‘Godite topin përpara Albin, jo prapa’: Të gjitha reagimet rreth seancës së KS të OKB-së që duhet t’i dini

‘Godite topin përpara Albin, jo prapa’: Të gjitha reagimet rreth seancës së KS të OKB-së që duhet t’i dini

Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, e thirrur nga Serbia pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për ‘paratë e gatshme’ në Kosovë, ka ngjallur shumë reagime. Kryeministri Albin Kurti përfaqësoi Republikën e Kosovës në këtë mbledhje, por cilat janë reagimet dhe opinionet lidhur me këtë seancë? […]

Kryeministri Albin Kurti përfaqësoi Republikën e Kosovës në këtë mbledhje, por cilat janë reagimet dhe opinionet lidhur me këtë seancë?

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington znj.Vlora Çitaku, e quan ‘autogol diplomatik’ për Kosovën këtë seancë të KS të OKB-së.

“Në vend që fokusi diplomatik i Kosovës të jetë drejt krijimit të një peisazhi të ri dhe pozitiv politik pas sulmit terrorist në Banjskë, me mungesën elementare të koordinimit me aleatët kryesorë të Kosovës (të cilët na sigurojnë armatim dhe financim), po sillemi si armiq të përbetuar, duke i fshehur në mënyrë paranojake veprimet tona.

Dinari përbën më pak se 2% të ekonomisë kosovare. Si simbol i Serbisë dhe institucioneve paralele duhet të hiqet, dhe askush nuk po e kundërshton Kurtin në këtë çështje – as opozita dhe as Ambasadat, por nevoja e tij për kriza, për kundërshtim ndaj aleatëve, për tendosje të situatës, po tregohet më e madhe se interesi nacional i Kosovës.

Është turp që çështja e dinarit, por edhe të gjitha debatet tjera, në vend që të diskutohen në mes të Kosovës dhe Uashingtonit, tash po diskutohen në Këshillin e Sigurimit të OKB, ku edhe Rusia pyetet. Autogol diplomatik! Shfaqje e keqe teatrale nga Kurti! Mjerim politik!”, shkruana jo, përcjell Periskopi.

Në një reagim të mëvonshëm, Çitaku shkruan se në KS të OKB-së, ‘ka rëndësi fjala e shteteve aleate’.

“Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mështesin aleatët.

Dëgjojeni fjalimin e Ambasadores së SHBA-ve. Dhe aleatëve tanë.

Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë.

Sa më pak që të flitet në KSOKB për ne, aq më mire”, shkruan ajo, përcjell Periskopi.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit të OKB’së mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën.

Hoti ka thënë se mbrëmë ishte hera e parë që aleatët kryesorë kritikuan Kosovën në një diskutim të Këshillit të Sigurimit dhe se u dëshmua se mungesa e bashkërendimit të veprimeve me ta, ka pasoja për vendin.

“Kjo qaje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, ka shkruar Hoti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si “seancë të pakuptimtë”, mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, duke thënë se ai nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën.

Sipas Ramës, për këto çështje duhet të gjendet zgjidhje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ishte një seancë e pakuptimtë. Këshilli i Sigurimit të OKB’së qartazi nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet të përqëndërohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE’së dhe të fokusohen në arritjen e një marrëvshje për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera nga të cilat përfitojnë qytetarët e zakonshëm në përditshmëri, duke siguruar një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Rama në rrjetin social “X”.

“Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka shkruar tutje Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po bën veprime të panevojshme provokuese, thotë Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetoën dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës. Nëse kthehemi në vitin 1999 dhe menjëherë pas vitit 2008, Serbia është parë si problem, Serbia është parë si vend që e vështirësonte jetën, duke nxitur telashe në veri të Kosovës dhe duke refuzuar të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Kupchan në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, të dy udhëheqësit – Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – kanë mbetur te mosmarrëveshjet e së kaluarës, në vend se të fokusohen tek e ardhmja.

Profesori amerikan i John Hopkins University, Edëard Jospeh, në një shkrim të gjatë në profilin e tij në “X” ka shkruar për seancën e thirru nga Serbia në Këshill të Sigurimit. Jospeh ka qenë kritik ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se falë një veprimi tjetër të pakoordinuar po detyrohet që shkojë në Këshill të Sigurimit, në vend që presioni ndërkombëtar të fokusohet tek Beogradi dhe tek votimi i ndodhur në Parlamentin Evropian për zgjedhjet serbe që supozohet të jenë plotë mashtrime.

