DASH-i sanksionon dy zyrtarë nga Maqedonia e Veriut

Departamenti Amerikan i Shtetit tha të hënën se ka sanksionuar ish kryeprokuroren e Posaçme të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva dhe kryetarin aktual të komunës së Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski. Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se “veprimet e tyre dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet […]
Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se “veprimet e tyre dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse”.
Në njoftim thuhet se ish kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, ndërsa ishte në detyrë, ishte e përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar ndikimin e saj politik dhe pushtetin zyrtar për përfitime personale.
“Ka informacione të besueshme që zonja Janeva ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, thuhet në njoftim.
Ndërsa kryetari i komunës së Karposhit, zoti Jakimovski, thuhet më tej, ishte përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar postin e tij zyrtar për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit. për të përfituar për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Sanksionet, thuhet në njoftim, dëshmojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të përdorë të gjithë autoritetin për të nxitur llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe në botë.
Të sanksionuarve dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Në qershor të vitit 2020 ish kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut Katica Janeva u dënua me 7 vjet heqje lirie për “shpërdorim të detyrës”.
Zyrtari amerikan vjen në Kosovë, do të takohet veç me Presidenten Osmani












