Tollovia me librat: Shpërthejnë ankesat e prindërve në prag të çeljes së shkollave

Qeveria Kurti ka anuluar tenderin 4.5 milionësh për librat shkollorë. Por, për të njëjtën gjë, Qeveria ka dhënë 6 milion euro deri tash, në formë subvencionimi. Një proces ky që po kritikohet gjithandej, duke qenë që nxënësit, mund të mos pajisen me libra shkollorë deri në fund të shtatorit dhe këtë konstatim, e forcon vetë […]
Vendimi i Qeverisë Kurti, që librat për nxënësit t’i blejnë vetë prindërit, përmes subvencionimit të tyre në llogaritë personale të prindërve, ka shkaktuar një tollovi të jashtëzakonshme.
Kjo vërehet në disa prej faqeve të famshme në Facebook, si ‘Netëork Prishtina’ e të tjera, por edhe në vetë mesazhet që prindërit po lënë në llogarinë e Facebook-ut, të ministers së arsimit, znj.Arbërie Nagavci.
Disa nga prindërit, shprehin shqetësime për mos-funksionimin ose për mos-njohurinë e mënyrës së përdorimit të faqes e-kosova, ndërsa disa prej tyre, shfaqin indinjatën për telashin që ka shkaktuar Ministria.
Dje, ministria e arsimit, Nagavci foli rreth këtij problem kështu:
“Të dashur prindër, Me vëmendje jemi duke e përcjellë situatën dhe shqetësimet tuaja rreth aplikimit në platformën e-kosova për subvencionimin e teksteve shkollore.
Deri tash në këtë platformë kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër. Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirrollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar”.
Një problem tjetër që është paraiqtur në këtë proces, është edhe rasti i nxënësve 5 vjeçarë, pasi subvencionimi për librat, është vetëm prej moshës 6 vjeçare.
“Sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve. Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore.
Kemi kërkuar nga DKA-të që të publikojnë listën për tekste shkollore dhe sipas informatave tona, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale”, shkruan Nagavci.
Lidhur me këtë kaos të krijuar rreth librave shkollorë, ka shumë reagime nga dita në ditë.
Hykmete Bajrami, tani deputete e LDK-së dhe ish-ministre e arsimit, dje shkroi kështu:
Shkelësja e kushtetutës Nagavci tek sot ju paska bë thirrje prindërve ”mos me i ble librat, pa e marrë listën nga mësuesit”, e çka me ata që tashmë i kanë ble, t’i kthejnë apo?
Ai prindi nga Kaçaniku që dje e ka lënë punën ka shku në Ferizaj me i ble librat, tash duhet me marrë edhe një ditë tjetër pushim me shku me i ndrru librat?!
Për më tepër kush e garanton atë dhe të tjerët që kanë me i gjetë ato libra që i rekomandojnë mësuesit?!
Kësaj i thonë kaos me kosto të lartë.
Njëherit thirrja e Nagavcit për prindërit është thirrje e terthortë për shtepitë botuese ”mos botoni libra se kërkesa për ato varet nga mësuesit”.
Çfarë dështimi!
Ju kemi tregu që ka me pasë shumë probleme këtë vit . Është mekat i madh që dështimin e ministrisë dhe qeverisë kaq drejtpërdrejtë e kaq shtrejtë po e paguajmë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit./Periskopi
















