Zyrtari i NATO-s në Serbi: Stabiliteti në Kosovë, thelbësor për sigurinë rajonale

Giampiero Romano, gjenerali italian dhe kreu i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Serbi, në një intervistë për qendrën hulumtuese dhe botuese “Demostat” në Beograd, ka thënë se qëndrueshmëria në Kosovë është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht pas ngjarjeve të vitit 2023 në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe. […]
Giampiero Romano, gjenerali italian dhe kreu i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Serbi, në një intervistë për qendrën hulumtuese dhe botuese “Demostat” në Beograd, ka thënë se qëndrueshmëria në Kosovë është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht pas ngjarjeve të vitit 2023 në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.
Romano ka garantuar se NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), duke e cilësuar si mënyrën e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike dhe rrjedhimisht, stabilitetin e një rajoni të ngjeshur nga tensionet etnike.
“Një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin në rajon dhe për sigurinë. Për më shumë se dy dekada, paqja dhe stabiliteti në Kosovë kanë qenë prioritet për NATO-n. Mandati i Kombeve të Bashkuara (OKB) për misionin paqeruajtës të KFOR-it, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999, mbetet i pandryshuar”, ka theksuar ai.
Duke komentuar mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë, gjenerali italian e ka vlerësuar si “çështje serioze” mundësinë e ripërtëritjes së konfliktit në rajon, ndërsa ka shtuar se NATO-ja do të vazhdojë të zhvillojë më tej bashkëpunimin strategjik me partnerët dhe aleatët rajonalë.
NATO-ja ka shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë. Rreth 1000 ushtarë në kaudër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend vetëm javët e fundit – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vite – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe cenimit të paqes dhe sigurisë në rajon.












