Kultivohej kanabis sativa, i akuzuari thotë që s’e dinte se kishte diçka të dyshmtë në mullirin e tij

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Milazim Voci tha se nuk kishte parë diçka të dyshimtë në mullirin e tij “Voci 1”, në fshatin Shirokë, sepse në të kundërtën do ta lajmëronte vetë Policinë. Mullirin në fjalë, i akuzuari Voci e ka pasur në pronësi dhe në të pretendohet […]
Mullirin në fjalë, i akuzuari Voci e ka pasur në pronësi dhe në të pretendohet të jetë rregulluar laboratori për kultivimin e bimëve narkotike.
Në këtë rast po akuzohen, Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci, lidhur me kultivimin e 2059 bimëve të llojit kanabis sativa, si dhe 32 kilogramëve substanca tjera të narkotikëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Voci tha se në ditën e arrestimit nga Njësia Speciale, ishte dërguar në katin e shtatë në Mulli, ku sipas tij, aty e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte, pasi sipas tij atë ia kishte lëshuar me qira Aleksandër Nastefskit.
“Unë nuk e kam ditë se nëse dikujt kur ia jep me qira duhet me shku me e kontrollu, vetë jam me qira dhe asnjherë qiraxhija nuk ka ardhë tek une, s’kam shku mrena në mulli, as në katin e shtatë me kontrollu”, tha i akuzuari Voci.
Më pas, i akuzuari Voci tha se do ta shfrytëzojë të drejtën e tij ligjore të mbrohet në heshtje.
Prokurori special, Burim Çerkini, tha se konsiderojnë që nuk ka mundësi që i akuzuari të përgjigjet vetëm në pyetjet e avokatit dhe jo të prokurorit.
Sipas Çerkinit, nëse vazhdohet ashtu siç u deklarua më lartë i akuzuari Voci, propozon që të gjitha pyetjet e bëra nga avokati i Vocit, Leutrim Himaj, të fshihen nga procesverbali.
Në anën tjetër, avokati tha se i mbrojtur i tij ka të drejtë të hesht në çdo fazë penale.
“I mbrojturi im ka të drejtën të hesht në çdo fazë penale, çdo moment kur i pendehuri konsideron se mund të hesht, ai mund të hesht“, tha Himaj.
Pas kësaj, propozimin e prokurorit special Çerkini, e refuzoi trupi gjykues.
Në këtë seancë, prokurori dhe mbrojtësi i Vocit propozuan që të dëgjohet personi që thuhet se e kishte me qira mullirin “Voci 1”, Aleksandër Nastefski, por u refuzua nga trupi gjykues, me arsyetimin se është nën hetime dhe se një vendim i tillë duhet të merret me vendime juridike ndërkombëtare, e që bie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.
Më pas, meqenëse prokurori Çerkini, avokati Himaj dhe mbrojtësi i të Fethi Uygur, avokati Fitim Shporta, nuk ishin të përgatitur për fjalën përfundimtare, seanca e sotme u ndërpre.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci të cilët akuzohen për krim të organizuar, me pretendimin se që nga koha e pacaktuar e deri më 16 shkurt 2022, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e Fethi Uygur, kanë kultivuar hashash në laboratorin brenda objektit Mulliri “Voci 1”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë.
Prokuroria ngarkon 7 të akuzuarit me veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me “Blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.












