Pushteti hipokrit: Akuzon opozitën për ligjet në Kushtetuese, vetë herë e godet – herë thirret në të kur i konvenon

Pushteti hipokrit: Akuzon opozitën për ligjet në Kushtetuese, vetë herë e godet – herë thirret në të kur i konvenon

Me ardhjen e Qeverisë Kurti në pushtet është rritur edhe puna në Gjykatën Kushtetuese. Kjo pasi partitë opozitare, në pamundësi për t’i ndalur disa ligje për të cilat thonë se janë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të vendit, kanë vendosur t’i drejtohen Kushtetueses, shkruan Periskopi. Deri më tani, opozita ka dërguar plot […]

Deri më tani, opozita ka dërguar plot gjashtë ligje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Përveç Ligjit për Pagën Minimale, në Kushtetuese opozita ka dërguar edhe Ligjin për zyrtarët publikë, Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan, Ligjin për Këshillin Prokurorial, si dhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

I fundit që u dërgua ishte Ligjin për Tatimin në Pronë, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Por, dërgimi i ligjeve në Gjykatë për shqyrtim po i pengon pushtetit, duke e konsideruar si akt pengues për qeverinë.

Të befasuar me këtë qasje të qeverisë janë njohës të çështjeve juridike të cilët nuk shohin racionalitet në idenë e kundërshtimit të dërgimit të ligjeve për vlerësim në Kushtetuese.

Për më tepër, ata vlerësojnë se e kundërta është e vërtetë, pasi përmes vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjeve, mundësohet vërtetimi se asnjë nga ligjet nuk i ikën apo bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Kurse, siç edhe është pritur, ministrat e kabinetit të Kurtit vazhdimisht i kanë sulmuar partitë opozitare pas dërgimit të ligjeve aty.

Në anën tjetër, vetë kreu i Qeverisë i referohet Kushtetutës kur pyetet për një nga premtimet e tij kryesore para ardhjes në pushtet.

Albin Kurti që sa ishte në opozitë e trumbetonte vazhdimisht bashkimin me Shqipërinë, tash ka vendosur të mbështetet në Kushtetutë sa herë që pyetet për këtë temë.

A doni apo nuk doni që Kosova të bashkohet me Shqipërinë?

Kështu e pyet gazetarja greke Tania Bozaninou, kryeministrin Albin Kurti në intervistën dhënë për gazetën greke “To Vima”.

Në këtë pyetje, Kurti vendos të shmang përgjigjen, duke thënë se Kushtetuta e Kosovës momentalisht nuk e lejon këtë, ndërsa thekson se raportet mes dy vendeve “janë të shkëlqyera”.

“To Vima”: Me fjalë të tjera, a doni apo nuk dëshironi që Kosova të bashkohet me Shqipërinë?

Kurti: Për momentin Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon dhe ne jemi të fokusuar që të mbrojmë vendin tonë, integritetin territorial dhe sovranitetin e tij, por e përsëris se kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë dhe, edhe pse jemi një komb, jemi dy shtete të ndryshme.

Kjo pyetje i erdhi Kurtit pas pyetjes së parë, përgjigjen e së cilës zgjodhi ta bishtnojë. Aty ai akuzoi Serbinë se po e fryn këtë tezë për të mbrojtur idenë serbe për bashkim të serbëve në një shtet.

Megjithatë, qasja e Kurtit ndaj vendimeve të Kushtetueses mbetet shqetësuese.

Kur atij iu kishte ndaluar të ishte në listën e Vetëvendosjes për zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, pasi Kurti ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ai kishte reaguar duke u thirrur në “frymën e popullit”.

I pyetur rreth kësaj, ai e kishte vendosur veten mbi vendimet e KQZ-së. Me një deklaratë që shpërfaq mendësi të rrezikshme, ai kishte thënë: “Besoj që të gjithë jemi dëshmitarë që me gëzim po e presim 14 shkurtin dhe ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshime, në vitin 2021 besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit”.

Ai kishte shtuar se institucionet përkatëse në vend duhet të ndjekin dëshirën e popullsisë dhe jo t’i vihen përballë atij.

“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, kishte deklaruar atëbotë Kurti. /Periskopi/

Të fundit
Të ngjashme