Auditori gjenë shkelje ligjore në disa prej tenderëve që ka raportuar Periskopi për ministrinë e Liburn Aliut

Pothuajse nuk ka tender të cilin e ka realizuar Ministria e Infrastrukturës në vitin e kaluar në të cilin të mos ketë ndodhur ndonjë shkelje ligjore. Për shumë shkelje ka raportuar edhe Periskopi. Zyra Kombëtare e Audtimit –ZKA ka evidentuar disa shkelje të rënda ligjore, kryesisht që kanë të bëjnë me menaxhimin e kontratave të […]
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportin Vjetore të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2022. ZAP është marrë pak ose aspak me pjesën e ministrisë që e menaxhon ministri, Liburn Aliu, atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor. Më shumë është marrë me pjesën që menaxhon, zëvendësministri, Hysen Dumrishi, atë të Infrastrukturës. Edhe këtu nuk janë shënjestruar kontratat më të mëdha që janë lidhur në vitin e kaluar, megjithëkëtë por ato që janë auditur, kanë rezultuar me gjetje të natyrës penale. Kjo pasi janë shkelur kushtet e kontratës.
Ndryshim i kushteve kontraktuale pas skadimit të kontratës
Neni 61.20 i “Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurim Publik” -RrUOPP, thekson se funksionet e menaxherit të projektit janë: Të nxjerr variacione apo urdhra për ndryshim nëse kërkohet, në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës, si dhe neni 61.25 përcakton se ndryshimi i kontratës për sasitë shtesë të artikujve të njëjtë do të përdor çmimet e njëjta apo më të ulëta për njësi si në kontratën fillestare. Për pozicionet të cilat nuk ka çmime në kontratën fillestare institucioni duhet të zbatoj nenin 35.3 të LPP-se.
Kontrata për “Mirëmbajtjen verore dhe dimërore 2021-2022 të rrugëve Nacionale dhe Rajonale – Regjioni Mitrovica LOT 2”, në vlerë 574,015 euro (aneks kontrata në vlerë 54,634 euro) ka skaduar me datë 15.07.2022.
“Pas skadimit të kontratës me datë 16.08.2022, ministria me operatorin e njëjte ka aprovuar një Urdhër-variacion duke ndryshuar termat dhe kushtet e kontratës. Ky ndryshim ka të bëjë me zgjatjen e afatit të kontratës për 30 ditë, si dhe zëvendësimin e 34 pozicioneve të pashfrytëzuara nga kontrata fillestare në vlerë 97,972€ me nëntë pozicione të reja të cilat nuk kanë të bëjnë fare me shërbimin e njëjtë por kanë të bëjnë me zgjerimin e rrugës për një shirit qarkullimi. Për këto pozicione nuk ka pasur çmime të përcaktura në kontratën fillestare”, thuhët në raportin e ZKA-së.
Sipas auditorit, në këtë rast, Ministria ka vepruar në mos-përputhje me nenin 35.3 të LPP-së duke mos aplikuar procedurën e duhur për kryerjen e punës. Vlera e realizuar për zgjerimin e rrugës ishte 96,409 euro.
“Realizimi dhe pranimi i punëve pa procedurën e duhur të ndryshimit të kontratës mund të shkaktojë shpenzime më të larta se çmimi përkatës i tregut dhe kualitet jo të mirë të punës.Ministri duhet të siguroj që çdo shpenzim të jetë i mbështetur në kontratën përkatëse, po ashtu të sigurojë që zhvillohen procedurat e duhura të prokurimit”, thuhet në raportin e auditimit.
Tejkalim i pagesave për kontratat me çmim për njësi
Neni 56.15 i RrUOPP, përcakton se kurdo që Autoriteti Kontraktues nuk dinë sasitë indikative, kontratat me çmime për njësi, AK duhet të përcaktoj peshët në bazë të rëndësisë së secilës “kategori të shërbimeve” ose secilit “artikull” në mënyrë që AK të përcaktoj se cila është oferta me çmim më të ulët. Në këto raste nuk vlen pragu apo tavani plus/minus tridhjetë përqind.
Në dy raste, auditori ka identifikuar se ministria ka përdorur kontratat publike kornizë me çmim për njësi dhe përkundër rregullave ka aplikuar pragun apo tavanin plus/minus tridhjetë përqind (30%). Kjo ka rezultuar me tejkalim të vlerës së këtyre kontratave për 1,369,651€ (në vlerë të përbashkët).
Kontrata për “Mirëmbajtje rutinore dhe dimërore e Auto Udhës A6 (Arbër Xhaferi)-Segmenti: Konjuh – Doganaj, L-32.82km” është nënshkruar me 11.03.2019 me çmim për njësi 200€. Si pasojë e aplikimit të pragut apo tavanit plus/minus tridhjetë përqind (30%), vlera e kontratës për tre vite është tejkaluar për 724,375€.
Lidhur më ketë tejkalim të kontratës, Periskopi ka raportuar para disa ditëve, dhe ka bërë një seri shkrimesh lidhur me këtë tender. Në këtë rast, auditori nuk është marrë me shkeljet më të renda që kanë ndodhur në këtë kontratë, siç janë sasitë e kontraktuara, por që nuk janë realizuar, dhe më pas ministria ka bërë edhe pranim teknik për projektin në fjalë (shihe shkrimin)
Lidhur me tejkalimin ligjor të kontratës, ZKA ka gjetur shkelje edhe tek Kontrata për “Mirëmbajtje rutinore dhe dimërore e Auto Udhës A6 (Arbër Xhaferi)-Segmenti: Doganaj – Hani i Elezit, L-20.07km” e cila është nënshkruar me 05.06.2019 me çmim për njësi 81.24€. Si pasojë e aplikimit të pragut apo tavanit plus/minus tridhjetë përqind (30%), vlera e kontratës për tri vite është tejkaluar për 645,276 euro.
