Avokati i Sanduloviqit, që bëri homazhe në Prekaz, thotë se sërish u ndalua për 4 orë me urdhër të BIA-s

Avokati serb Çedomir Stojkoviq, i cili kishte bërë homazhe në Prekaz muajin e kaluar, ka njoftuar se është ndaluar sot me urdhër të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA) në Horgosh. Stojkoviq në platformën “X” ka thënë se është mbajtur në këtë pikë kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë për katër orë. “Pas 4-orësh ndalimi, se […]
Stojkoviq në platformën “X” ka thënë se është mbajtur në këtë pikë kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë për katër orë.
“Pas 4-orësh ndalimi, se ashtu e kishte urdhëruar BIA, më lejuan të shkoj. Megjithatë, në pika kufitare punojnë njerëz të mrekullueshëm dhe profesionistë të shkëlqyer. Prandaj 4 orë kaluan në një atmosferë të këndshme të një mbledhjeje vërtetë të lumtur kombëtare”, ka shkruar Stojkoviq. “Nga ana tjetër tradhtarët (sepse maltretimi i paligjshëm i qytetarëve të vetë është tradhti) dhe kriminelët në BIA (sepse shpërdorimi i detyrës zyrtare është krim) mbeten në zyrat e tyre toksike, të rrethuar nga e keqja e tyre, e unë jam tash në Bashkim Evropian, në ajër të pastër, me një buzëqeshje të gjerë që do t’ua sjelli herën tjetër – por në godinën e BIA-s. Me dhurata tjera po ashtu. Sepse trashëgimtarët e çlirimtarëve nuk do të përkulen para kriminelëve nga Banjica. Jo sot, jo nesër. Kurrë”, ka shkruar Stojkoviq.
Stojkoviq më 18 janar të këtij viti kishte bërë homazhe te varrezat e Jasharëve në Prekaz, ndërsa kishte vendosur lule të varri i Blerina Jasharit.
Nuk është hera e parë që Stojkoviq është ndaluar që nga homazhet në Prekaz.
Në ndalimin e të martës ai ka thënë se u arrestua për arsye se “vendosi lule mbi varrin e një vajze shqiptare më 18 janar, 2024 në Prekaz, pasi përfaqëson Nikola Sanduloviqn”, e BIA shkaku i këtyre nuk e lejon të lëvizë lirshëm.












