Zemërimi me Lajçakun: A po ia mbyll Kurti dyert emisarit evropian?

Zemërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve me Serbinë është “plotësisht i arsyeshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike. Nga këndvështrimi i Kurtit, thotë ai, “duket sikur Kosovës i kërkohet t’i respektojë me ngulm marrëveshjet e […]
Zemërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve me Serbinë është “plotësisht i arsyeshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
Nga këndvështrimi i Kurtit, thotë ai, “duket sikur Kosovës i kërkohet t’i respektojë me ngulm marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja”, ndërsa Serbia, e cila “nuk është zotuar për nënshkrimin dhe ratifikimin e ndonjë marrëveshjeje të tillë, mund të zgjedhë çfarë të zbatojë”.
Duke folur të hënën në një konferencë me gazetarët në Prishtinë, Kurti tha se i dërguari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u pozicionua kundër Kosovës në takimin mes palëve, që u zhvillua javën e kaluar.
Në atë takim, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u pajtuan për hapat që duhet t’i ndërmarrin për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve – e arritur në Bruksel në muajin shkurt.
Zyrtarët evropianë – ndërmjetësues të dialogut – thanë se ishte Kurti ai që e refuzoi propozimin e tyre për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.
“Ose do ta zbatojmë Marrëveshjen bazike në tërësi e plotëni të saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i dëshiron Serbia”, tha të hënën Kurti.
“Ditëve në vijim, me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a po i mbyll kryeministri Kurti dyert e komunikimit me Lajçakun.
Deri në publikimin e këtij artikulli, as Bashkimi Evropian nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës.
Zemërimi me Lajçakun, i kamotshëm
Hartwell thotë se “është e rëndësishme të sqarohet se Kurti nuk po ia mbyll derën BE-së si institucioni kryesor lehtësues” i bisedimeve.
“Zemërimi i tij përqendrohet kryesisht në performancën e Josep Borrellit dhe të Mirosllav Lajçakut – dy zyrtarëve më të shquar evropianë, të ngarkuar me ndërmjetësimin e dialogut Beograd-Prishtinë. Përveç trajtimit pa kujdes të dialogut dhe qasjes së tyre të pabarabartë, vlen të theksohet se Borrell dhe Lajçak vijnë nga Spanja dhe Sllovakia, dy vende që nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës”, thotë Hartwell.
Për Afrim Hotin, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, mosbesimi ndaj Lajçakut daton nga koha kur ai ishte ministër i Punëve të jashtme të Sllovakisë – njëherë në periudhën 2009-2010, pastaj më 2012-2020.
Nga ai post, kujton Hoti, Lajçak ka votuar kundër Kosovës në procesin e pranimit të saj në organizata ndërkombëtare.
“Kjo që kryeministri kosovar po e vë tashmë në shesh, praktikisht është ditur shumë më herët, vetëm se tashmë po thuhet me terma shumë të qartë. Nisur nga fakti që zoti Lajçak e ka mbështetjen e të gjitha qendrave kryesore të Bashkimit Evropian, por edhe atyre dytësore – pra, të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, përfshirë këtu edhe mbështetjen e fuqishme nga SHBA-ja, kujtoj se situata po bëhet vërtet e komplikuar”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.












