Presidenti serb u takua me Lajçakun një ditë më parë, më 30 gusht.
“Mund të ishim ulur dhjetë orë. Kam frikë se do të ishte e vështirë të gjesh një zgjidhje kur flet me njerëz që nuk kërkojnë zgjidhje, kur flet me njerëz nga Prishtina që kërkojnë arsye për konflikte dhe sulme ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës”, tha ai.
Vuçiq theksoi se këto gjëra “nuk i thotë rastësisht”, sepse tha se dëshira e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, është që t’i “dëbojë” serbët nga atje.
“…Mos ta permendi sa mijëra kilometra jemi larg nga formirmi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prishtinës nuk i shkon mendja që kjo të ndodhë”, tha Vuçiq.
Ky takim u zhvillua pasi Lajçaku më 28 gusht njoftoi se kishte një “takim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës të nivelit të lartë, i cili planifikohet të mbahet në shtator.
Më 3 qershor, BE-ja njoftoi se pret që Kosova dhe Serbia të sillen me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialog për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, një zgjidhje që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe që hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të arritur më 27 shkurt.
BE-ja më pas deklaroi se kjo zgjidhje përfshin fillimin e punës për formimin e Acoacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa apo parakushte të mëtejshme, si dhe se autoritetet e Kosovës duhet t’i shpallin zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit sa më shpejt që të jetë e mundur.
Të dy kishin qenë në Bruksel edhe më 22 qershor, në mes të një krize në veri të Kosovës, por atëherë nuk kishin zhvilluar takim të përbashkët.
Përshkallëzimi i fundit në veri të Kosovës filloi më 26 maj, kur kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe, shqiptarë etnikë të zgjedhur në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët, hynë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, me ndihmën e Policisë së Kosovës.
Që atëherë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komuna në veri të Kosovës.













