Përkrahje nga të gjithë për ‘skenaristin’ Lajçak: Atë e takoi edhe Presidentja pas akuzave të Kurtit

Akuza të rënda për ndërmjetësin evropian, z.Mirosllav Lajçak pati kryeministri Albin Kurti para dy ditësh në një konferencë për media. Por menjëherë, Lajçak mori përkrahje e pati madje edhe takime me përfaqësues të lartë vendor e ndërkombëtarë, mes tyre edhe Presidenten e Kosovës, znj.Vjosa Osmani… Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.
Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti më 18 shtator tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.
“Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.
ShBA, BE i dhanë mbështetje Lajçakut menjëherë pas kësaj deklarate
Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë në Bashkimin Evropian sa i përket ndërmjetësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kështu deklaroi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që po mbahet në Prishtinë.
“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cilësoi si “akuza të pabaza” pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, duke theksuar se ky i fundit ka mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të bllokut.
“Sa i përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, sikur edhe për përfaqësuesin e lartë [Josep Borrell]. Ata plotësisht mbështesin përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’iu ndihmohet të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet mes tyre”, tha ai.
Edhe Presidentja takoi Lajçakun
Në një takim në Neë York, të organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, edhe presidentja e Kosovës u pa aty, e në një prej fotografive, ishte edhe Lajçak.
BE bën thirrje: Dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë në tryezë, jo në publik dhe media
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka deklaruar sot në një konferencë të mbajtur për media se pritshmëritë e BE-së rreth dialogut Kosovë-Serbi, janë bërë të ditura në deklaratën e përbashkët të 27 anëtarëve.
Stano tha se synimi i BE-së është të vazhdojë të zhvillojë dialogun aty ku i takon, pra në tryezën e bisedimeve dhe jo në publik dhe në media.
“Tani i takon të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, të bëjnë përpjekjet më të mëdha për të arritur progres”, tha ai.
Zëdhënësi i BE-së theksoi se nuk do të prezantojë detaje në konferencë për media për shkak se BE-ja nuk i zhvillon negociatat në publik.
Ai tregon se Bashkimi Evropian ka një rol ndërmjetësues në dialog dhe një rol për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën të arrijnë kompromisin e nevojshëm që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre./Periskopi












