Shpërblehet me tender në Gjilan kompania që “e çoi” në paraburgim Nagipin e KEK-ut

Kompania e avokatisë “Rexhepi Zeqiri Zejna” është fituese e një tenderi që po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e për të cilin është arrestuar edhe kryeshefi i pezulluar i KEK-ut, Nagip Krasniqi, shkruan Periskopi. Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga kryetari, Alban Hyseni i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka shpallur […]
Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga kryetari, Alban Hyseni i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka shpallur fitues të një tenderi kompaninë e cila është nën hetime.
Për shërbime të avokatisë dhe përfaqësimit ligjor është shpallur fituese kompania “REXHEPI ZEQIRI ZEJNA L.L.C”, në vlerë 3894 euro me kohëzgjatje për një vit.

Kjo kompani është nën hetime nga Prokuroria Speciale për shkak se kishte fituar një tender në KEK dhe se njëri prej pronarëve, Isuf Zejna ka qenë avokati i ish- kryeshefit të korporatës, Nagip Skenderi.
Në vitin 2022, Korporata Energjetike e Kosovës kishte hapur një tender për angazhimin e një kompanie ligjore. Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 60 mijë euro, ndërsa procedura ishte e hapur. Në këtë tender kishin aplikuar tri kompani ligjore, të cilat ishin eliminuar për shkak se ishin shpallur të papërgjegjshme. KEK-u kishte anuluar këtë aktivitet të prokurimit, me arsyen se nuk kishte oferta të përgjegjshme nga operatorët ekonomik. Pasi që i kishte dështuar tenderi, KEK-u në fillim të vitit 2023 ka shpallur një tender tjetër për angazhimin e një kompanie ligjore, por kësaj here me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë. Për të nënshkruar këtë tender, KEK ka ftuar për negocim pikërisht kompaninë ‘Rexhepi Zeqiri Zejna’, në të cilën aksionar Isuf Zejna, personi që ka qenë avokat i kryeshefit Krasniqit në dy raste kur është intervistuar nga Policia e Kosovës.
Më 19 prill 2023, kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit. Atij i është caktuar masa e paraburgimit edhe për dy muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Për arrestimin e Krasniqit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati sulmuar Prokurorinë.
“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, pati thënë Kurti gjatë një seance në Kuvend.
“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e shkurtit”, pati shtuar kryeministri./Periskopi/












