Izraeli mbrohet në GJND kundër akuzave për gjenocid ndaj palestinezëve

Izraeli mbrohet në GJND kundër akuzave për gjenocid ndaj palestinezëve

I akuzuar për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve, Izraeli mbrojti luftën e tij në Gazë në paraqitjen para gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara të premten, një ditë pasi kryeministri Benjamin Netanyahu i hodhi poshtë akuzat për gjenocid. Izraeli, i cili u themelua pas Holokaustit, ka mohuar fuqimisht akuzat e ngritura nga Afrika […]

I akuzuar për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve, Izraeli mbrojti luftën e tij në Gazë në paraqitjen para gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara të premten, një ditë pasi kryeministri Benjamin Netanyahu i hodhi poshtë akuzat për gjenocid.

Izraeli, i cili u themelua pas Holokaustit, ka mohuar fuqimisht akuzat e ngritura nga Afrika e Jugut në një nga rastet më të mëdha që janë paraqitur ndonjëherë përpara një gjykate ndërkombëtare. Rasti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe ka shkaktuar protesta para gjykatës, nga të dyja palët.

Avokatët e Afrikës së Jugut i kërkuan gjykatës të enjten të urdhërojë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake izraelite në territorin rrethuar, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Një vendim për këtë kërkesë ndoshta do të marrë javë, megjithëse çështja e plotë ka të ngjarë të zgjasë disa vjet.

“Ne jetojmë në një kohë kur fjalët janë të lira, në një epokë të mediave sociale dhe politikave të identitetit. Përpjekja për të kërkuar termin më të egër dhe për të fyer është bërë, për shumë, e papërmbajtshme”, tha këshilltari ligjor izraelit, Tal Becker në sallën e mbushur të gjykatës botërore në Hagë.

Ai shtoi se Afrika e Jugut “ka paraqitur para gjykatës një pamje thellësisht të shtrembëruar. Tërësia e çështjes së saj varet nga një përshkrim i dekontekstualizuar dhe manipulues i realitetit të armiqësive aktuale”.

Në deklaratën e tij hyrëse të premten në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Becker kërkoi pushimin e çështjes, duke e quajtur atë “një shpifje”.

Ai i tha gjykatës se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, filloi dhunën me sulmin e tij të befasishëm të 7 tetorit në Izrael, në të cilin u vranë më shumë se 1.200 njerëz, ndërsa në gjykatë shfaqi pamjet e njerëzve të vrarë.

Ai i tregoi gjykatës, gjithashtu, videon e zyrtarit të Hamasit, Ghazi Hamad, i cili zotohej të vazhdonte sulmet me qëllim të asgjësimit të Izraelit.

“Nëse ekziston një kërcënim për civilët palestinezë të Gazës, ai rrjedh kryesisht nga fakti se ata kanë jetuar nën kontrollin e një organizate terroriste gjenocidale që ka shpërfillje totale për jetën dhe mirëqenien e tyre”, tha Becker.

Në ditën e dytë të seancës dëgjimore në Hagë, Izraeli argumentoi se ofensiva e tij në Gazë është vetëmbrojtje legjitime dhe jo gjenocid.

Avokati Malcolm Shaw mbrojti Izraelin nga akuza për gjenocid duke thënë se ofensiva e ashpër e Izraelit në Gaza ishte një përdorim legjitim i forcës së armatosur për vetëmbrojtje.

Shaw, i dyti nga gjashtë anëtarët e ekipit ligjor izraelit që foli, tha se numri i lartë i vdekjeve nuk përbën gjenocid.

Ai tha se “gjenocidi i vërtetë” ndodhi kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz.

Izraeli shpesh bojkoton gjykatat ndërkombëtare dhe hetimet e OKB-së, duke thënë se ato janë të padrejta dhe të njëanshme. Por, për të treguar se sa seriozisht e konsiderojnë rastin, udhëheqësit izraelitë kanë ndërmarrë hapin e rrallë të dërgimit të një ekipi ligjor të nivelit të lartë.

Në qendër të këtij rasti janë veprimet e Izraelit në Gaza, ku filloi një sulm masiv ajror dhe tokësor pasi militantët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë. Ata gjithashtu rrëmbyen rreth 250 persona, më shumë se gjysma prej të cilëve ende mbahen peng.

Më shumë se 23.000 njerëz në Gaza janë vrarë gjatë luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Gati 85 për qind e banorëve të Gazës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, një e katërta e banorëve të territorit përballen me urinë dhe pjesa më e madhe e Gazës veriore është kthyer në gërmadha.

Afrika e Jugut thotë se kjo përbën gjenocid dhe është pjesë shtypjes izraelite, me dekada, ndaj palestinezëve.

“Shkalla e shkatërrimit në Gaza, shënjestrimi i shtëpive familjare dhe civilëve, lufta si luftë kundër fëmijëve – të gjitha e bëjnë të qartë se qëllimi gjenocidal është kuptuar dhe është vënë në praktikë. Synimi i artikuluar është shkatërrimi i jetës palestineze”, tha avokatja Tembeka Ngcukaitobi në deklaratat e hapjes të enjten.

Netanyahu i hodhi poshtë këto argumente.

“Kjo është një botë e përmbysur – shteti i Izraelit akuzohet për gjenocid ndërsa po lufton gjenocidin”, tha kryeministri të enjten në një deklaratë me video. “Hipokrizia e Afrikës së Jugut arrin deri në qiell”, shtoi ai.

Izraeli thotë se po vepron në vetëmbrojtje legjitime.

Marrëveshjet ndërkombëtare ende i detyrojnë vendet me rregullat e luftës, edhe në rastet kur i përgjigjen një sulmi, sado serioz të jetë. Gjykata duhet të vendosë nëse operacionet e Izraelit kanë mbetur vërtet brenda këtyre kufizimeve.

Edhe pse gjetjet e gjykatës konsiderohen të detyrueshme, ishte e paqartë nëse Izraeli do të merrte parasysh ndonjë urdhër për të ndalur luftimet. Nëse nuk e bën këtë, mund të përballet me sanksione të OKB-së, megjithëse ato mund të bllokohen nga një veto e Shteteve të Bashkuara – aleati i vendosur i Izraelit.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë se si mund të përgjigjet nëse gjykata vendos se Izraeli ka kryer gjenocid. Por zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, i quajti akuzat “të pabaza”./REL/

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?