Qëndrimi 12 ditor në burgun e Kralevës i policëve të rrëmbyer nga forcat serbe

“Më 14 qershor 2023, rreth orës 12:30 duke ngrënë dreken, papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar, të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë të Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe me thes në kokë i kanë dërguar në veturat e tyre”, kanë qenë […]
Të mërkurën e 14 qershorit forcat serbe rrëmbyen tre policë kufitar patrullues brenda territorit të Kosovës, saktësisht në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Rrëmbimin e tre policëve të Kosovës, i pari i Qeverisë e pati cilësuar si hakmarrje të Serbisë, pasi Kosova një ditë më parë pati arrestuar një nga organizatorët e protestave të dhunshme të 26 majit në veri, si dhe udhëheqësin kryesor të “Mbrojtja Civile”, Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune”.
Ai gjithashtu i bënte thirrje aleatëve ndëkombëtarë që ta dënojnë këtë akt agresioni nga Serbia, dhe policët të lirohen menjëherë.
Kreu i ekzekutivit në konferencë për media, kishte publikuar edhe fotografi nga vendi ku u rrëmbyen policët.
Ndërsa, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani kishte thënë se ky akt dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”.
“Rrëmbimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë”.
Ndërsa, po ditën që policët u rrëmbyen, Policia e Kosovës mbajti konferencë të jashtëzakonshme, ku zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani pati thënë se rasti i ndodhur “ka qenë kidnapim klasik nga forcat serbe”, dhe se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtare në pikë statike në Bare, thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke kryer detyrat zyrtare.
Dy ditë pas rrëmbimit, Gjykata e Kralevës ia caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve tre policëve të rrëmbyer të Kosovës, ndërsa për lirimin e menjëhershëm të policëve patrullues kufitar të rrëmbyer nga forcat serbe, vazhdimisht bënte thirrje ShBA-ja, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Të martën e 20 qershorit, ambasadori Jetish Jashari arriti t’i takone ndaras të tre policët, ndërsa u dhanë edhe detaje për takimet që kishin zhvilluar.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në konferencë për media javën e kaluar tha se Jashari e kishte informuar atë, se sipas asaj që i kishin thënë tre policët në burgun e Kralevës, se “me rastin e sulmit ndaj tyre, disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë, kanë shkrepur armët në ajër, për të shkaktuar panik tek oficerët policor dhe për ta bërë më të vështirë rezistencën e tyre”.
“Në momentin e kidnapimit tre policët kanë qenë duke ngrenë drekë në tavolinën e improvizuar e cila është menjëherë afër gropës së parë dhe 15 metra të gropës së dytë. Sa për sqarim gropat ndodhen në veri për të penguar kalimin përmes këtyre rrugëve ilegale të automjeteve të cilat sjellin mallra kontrabandues, Gropat sipas oficerëve janë brenda territorit te Republikës së Kosovës, sepse ne nuk hapim gropa që janë brenda territorit të Republikës së Serbisë, dhe se paku 200 metra larg vijës kufitare që e ndanë Kosovën me Serbinë”, kishte thënë Gërvalla.
Gjithashtu Gërvalla atë ditë tha se njëri nga policët, z.Mustafa i kishte thënë ambasadorit Jetishi se “i mungojnë ende medikamentet bazike të cila i përdor rregullisht për gjendjen tij shëndetësore dhe se kjo po ia vështirëson shumë qëndrimin në burg”.
Për policët e rrëmbyer, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell edhe në takimin e 22 qershorit në Bruksel, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar këtij të fundit lirim të menjëhershëm të tyre, dhe pa kushte, ani pse Shefi i Diplomacisë Evropiane e cilësonte rrëmbimin “arrestim”.
Ndërsa, sot 12 ditë nga “rrëmbimi klasik” i tyre nga forcat serbe, Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës, por avokati nga Beogradi, Gradimir Nalliq, i cili i përfaqësoi ata tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri.
Kryeministri Kurti, poashtu edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thanë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për cënimin e integritetit territorial të Kosovës, ndërsa opozita e poasht edhe e para e vendit, Vjosa Osmani falënderuan aleatët ndërkombëtarë që ndihmuan në lirimin e tre policëve.
Sveçla gjithashtu i priti edhe në zyrë tre policët pasi arritjes së tyre në Kosovë.
“Skenar që konfirmoi Vuçiqin si mjeshtër të eskalimit”, ishte deklarata e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi, i cili tha se presidenti serb përdori një strategji me katër hapa, e një ndër to ishte edhe ajo e propagandës me synim tё ekspozimit nё sytё e bashkёsisё ndёrkombёtare tё palёs kosovare si fajtore pёr tensionim./Reporteri.net












