Osmani paralajmëron masa kundër Listës Serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radio Televezionin e Kosovës (RTK), ka thënë se autoritetet kosovare janë duke punuar drejt ndërmarrjes së masave sanksionuese ndaj Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve – në përputhje me ligjet që parashihen me Kushtetutën e Kosovës. “Ne si institucione jemi duke bërë të […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radio Televezionin e Kosovës (RTK), ka thënë se autoritetet kosovare janë duke punuar drejt ndërmarrjes së masave sanksionuese ndaj Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve – në përputhje me ligjet që parashihen me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne si institucione jemi duke bërë të gjitha analizat e nevojshme ligjore, do të kemi një takim të përbashkët edhe me kryeministrin, kryetarin e kuvendit dhe zëvendëskryeministren për t’i diskutuar këto çështje gjatë orëve në vijim dhe natyrisht gjithçka që parashihet me ligj do të jenë masa që do të ndërmerren”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në vend që të luftojë për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, ka shtuar presidentja Osmani, ky subjekt politik është shndërruar në mjet në duart e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, sipas shefes së shtetit kosovar, është duke realizuar planet e presidentit rus, Vladimir Putin, për të destabilizuar rajonin.
Harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe “hija kërcënuese” e bandave kriminale është zgjeruar edhe më tej, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të territorit ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me serbë etnikë nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.
Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë nënkryetarin e Listës Serbe, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.
Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës për një numër veprash penale dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe disa të tjerë janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.












