VV dhe Presidentja takuan drejtuesit e FES, Fondacioni që ka draft ‘problematik’ për Zajednicën

Në janar të këtij viti, kur kërkesa ndërkombëtare për themelimin e Asociaiconit (Zajednicës, sipas Vetëvendosjes) po shtohej, dhe kjo, pak para takimit Kurti – Vuçiq në Ohër, Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), pati publikuar një draft të statutit të Asociacionit. Por ky draft, ishte parë problematik, ose thënë shkurt, ‘me kompetenca ekzekutive’ për Asociacionin. Fondacioni gjerman […]
Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), ka ndërruar drejtorin. Deri tani, këtë pozitë e mbante Renè Schlee, ndërkaq prej dje, këtë pozitë e mban Peter Hurrelbrink.
Për takim lamtumirës për zotin Schlee dhe mirëseardhje për zotin Hurrelbrink, të dy janë mirëpritur në zyret e Vetëvendosjes dhe në Presidencën e Kosovës.
Fondacioni FES, në janar të këtij viti, pati publikuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Gjatë prezantimit të këtij drafti, patën marrë pjesë shumë figura të njohura të skenën politike, opinionit dhe shoqërisë civile në vendin tonë.
Nga partia në pushtet, Vetëvendosje, aty ishin parë Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu.
Sami Kurteshi i VV-së, pati marrë fjalën për të shtruar disa pyetje në drejtim të FES-it, lidhur me draftin e statutit që po prezantonin.
Ai pati deklaruar se në atë draft, kishte parë “një aversion ndaj konceptit shqiptar”.
Çka përmban drafti i statutit të Asociacionit, i hartuar nga FES?
I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.
Sipas këtij dokumenti, Asociacioni parashihet t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.
Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sipas dokumentit, anëtare të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit.
Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.
“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhet po ashtu në draft-statutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.
Një ndër nenet flet edhe për objektivat e Asociacionit, të cilat, siç thuhet, janë: forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimi i interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.
Në draft-statut thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, që mund të delegohen nga autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Sa i takon strukturës organizative, neni 6 parasheh që Asociacioni të ketë: kuvendin e Asociacionit, kryetarin e Asociacionit, nënkryetarin e Asociacionit, këshillin e Asociacionit dhe bordin e Asociacionit.
Neni 15 parasheh që Asociacioni të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës në shkëmbimin e informacioneve, në frymën e promovimit të demokracisë dhe multietnicitetit, bazuar në sistemin ligjor të Kosovës.
Sa i takon rregullimit ligjor, neni 16 parasheh që Qeveria e Kosovës, përmes një akti juridik, t’i japë Asociacionit statusin e subjektit juridik.
“Kjo përfshin të drejtën e zotërimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme” dhe të “bashkëpronësisë së shoqërive që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit”.
Shpenzimet e Asociacionit parashihet të jenë subjekt i auditimeve nga autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës.
Sipas dokumentit në fjalë, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.
Sipas draft-statutit, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.
Qeveria dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës parashihet që të kenë qasje në rishikimin e buxhetit vjetor të Asociacionit, përpara se ai të miratohet.
VV para se të publikohej drafti i Asociacionit nga FES: Jemi kundër Asociacionit mbi baza etnike
Para publikimit të draft-statutit, në janar 2023, zyrtarë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje – ishin takuar me me zotin Schlee, drejtorin e FES.
Në komunikatën dërguar mediave ishte thënë se në këtë takim “u ritheksua qëndrimi i LV-së [Lëvizjes Vetëvendosje] kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike”.
“Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese”, u tha po ashtu në komunikatën e Vetëvendosjes.
Enver Hasani për draftin e FES-it: Komunat kthehen në agjenci të Serbisë brenda Kosovës
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i pati thënë Expressit në janar 2023, se versioni i propozuar nga FES i jep Asociacionit kompetencë ekzekutive autonome.
Sipas tij, me këtë draft-Statut, komunat anëtare shndërrohen një agjenci e Serbisë në territorin e Kosovës. Ka edhe disa çështje të tjera, të cilat ai i ka detektuar si problematike në dokumentin e publikuar dje.
Hasani deklaronte se ky dokument më shumë krijon shqetësime, sesa lehtësime për pjesën skeptike për Asociacionin.
“Unë dje kam lexuar me vëmendje draftin e këtij Statuti, kam ndëgjuar edhe mbrojtjen e tij publike nga akterë relevant të tij. Mendoj se prezantimi i tij dhe vetë draftimi më shumë kanë shkaktuar problem dhe ankth te popullsia shumicë, sesa ndonjë lehtësim”, ka thënë ai.
Sipas Hasanit, në draft-Statuti flet për një entitet që ka kapacitet autonom për vendimmarrje në sferat, kompetencat e të cilave, në shumicë, i takojnë autoriteteve qëndrore të vendit.
“Kjo për faktin se dispozitat e tij flasin për një entitet juridik nga e drejta publike, që posedon kapacitet të plotë dhe autonom për vendimmarrje të pavarur në sferat që paraqiten si sferë e fushëveprimit të tij në të ardhmen. Ato sfera përfshijnë, në një pjesë të madhe, kompetenca e autorizime që iu takojnë autoriteteve qendrore”.
Ish-kryetari i Kushtetueses liston disa prej defekteve që, sipas tij, i ka propozimi për Statutin e Asociacionit, që e ka bërë FES-i.
Disa nga to janë kompetenca ekzekutive autonome që ky draft ia jep Asociacionit dhe struktura e Asociacionit.
“Do të veçoja disa gjëra që janë mjaft problematike: e para, ajo që shihet qartë nga prezantimi dhe mbrojtja e djeshme e këtij drafti nga akterët e tij është se ata nuk e kanë të qartë se Asociacioni që propozojnë përfaqëson një entitet legal të së drejtës publike, me kompetencë ekzekutive autonome; e dyta, kjo shihet nga vetë fakti thjeshtë se vendimet e Asociacionit i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë, gjë që nuk ndodh me entitete legale që janë nga e drejta private; e treta, përfaqësimi i komunave, jo i qytetarëve të saj, në Kuvendin e Asociacionit, bën që ai të jetë agjenci shtetërore që zëvendëson ushtrimin e juridiksionit në sferën e vetqeverisjes lokale nga ana e komunave ekzistuese. Kjo nënkupton se Kuvendi, që definohet si një organ suprem i tij, të jetë konjuktural dhe të dominohet nga vullneti grupeve të ngushta të interesit, jo nga vota e qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në komunat anëtare të Asociacionit; së fundi, roli dhe pozita e Serbisë ka kuptim në nivelt të vetëqeverisjes lokale, por jo edhe në nivel të përfaqësimit të komunave anëtare, të cilat me Statut shndërrohen si një agjenci e Serbisë në territorin e Kosovës”, thotë Hasani./Periskopi












