Top 3 mesazhet e Osmanit nga intervista e mbrëmshme që nuk duhet t’i humbisni

Presidentja e Kosovës, znj.Vjosa Osmani në një intervistë dhënë mbrëmë RTK-së, për herë të parë deklaroi se drafti i Asociacionit duhet të përgatitet nga Kosova dhe ai draft ‘fillimisht të diskutohet vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’. Periskopi sjell më poshtë tri deklaratat më të rëndësishme të Presidentes, dhënë për RTK-në dhe atë lidhur […]
Presidentja e Kosovës, znj.Vjosa Osmani në një intervistë dhënë mbrëmë RTK-së, për herë të parë deklaroi se drafti i Asociacionit duhet të përgatitet nga Kosova dhe ai draft ‘fillimisht të diskutohet vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.
Periskopi sjell më poshtë tri deklaratat më të rëndësishme të Presidentes, dhënë për RTK-në dhe atë lidhur me Asociacionin, Marrëveshjen e Brukselit (sic. Bazike dhe Aneksi i Ohrit) si dhe mundësinë e përjashtimit të Listës Serbe nga KQZ-ja.
1. Osmani: Marrëveshja Bazike, nuk është perfektë – kam dyshimet e mia
“Marrëveshje ka. Ajo nuk është perfekte për Kosovën, ende ka gjëra që kam dyshimet e mia se si të zbatohet në praktikë. Natyrisht neni 7 dhe neni 10”, tha Presidentja Osmani në RTK, përcjell Periskopi.
2. Osmani: Drafti i Asociacionit të përgatitet fillimisht vetëm me SHBA-në
Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.
3.Përjashtimi i Listës Serbe: Osmani thotë se do ‘t’i shohin mundësitë ligjore’
“Është për keqardhje që Lista Serbe në vend se të luftonte për të drejtat e komunitetit serb, në përputhje me standardet e mishëruara në Kushtetutën tonë, është shndërruar në një mjet të Vuciqit për të luftuar paqen dhe sigurinë në rajon që më së paku i shkon për shtati komunitetit serb në Kosovë.
Janë grupet e njëjta kriminale që akuzohen që kanë vrarë politikanin Ivanoviq edhe kanë kryer sulme deri në kidnapime ndaj serbëve të veriut, kanë sulmuar KFOR-in dhe gazetarët në maj dhe qershor dhe tani janë ata që sulmuan Policinë e Kosovës.
Në vend se të distancohej Lista Serbe nga sulme të tilla, janë pjesë e sulmeve të tilla.
Do të bëjmë të gjitha analizat ligjore, për t’i diskutuar të gjitha këto çështje dhe gjithçka që parashihet me ligj do të jenë masa që do të ndërmerren”, tha ajo.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 marrëveshjen për parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore.
Për jetësimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të formojë Asociacionin, që është edhe kërkesa kryesore e Beogradit.
Qeveria e Kosovës druan se një asociacion njëetnik do të mund të cenonte funksionalitetin e shtetit. Por, SHBA-ja insiston se nuk do të lejojë që Asociacioni t’i ngjasojë entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.
BE-ja dhe SHBA-ja po ashtu kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë menjëherë Marrëveshjen drejt normalizimit.
Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut./Periskopi












