Profesori padit ministrinë e Arsimit, thotë se padrejtësisht nuk e listuan të parin për “Shkencëtari i Vitit” (VIDEO)

Profesori Blerim Rexha, ka thënë se do të iniciojë padi ndaj Ministrisë së Arsimit, për shkak se sipas tij, kjo ministri padrejtësisht nuk e listoi të parin për çmimin “ Shkencëtari i Vitit”. Rexha i ka thënë Periskopit se në rrethana normale kjo gjë nuk do të duhej të ndodhte në mes profesorit dhe Ministrisë […]
Profesori Blerim Rexha, ka thënë se do të iniciojë padi ndaj Ministrisë së Arsimit, për shkak se sipas tij, kjo ministri padrejtësisht nuk e listoi të parin për çmimin “ Shkencëtari i Vitit”.
Rexha i ka thënë Periskopit se në rrethana normale kjo gjë nuk do të duhej të ndodhte në mes profesorit dhe Ministrisë së Arsimit.
“Unë tanimë kam marrë qasje në dokumente publike konform ligjit përkatës dhe kam pa proces verbalin ku është e qartë e shkruar dhe unë jam i pari i rekomanduar si kandidat për dhënien e çmimit “Shkencëtari i vitit”. Pastaj ka patur një heshtje nja 3-4 muaj dhe në fillim të Qershorit, ministria ka marrë një vendim që nga 3 kandidatët e propozuar dhe nga konkursi që janë kërkuar 3 shkencëtarë dhe 3 shkencëtare të rinj të zgjedhë vetëm një, gjegjësisht kandidatin e dytë të propozuar në listë prej këshillit shkencor të ministrisë. Më pastaj unë i kam shkruar një e-mail ministres kam thënë që kjo nuk është në rregull si keni vepruar. Nuk kam pasur një përgjigje”, ka thënë Rexha.
Ai ka thënë se për këtë, u ka shkruar edhe anëtarëve të tjerë të këshillave, ka bërë dhe një shkresë zyrtare në ministri por se nuk ka marrë përgjigje.
“Para vetes e kam padinë të cilën e kam dorëzuar sot. Padia është e përmbledhur në konsultim me avokatin tim, një ekspert i jashtëzakonshëm në fushën e drejtësisë. E ndërtuar në 7 faqe dhe mbi 6 prova të cilat ja kam bashkëngjit padisë sime. Unë mendoj që këtu mjafton një lexim i thjeshtë dhe tani të aprovohet si e bazuar kërkesa ime që vendimit përfundimtar në listë ti shtohen edhe 2 emra të tjerë që kanë qenë konform konkursit dhe rekomandimit të këshillit shkencor të ministrisë”, ka thënë ai.
Ai shtuar se “Ky veprim e zbeh jashtëzakonisht, eventualisht, edhe mbas disa muajve mbas një procesi gjyqësor edhe marrjen e çmimit dhe kjo tregon moskujdesin, mosgatishmërinë e ministrisë për të mbështetur shkencën në përgjithësi në Kosovë”. /Periskopi/












