Gjoshi: PDK do ta padis për shpifje Artan Abrashin e VV-së

Betim Gjoshi i PDK-së, njofton se kjo parti ka përgatitur padinë për shpifje ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Artan Abrashi. ‘Sot kemi lexuar një deklaratë shpifëse të një deputeti të Kuvendit të Kosovës, e cila, po të mos ishte kaq absurde, e ligë dhe fyese, do të ishte qesharake. Gjithsesi, Partia Demokratike e Kosovës nuk do […]
‘Sot kemi lexuar një deklaratë shpifëse të një deputeti të Kuvendit të Kosovës, e cila, po të mos ishte kaq absurde, e ligë dhe fyese, do të ishte qesharake. Gjithsesi, Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta kaloj pa veprime një shpifje të tillë.
PDK tashmë ka përgatitur padinë për shpifje ndaj deputetit Artan Abrashi, e cila do t’u dorëzohet organeve të drejtësisë. Me shpifje të tilla do të merret vetëm drejtësia dhe ne presim që të gjithë, pa përjashtim, edhe zyrtarët publikë, të marrin dënimin e merituar.
Megjithatë, as një deklaratë e tillë, e pabazuar dhe shpifëse, nuk do të arrijë të mbulojë humnerën në të cilën ka rënë ky pushtet – përmes aferave të vazhdueshme abuzive dhe korruptive.
Koordinimin me kriminelët serbë, vjedhjen e rezervave shtetërore, hajninë me energjinë, trafikimin e lëndëve narkotike dhe keqqeverisjen – nuk kanë më fuqi dhe kredibilitet, as moral e as politik, që ta mbrojë askush – aq më pak një deputet i dobët si Artan Abrashi!’, shkruan Gjoshi.
Çka tha Artan Abrashi sot?
Deputeti i Vetëvendosjes, duke iu referuar një shkrimi të Faton Klinakut të OVL së UÇK-së, shkruan:
Faton Klinaku ka qenë çdoherë konsistent. Vazhdimisht ka deklaruar dhe deklaron mbështetjen e tij të hapur ndaj PDK-së. Përherë ka vepruar dhe vepron në koordinim të hapur me agjendën politike të PDK-së. OVL në krye me të ishte dhe është instrument politik i PDK-së. Faton Klinaku është ndërgjegja e kulluar e PDK-së, instikti i saj pa mbulesën e gjuhës së matur. Pse ndër mijëra fjalë për të ilustruar një mendim, ai zgjedhi pikërisht fjalën vrasje? Kjo fletë shumë. Është dëshmia e qartë se PDK në regjistrin e saj të metodave ende nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet.












