Clark: Shkëputja e Kosovës u diktua nga veprimet serbe, tani dy vendet të gjejnë rrugën për të ecur përpara

25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark thotë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe. Gjenerali Clark thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës me rastin […]
Gjenerali Clark thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës me rastin e këtij përvjetori, se sot është e padrejtë që ka më shumë trysni ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë, por thekson se dy vendet duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar.
Ai thotë se shumë nga qëndrimet e Perëndimit janë të përcaktuara nga ajo që po ndodh mijëra kilometra larg, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Mendoj se trysnia ndaj Kosovës nisi gjatë administratës së Presidentit Trump, ku të dërguarit e Shteteve të Bashkuara në Ballkan donin të shënonin një sukses diplomatik. Dhe pikërisht aty nisi trysnia. Tani, me luftën (në Ukrainë), sigurisht që është normale dhe e natyrshme që Perëndimi kërkon ta shohë të zgjidhur këtë çështje, ta shohë Serbinë plotësisht në kampin e Perëndimit dhe të lidhur me Bashkimin Evropian në mënyrën më pozitive të mundshme. Por pikërisht për shkak të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës kjo ka pak gjasë që të ndodhë. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë janë të lidhura me atë që ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe këto probleme pasqyrojnë tensionet më të mëdha gjeopolitike në rajon“, ka thënë ai.












