Bahtiri për Hetemin e ngujuar: De facto dhe de juro s’di çka të them, kështu s’iu shërben qytetarëve

Lulzim Hetemi u ndihmua nga njësia speciale e Policisë së Kosovës që të futej në zyrën e tij, mëngjesin e hershëm të 29 majit, dhe që nga ajo ditë nuk është raportuar të ketë dalë nga objekti komunal. Aty, Lulzim Hetemi ha, rri, pastrohet dhe fle. Por, sa dhe si mund të punojë zoti Hetemi? […]
Prej më shumë se 100 ditësh, Lulzim Hetemi po qëndron në zyrën e tij në Leposaviq. Kryetari i zgjedhur në këtë komunë nga partia Vetëvendosje, ka bërë bujë në vazhdimësi duke qenë që zyrën nuk e ka lëshuar prej kur është futur në të.
Agim Bahtiri, ish kryetar i Mitrovicës, ka thënë se nuk e di se a do të mund të qëndronte si Lulzim Hetemi në zyrë.
Ai thotë se nuk beson që është ‘vendim i Lulzim Hetemit për të qëndruar kështu në zyrë’.
“Unë mendoj nëse është në të mirën e qytetarëve dhe është vizion që shkon për shtati, nashta edhe unë e kisha bo një gjë të tillë por de facto dhe de juro nuk e di çka të them, por sigurisht ka këshilltarë që mund ta këshillojnë dhe po mendoj që ai e din se a është i mirë a nuk është i mirë.
Unë nuk besoj se është vendim i tij, pavarësisht kush e ka marrë atë vendim, nuk e di sa iu jep shërbime qytetarëve, ky është problemi”, tha Bahtiri në emisionin e ri Gallatë të kanalit 10, përcjell Periskopi.
Bahtiri thotë se nuk e di nëse kjo formë siç po qëndron Lulzim Hetemi në zyrë, është e dobishme për qytetarët.
“Kryetari zgjidhet me iu dhanë shërbime qytetarëve, unë nuk kam qenë në Leposaviq dhe nuk e di cili është angazhimi i tij, a po mundet me iu dhanë qytetarëve.
Ne duhet me kuptu që kjo gjendje duhet me ndryshu sepse në veri, jemi pakicë. Toka është e Kosovës dhe duhet me qeverisë më rregullat dhe ligjet e Kosovës”, tha Bahtiri./Periskopi/