 “Shkurt, tregojini të gjithëve ndryshimin midis mënyrës se si një demokraci i trajton qytetarët e saj pakicë – dhe një autokracie të dëshpëruar për t’u kapur pas pushtetit. Godite topin përpara, Albin, jo prapa”, përfundon Edward Joseph.

Kosova dhe Serbia s’lëvizin nga qëndrimet për dinarin

Në mbledhjen në OKB, të thirrur nga Serbia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa – duke ndaluar përdorimin e dinarit. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.

Kurti tha se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme, që hyri në fuqi më 1 shkurt, nuk ndalon dinarin serb, por bën që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.

Ai tha se ky vendim, po ashtu, nuk ndalon Qeverinë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.

“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.

Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

Gjatë përballjes së parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në OKB, udhëheqësi serb tha se vendimi i BQK-së është në vazhdën e disa masave të ndërmarra nga Kosova, për, siç u shpreh, sulmuar popullatën serbe në Kosovë.

“Qëllimi përfundimtar i të cilave [masave] është që në fund të krijojnë kushte të padurueshme jetese dhe të dëbojnë serbët nga territori [i Kosovës]”, tha Vuçiq.

Kurti tha se BQK-ja i ka dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë, duke i propozuar një marrëveshje. Kryeministri kosovar insistoi se vendimi për dinarin nuk synon të dëmtojë asnjë grup të qytetarëve, por sipas tij, ai mbron të gjithë qytetarët e çdo etnie nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve dhe pastrimi i parave.

Sipas Kurtit, qytetarët në veri të Kosovës, përditë po kërcënohen nga grupet kriminale që pranojnë para të kontrabanduara kryesisht nga kufiri me Serbinë.

“Qytetarët tanë serbë përballen me frikësim nga grupet kriminale që diktojnë veprimet e tyre nga protestat deri te votimi. Mosbindja rezulton në dhunë, djegie të veturave apo kërcënime të anëtarëve të tyre të familjes. Kjo duhet të ndalojë. Beogradi nuk duhet të lejohet që pafundësisht të financojë këta kriminelë dhe terroristë në Kosovë me dërgesa të padeklaruara të parave, që qarkullojnë lirshëm dhe në mënyrë të paligjshme për në shtetin tonë. Ky është burimi i histerisë së Beogradit për këtë rregullore bankare”, tha Kurti.

Presidenti serb tha se me ndalimin e dinarit në Kosovë, pamundësohet funksionimi i institucioneve kyçe për serbët në Kosovë.

“Me vendimin për ndalimin e transaksioneve të pagesës me dinarë, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson çdo funksionim të të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të institucioneve tjera që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre dispozitat themelore për të pasur arsim, për të marrë trajtim mjekësor, për të blerë medikamente”, tha Vuçiq.

Si Vuçiq, ashtu edhe përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës – shtete aleate të Serbisë – akuzuan Kosovën se me vendimin e dinarit, por edhe vendime të tjera, sikurse mbyllja e komunave që funksionojnë sipas sistemit serb, po kryejnë “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë.

Rusia, madje, tha se mund të ketë shpërthim të një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor, përderisa tërhoqi paralele mes situatës së palestinezëve në Gazë dhe serbëve në Kosovë.

“Ideja se Kosova po kryen një fushatë spastrimi etnik apo përndjekje kundër komunitetit serb, është një gënjeshtër”, iu përgjigj Kurti ndaj këtyre akuzave.

Gjatë mbledhjes, shtete të ndryshme, sikurse Franca, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia si dhe Shtetet e Bashkuara, u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, përsëriti kërkesën e shtetit të saj që Kosova të pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Edhe zyrtarë të tjerë amerikanë më herët kanë shprehur shqetësime për rregulloren e BQK-së, me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, që ka paralajmëruar se nëse Prishtina nuk dëgjon kërkesën e Uashingtonit, kjo mund të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit mes dy shteteve.

Ambasadorja Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”, tha ajo.

Ambasadorja amerikane u ndal edhe te sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Thomas-Greenfield qortoi Serbinë se ende nuk ka mbajtur përgjegjës personat e përfshirë në sulm, përfshirë edhe Millan Radoiqin, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin [e sulmit në Banjskë]. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha Thomas-Greenfield.

Sa i përket Banjskës, Vuçiq tha se Serbia ka nisur procedurat hetimore dhe se do të ketë aktakuza ndaj personave përgjegjës.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, të cilin e konsideron terrorist, dhe ka kërkuar edhe që Serbia të ekstradojë në Kosovë Radoiçiqin, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në kohën e sulmit, por që njoftoi dorëheqjen nga kjo parti në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?