A u bënë pishman Kurti e Bislimi për marrëveshjen në Bratisllavë

Duket se kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi janë bërë pishman për arritjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri. Kjo për shkak se sanksionet e vendosura nga BE-ja nuk po hiqen. Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media të mërkurën la të kuptohet se mbështet kushtëzimin […]
Duket se kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi janë bërë pishman për arritjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri. Kjo për shkak se sanksionet e vendosura nga BE-ja nuk po hiqen.
Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media të mërkurën la të kuptohet se mbështet kushtëzimin që zëvendësi i tij, Besnik Bislimi kishte thënë se duhet vënë BE-së për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
Jo zyrtarisht, në një takim me gazetarët zëvendëskryeministri i Kosovës, që është edhe udhëheqës i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, kishte thënë se pa heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, nuk mund të mbahet zgjedhjet në veri, kërkesë kjo që ishte pranuar nga pala kosovare, si një nga pikat për depërshkallëzimin e situatës në veri.
Megjithëse Radio Evropa e Lirë e kishte cituar Bislimin për “kushtin e ri”, nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë çështje.
Kryeministri Kurti refuzoi ta quante kushtëzim qëndrimin e Bislimit, por tha se bëhet fjalë për “rend logjik të gjërave”.
“Masat që janë marrë ndaj neve e që janë quajtur të përkohshme e të kthyeshme, pra reversibile, natyrisht presim të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodh paraprakisht. Nuk po bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave që duhet të ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçakut për 3 qershorin i realizuar në Bratisllavë që e krijon normalitetin minimal për zgjedhjet e parakohshme”, tha kryeministri.
Rreth dy javë më parë, Qeveria e Kosoës njofti se kishte arritur marrëveshjen për deeskalim.
Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Tri kërkesat e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri e që pala kosovare i ka pranuar janë:
- Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
- Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
- Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.
Bashkimi Evropian të martën i tha Nacionales se BE-ja pret që të zbatohen kërkesat e saj të theksuara në deklaratën e 27 vendeve anëtare të BE-së më 3 qershor./Periskopi/












