Mediat prestigjioze amerikane raportojnë për protestën e gazetarëve në Prishtinë

Gazeta më e madhe e Uashingtonit, “Washington Post”, si dhe media ndërkombëtare prestigjioze “The Associated Press”, kanë raportuar për protestëm e sotme të gazetarëve në Prishtinë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për të kundërshtuar mbylljen e Klan Kosovës, për çka thotë se është mbyllja e parë e një media në Kosovë që nga lufta e […]
WP dhe AP raportojnë se javën e kaluar autoritetet kosovare kanë mbyllur median më të madhe private në vend me arsye “të parregullsive në regjistrimin e licensës së Klan Kosovës”.
“Gazetarët e Kosovës protestuan të hënën kundër vendimit të Qeverisë për të pezulluar funksionimin e një televizioni privat”, kështu e nis artikullin gazeta prestigjioze “The Washington Post” lidhur me protestën e mbajtur sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë
Media amerikane shkruan se një numër i madh gazetarësh dhe anëtarësh të organizatave të shoqërisë civile u mblodhën në qendër të Prishtinës para ndërtesës kryesore të Qeverisë për të protestuar kundër pezullimit të funksionimit të transmetuesit.
Agjencia e lajmeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Associated Press, ka raportuar për protestën e sotme që u mbajt në sheshet e Prishtinës, kundër vendimit të MINT-it ndaj Klan Kosovës.
AP shkroi se një numër i madh i gazetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile u mblodhën për të protestuar kundër pezullimit të certifikatës së biznesit të Klanit.
“Protestuesit thanë se ishte një veprim “i motivuar politikisht” i ndërmarrë nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti. Ishte mbyllja e parë e një medie që nga fundi i luftës së Kosovës 1998-1999, thanë ata, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej “Demokracia vdes në errësirë””, thuhet në shkrimin e AP-së, transmeton Klankosova.tv.
Për Associated Press ka folur edhe kryeredaktori i Klan Kosovës, Gazmend Syla, i cili pezullimin e certifikatës së biznesit e quajti “të padrejtë”.













