parakusht. Por, kjo përputhet edhe me raportin e juristëve eminentë.
Kjo ka qenë që të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për ata 24 hektarë, që janë në kuadër të zonës së veçantë te Manastiri i Deçanit. Ka pasur tendenca që të ketë edhe parakushte të tjera, por ka vetëm një parakusht. Nga pikëpamja jonë, kjo çështje është mbyllur. Në këtë javë, do të duhej që raportuesja Dora Bakoyanis ta dorëzojë raportin e saj në Komitet, të kalojë në Komitet, në mes të muajit prill të kalojmë edhe tek Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ndërkaq, në fund të muajit maj, edhe të bëhemi anëtarë me të drejta të plota. Dhe unë mendoj se është moment i jashtëzakonshëm historik dhe gjeopolitik. Federata Ruse jashtë, Republika e Kosovës anëtarësohet.
Radio Evropa e Lirë: A keni marrë informacion nga Kadastri që gjithçka është kryer sa i përket kësaj çështjes për ta njoftuar Manastirin që…?
Albin Kurti: Ka pasur mospërputhje teknike, të cilat janë adresuar të gjitha nga Agjencia Kadastrale. Aty janë parcelat me numra, janë emërtimet e veçanta…
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë ende nuk është kryer si…?
Albin Kurti: Shikoni, me sa di unë, është kryer gjithçka. Por, për këto çështje teknike, besoj që do të ju njoftojmë atëherë kur ta kemi një njoftim nga Kadastri. Dhe kjo duhet të përfundojë tani meqenëse Dora Bakoyanis është ajo që duhet ta dorëzojë raportin te Komiteti.
Radio Evropa e Lirë: Po të mos ishte kusht çështja e Deçanit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, a do ta bënit një gjë të tillë?
Albin Kurti: Së pari, unë nuk jam dakord me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Në mendjen time të shëndoshë, arsyen kritike… nuk e kam kuptuar asnjëherë se si bëhet që Manastiri i Deçanit të bëhet palë që adreson çështje në Gjykatë Kushtetuese, por edhe shumë e shumë çështje të tjera. Mirëpo, shikoni, neve na duhet ta bëjmë maksimumin e mirë e të mbarë me një trashëgimi të keqe e të mbrapshtë, që nuk është aspak minimale. Dhe, këtë po e bëjmë.
Radio Evropa e Lirë: Pra, po të mos ishte çështja e Këshillit, nuk do ta bënit një gjë të tillë?
Albin Kurti: Nuk do të mund ta konsideronim me një urgjencë të këtillë. E kemi rastin unik që në këtë pranverë të kemi ulëse pranë shteteve të tjera anëtare të
Këshillit të Evropës, sepse të gjithë treguesit e organizatave prestigjioze për vlerat themelore të Këshillit të Evropës, ne i plotësojmë në mënyrë të plotë – domethënë, edhe sundimin e ligjit, edhe të drejtat e njeriut edhe demokracinë. Ka plotësime të pjesshme, por që nuk janë plotësime edhe të shteteve anëtare. Ndërkohë që Kosova e cila aspiron, i plotëson në mënyrë të tërësishme. Andaj besoj që e meriton këtë. Por, në kontekstin aktual, gjeopolitik, rasti unik është në këtë pranverë. Nëse nuk e fitojmë këtë rast, atëherë gjithçka shtyhet për një vit.












