Kurti ripërseriti propozimin: A është kjo përgjigja negative që ai sot i dha BE-së?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë publike tetë pika, të cilat, siç ka thënë ai, çojnë në shtensionim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Kurti ka theksuar se këto pika ia ka propozuar kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, javën e kaluar kur […]
Kurti ka theksuar se këto pika ia ka propozuar kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, javën e kaluar kur ky i fundit, sipas tij, propozonte një ‘tryezë për hapa shtensionimi’ të situatës në pjesën veriore të Kosovës.
Në anën tjetër, sot gjatë ditës shtetet e KE-së mblidhen sot në Bruksel, në një takim që pritet të vazhdojë edhe nesër, e ku pritet të diskutohet për gjendjen në veri të Kosovës.
Për më tepër, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sot deklaroi se do të kërkojë përkrahje nga shtetet anëtare për të vazhduar presionin ndaj Kosovës e Serbisë që të shtensionohet situata e të kthehet në normalitet.
Nëse s’ka shtensionim, Borrell ka paralajmëruar pasoja për të dyja shtetet.
“Do ta kërkoj përkrahjen e udhëheqësve që të vazhdohet vendosja e presionit ndaj tyre (Kosovës dhe Serbisë) me qëllim të shmangies së eskalimit dhe kthimit te normalja. Shtetet anëtare kanë vendosur… që duhet të ndërmerren masa, ekonomike dhe politike, me qëllim që t’u bëhet e qartë atyre se nëse nuk kontribuojnë për de-eskalim, kjo vjen me një kosto.”, u shpreh Borrell.
Gjithashtu, pak ditë më parë drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, njoftoi se Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës e të cilat do të komunikohen në këtë javë.
“Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave. Fatkeqësisht Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë”, kishte deklaruar ai.
Se cila do jetë përgjigja e BE-së ndaj pikave të kryeministrit Kurti mbetet të shihet, teksa ai vazhdon të përballet me thirrje të vazhdueshme për deeskalim të situatës në veri nga aleatët perëndimorë të Kosovës./Periskopi/












