Osmani: Jemi të gatshëm për zgjedhje në veri, por duhet garancë nga ndërkombëtarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Politico” ka thënë se ajo e ka bërë të qartë qysh më 1 qershor se Kosova është e gatshme të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Por, Osmani ka thënë se duhen ndërkombëtarët të përkujdesen që të mos lejojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Politico” ka thënë se ajo e ka bërë të qartë qysh më 1 qershor se Kosova është e gatshme të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Por, Osmani ka thënë se duhen ndërkombëtarët të përkujdesen që të mos lejojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të ndërhyjë sërish në zgjedhjet e një vendi tjetër.
Ajo ka thënë se bojkoti i zgjedhjeve në veri nuk ishte vullnetar, por u bë shkaku i presionit që po i bëhej popullatës lokale në veri. Ajo ka thënë se ka pasur raste që serbët që kanë dashur të votojnë janë rrahur apo kidnapuar nga njerëz të shërbimit sekret të Serbisë që drejtohet nga Aleksandar Vulin, një njeri që gjendet në listën e zezë të SHBA-së.
Osmani ka thënë se duhet përkujdesur që çdo gjë të bëhet në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë e me aleatët, që të evitohen tensionet.
“Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, i bëjnë njerëzit të ndihen të pasigurtë, largon investuesit potencialë nga vendi ynë, ndonëse Kosova është shtet shumë i sigurt. Dhe po ashtu tensionet u marrin aq shumë energji institucioneve, në vend se të merremi me reformim të sistemit të arsimit, shëndetësisë, e të krijojmë vende pune. Historia e Kosovës është histori e aksioneve të përbashkëta. Kemi qenë gjithmonë të suksesshëm kur kemi punuar së bashku me partnerë, e aleatë”, ka theksuar Osmani.












