Kritikohet Bislimi: Kosova s’është në pozitë që të vendosë kushte

Partitë opozitare në vend dhe njohësit e politikës e kanë hedhur kritika në drejtim të deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë Besnik Bislimi që zgjedhjet në veri të mbahen vetëm pas heqjes së sanksioneve politike dhe ekonomike të BE-së ndaj Kosovës. Ata theksojnë se kushte të tilla do ta kthenin vendin prapa. Por ndryshe nga opozita […]
Ata theksojnë se kushte të tilla do ta kthenin vendin prapa. Por ndryshe nga opozita mendon shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar që të rishikohen masat që sipas saj janë të padrejta. Subjektet opozitare vlerësojnë se qeveria po vazhdon të eksperimentoj në raport me dialogun dhe shtrirjen e sovranitetit në veri.
Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se janë të papërgjegjshme deklaratat e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës Besnik Bislimi, se katër komunat veriore nuk duhet të shkojnë në zgjedhje pa u hequr sanksionet e BE-së.
Nga PDK kërkohet shkuarja në zgjedhje të reja përderisa nga AAK-ja thonë se vendimet e tilla të Qeverisë do ta kthenin Kosovën prapa.
Edhe njohësit e politikës në vend kanë pasur kritika ndaj qëndrimeve të tilla.
Sipas tyre, vendi nuk është në pozitë t’i vejë kushte Bashkimit Evropian, pasi sipas tyre ishin vendimet e Qeverisë që e detyruan vendosjen e sanksioneve.
Por ndryshe nga opozita e njohësit mendon kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimioza Kusari Lila.
Ajo thotë se masat e BE-së për Kosovën kanë qenë të padrejta dhe se duhet të rishikohen.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Gjithashtu, është pezulluar programi i fondeve për Kosovën nga IPA 2024./Kanal10












