Alekasandër Vuçiq flet për paqe, por Serbia po investon miliarda dollarë në armatim

Vazhdimisht dëgjojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dëshiron paqe. Por, në një hulumtim të një emisioni në mediat serbe, “Dozvolite”, të dhënat tregojnë se që nga viti 2014 Serbia ka investuar miliarda dollarë për të armatosur ushtrinë e saj. Për kënd gjithë ky armatim? Nga viti 2014 deri në fund të vitit 2023, Forcat […]
Nga viti 2014 deri në fund të vitit 2023, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë investuar 2.87 miliardë dollarë në pajisje dhe armatime ushtarake.
Kjo shifër përfshin vlerën e avionëve MiG-29, tankeve T-72B1MS dhe mjeteve të blinduara BRDM-2MS, të cilat i janë dhuruar Serbisë nga Rusia.
Fundjavën e kaluar, presidenti serb Vuçiq, gjatë një vizite në Qendrën Operative të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake në Beograd, tha se Serbia do të blejë tetë automjete të blinduara “Nora” në përgjigje të blerjes së raketave antitank “Javelin” nga Kosova.
“Ne kemi 186 milionë euro në llogarinë tonë dhe menjëherë do t’i shpenzojmë për blerjen e tetë mjeteve ushtarake “Nora” dhe do t’i blejmë menjëherë”, tha Vuçiq.
Ai po ashtu bëri të ditur se Serbia këtë vit do të shpenzojë afër 740 milionë euro për blerjen e pajisjeve tjera ushtarake.
Prandaj, trendi i rritjes së investimeve në armatim dhe pajisje ushtarake duket se po vazhdon edhe në fillim të këtij viti, shkruan gazeta serbe Danas.
Kryetari i Këshillit Atlantik, Vladan Zhivuloviq, beson se ky investim në pajisje dhe armatime ushtarake është më shumë populist sesa praktik.
“Ne nuk kemi një strategji armësh që funksionon fare në kuptimin operacional, ne blejmë helikopterë të përdorur nga Qipro dhe nuk kemi pilotë, kështu që kjo lloj armatosjeje më shumë më duket stihike. Të krijohet përshtypja se është më shumë taktikë populiste sesa praktike”, thotë Zhivulovic.
Ai thotë se problem është edhe fakti se Serbia merr armë dhe pajisje ushtarake nga vende të ndryshme, të cilat shpeshherë janë në kundërshti, pra edhe në lindje dhe në perëndim.
“Kam dëgjuar vërejtje nga atashetë ushtarakë të huaj se ne marrim shumë armë të ndryshme dhe se kjo krijon një problem, për shembull ne blejmë helikopterë nga Franca dhe raketa nga Kina”, thotë Zhivulovic.
Siç shton ai, armatimi duhet të shërbejë si mbrotje, sepse një ushtri e fortë është mjet për të penguar çdo agresion.
“Në këtë skenar, ku jemi të rrethuar nga NATO, nuk besoj se do të kishin ndonjë shans nëse do të hynim në konflikt”, beson Zhivulovic.
Duke komentuar një konflikt hipotetik në Kosovë ose, për shembull, në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të retorikws së Milorad Dodik’ut mbi historinë e pavarësisë së Republikës Srpska, ai thotë se në atë rast NATO do të “përfshihej lehtë”, edhe pse Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk janë anëtarë të aleancës.
“NATO është prezente në Kosovë dhe pjesërisht e pranishme në Bosnje dhe Hercegovinë përmes forcave të EULEX-it. Sulmi ndaj ushtarëve të tyre do të thotë se ata duhet të mbrohen, kështu që në atë situatë NATO-ja sigurisht që do të aktivizohej deri në një masë”, shpjegon Zhivulovic.
Nikola Luniç, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Politika Strategjike, thotë për Danas se armatosja e Serbisë nuk është as sekret dhe as rrezik për vendet e NATO-s, por se Serbia po rezulton të jetë një partner jo i besueshëm, lëvizjet e njëanshme të së cilës mund të çojnë në destabilizimin e rajonit.
“Interesi kombëtar i Serbisë është krijimi i aleancave afatgjata dhe partneriteteve të parashikueshme, gjë që nuk funksionon për momentin”, thotë Luniç.
Siç shton ai, ndarja e parave në vlerë prej gati tre miliardë dollarësh për ushtrinë serbe, për periudhën nga viti 2014 deri në fund të vitit 2023, do të ishte krejt normale nëse Serbia do të ishte në rrezik imediat të luftës.
“Megjithatë, problemi është se Strategjia aktuale e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjia e Mbrojtjes nuk i ofrojnë publikut asnjë tregues të kërcënimeve konkrete të sigurisë dhe në këtë mënyrë vë në pikëpyetje politikën e mbrojtjes dhe kostot enorme për prokurimet në fushën e mbrojtjes”, thotë Luniq. .
Ai beson se Serbia mund të armatoset edhe më shumë nëse synon të zbatojë vazhdimisht konceptin e mbrojtjes totale mbi të cilën bazohet neutraliteti i saj ushtarak.
“Por për një vend si Serbia, neutraliteti ushtarak është absolutisht i paqëndrueshëm pa neutralitetin e politikës së jashtme, pa traditë të rrënjosur dhe pa njohje ndërkombëtare të një statusi të tillë”, thotë Luniç.
Ai shton se Serbia ka mbetur në një lloj harrese mes neutralitetit virtual ushtarak dhe zgjedhjes politike të integrimit evropian.
“Në një gjendje të tillë, çdo armatim jo sistematik, jo transparent dhe anakronik është thjesht bredhje në iluzionet e luftërave të kaluara dhe përgatitjeve për disfata të reja”, beson Luniç.












