Deputeti i VV-së shpërndan një deklaratë të një profili fake të Doris Pack kundër Klan Kosovës

Gjatë ditës së sotme është shpërndarë një deklaratë nga një profil i rremë në Twitter në emër të ish-deputetes së CDU-së gjermane në Parlamentin Evropian, Doris Pack, ku sulmohet Klan Kosova. Kjo deklaratë fake ka zënë vend edhe në profilin në Facebook të deputetit të VV-së, Ardian Gola, shkruan gazeta online Reporteri.net. Ndonëse nuk ka […]
Kjo deklaratë fake ka zënë vend edhe në profilin në Facebook të deputetit të VV-së, Ardian Gola, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ndonëse nuk ka verifikuar fare faktet, deputeti i parlamentit dhe profesori univeristar, Ardian Gola ka shpërndarë këtë deklaratë në përpjekje për të arsyetuar statusin e tij të një dite më parë ku ai doli në mbrojtje të vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që mund të çojë në mbylljen e Klan Kosovës.
Madje, Gola edhe një ditë më parë kishte sulmuar këtë televizion duke u shprehur i habitur me mbrojtjen që po i bëhej Klan Kosovës.
Kjo deklaratë fake nga një profil i rremë në Twitter në emër të Doris Pack është shpërndarë edhe nga deputetë të tjerë të VV-së.


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka informuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë të premten vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.
MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Vendimi i Komisionit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka konstatuar se ARBK-ja, në shkallën e parë ka vendosur në përputhje me ligjin kur e ka pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.
Rreth këtij rasti ka pasur reagime të shumta.
Të shqetësuara për këtë rast janë shprehur vendet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.
Ndërkohë për nesër Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka paralajmëruar protestë me moton “Demokracia vdes në errësirë”.












