Korriku, muaji më i nxehtë i planetit në 120,000 vjet

Korriku i vitit 2023 pritet t’i ndryshojë standardet e mëparshme të nxehtësisë, ka thënë të enjten sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pasi shkencëtarët konstatuan se ishte në rrugën e duhur për të qenë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, shkruan Reuters. Organizata Botërore Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara (WMO) dhe Shërbimi i […]
Korriku i vitit 2023 pritet t’i ndryshojë standardet e mëparshme të nxehtësisë, ka thënë të enjten sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pasi shkencëtarët konstatuan se ishte në rrugën e duhur për të qenë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, shkruan Reuters.
Organizata Botërore Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara (WMO) dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian, Copernicus, kanë thënë gjithashtu në një deklaratë të përbashkët se ishte “jashtëzakonisht e mundshme” që korriku 2023 të thyente rekordin e nxehtësisë.
“Ne nuk duhet të presim fundin e muajit për ta ditur këtë. Pa një mini-epokë të akullit gjatë ditëve në vijim, korriku 2023 do të thyejë rekorde. Ndryshimi i klimës është këtu. Është i tmerrshëm. Dhe është vetëm fillimi”, ka thënë Guterres, duke shtuar se “epoka e vlimit global ka ardhur”.
Efektet e të nxehtit të korrikut janë përjetuar pothuajse në mbarë botën. Mijëra turistë u larguan nga zjarret në ishullin grek të Rodosit dhe në jugperëndimin e SHBA-së kishte temperatura ekstreme. Temperaturat në një qytet veriperëndimor të Kinës u rritën deri në 52.2C, duke thyer rekordin kombëtar.
Edhe pse WMO-ja nuk do ta shpallë korrikun si muaj rekord i nxehtësisë duke pritur disponueshmërinë e plotë të të dhënave, Universiteti i Leipzigut në Gjermani tashmë ka thënë se korriku 2023 është muaji më i nxehtë ndonjëherë.
Temperatura mesatare globale e këtij muaji parashikohet të jetë të paktën 0.2C më e ngrohtë se korriku 2019, dikur muaji më i nxehtë në regjistrimet 174-vjeçare, sipas të dhënave të BE-së.