“Kjo ka ndodhur si pasojë e mos funksionimit të duhur të kontrolleve lidhur me pajtueshmërinë ligjore gjatë realizimit të kontratave me çmim për njësi. Mos-respektimi i dispozitave ligjore sipas llojit të kontratave ndikon në tejkalim të shpenzimeve dhe njëkohësisht sjellë vështirësi në realizimin e projekteve të tjera të ministrisë. Ministri duhet të sigurojë përmes zyrtarëve përgjegjës kontrolle të duhura në respektimin e dispozitave ligjore, përkatësisht kushteve të pagesave të parapara sipas llojit të kontratave, në mënyrë që të mos krijohen shpenzime përtej planifikimit të tyre kontraktual”, ka shkruar auditori në raport.
Ndryshime në sasitë e paramasës pa aprovim paraprak
Neni 61.22 dhe 61.23 të Rregullave dhe UOPP theksojnë se aty ku ndryshohet kontrata me qëllim të ndryshimit të termave dhe kushteve fillestare, ndryshimi i kontratës do të përgatitet nga departamenti i prokurimit, si dhe ndryshimi i kontratës nuk do t’i lëshohet operatorit ekonomik para marrjes së aprovimit nga ZKA.
Por, auditori ka gjetur se për kontratën “Ndërtimi i Autoudhës A7.1- Dheu i Bardhë-Udhëkryqi Bresic Loti 1” në vlerë 18,468,427 euro, ka pasur ndryshime të sasive të realizuara në tre pozicione të kontratës në vlerë 114,055 euro, duke rritur/zvogëluar sasinë e kontraktuar por pa rritur çmimin total të kontratës.
“Këto ndryshime ishin bërë pa aprovim paraprak nga ZKA dhe pa njoftim të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore”. Ka vërjetur auditori. Migjethkëtë, ky projekt, i cili njihet edhe si Autostrada e Gjilanit, tashmë është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për favorizime të ndryshme të lidhjeve të kontratave.
Periskopi ka bërë disa raportime lidhur më këtë projekt, i cili është në prag të dështimit. Njëri prej shkrimeve hulumtuese ka të bëjë me atë se dyshohet se me faturë të falsifikuar, u avulluan 379 mijë.
Shkelje në projektin “Sanimi i rrëshqitjes së rrugës në hyrje të Autostradës nga rruga Nacionale N2 në Mazgit”
Neni 8.4 i rregullores nr. 02/2013 – për Menaxhimin e pasurisë jofinanciare në OB përcakton që: Zyrtari Kryesor Administrativ me vendim formon
Komisionin për Pranimin e Pasurisë jo Financiare që ka përgjegjësitë të bëjë verifikimin e sasisë, cilësisë, llojin dhe vlerën e pasurisë jo financiare të pranuar dhe të dokumentuar me procesverbal që janë në pajtim me kontratën apo urdhër blerjen. Më tutje sipas nenit 8.7 të kontratës “Obligimet e kontraktuesit” përcaktohet se: Kontraktuesi do të sigurojë për cilësinë e punës dhe për cilësinë e materialeve dhe cilësisë profesionale për realizimin e punëve të kontraktuara.
“Sipas informatave të siguruara nga ministria dhe nga ekzaminimi fizik ende nuk janë konstatuar shkaqet përfundimtare të këtij dëmi dhe përmirësimet nuk kanë ndodhur. Mos sanimi i dëmtimeve nga ministria rezulton me shpenzime të paarsyeshme duke mos përmbushur qëllimin e kontratës si dhe rrezikon dëmtimin e mëtejshëm të rrugës”, ka shkruar auditori.
Vonesa në realizimin e projekteve
Në kontratat e nënshkruara ndërmjet ministrisë dhe operatorëve ekonomik përcaktohet afati kohor për realizimin e punimeve.
Në shtatë raste, auditori ka vërejtur që punimet nuk ishin realizuar sipas planit dinamik siç parashihej me kontratë. Rastet e identifikuara janë:
Kontrata “Ndërtimi i Tranzitit në Malishevë ‘’ loti 1, në vlerë 959,026€ ishte nënshkruar me datë 14.06.2019. Sipas kontratës data e fillimit të punëve ishte 04.07.2019, dhe përfundimi për 180 ditë pune. Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2022, përkatësisht për më shume se tre vite ishte 125,589€, apo 13% e vlerës së kontraktuar.
Kontrata “Rehabilitimi i rrugës Rajonale R-108, Segmenti II” në vlerë 3,789,533€ ishte nënshkruar me datën 09.07.2019. Sipas kontratës data e fillimit të punëve ishte 28.07.2019, dhe përfundimi për 705 ditë pune ose rreth 25 muaj (aneks kontrata me datën 23.09.2021 në vlerë 378,593€ me afat për 120 ditë pune). Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2022, përkatësisht për më shumë se tre vite ishte 2,771,478€ apo 66% e vlerës së kontraktuar.
Kontrata “Ndërtimi i Autoudhës A7.1- Dheu i Bardhë-Udhëkryqi Bresic Loti 1” në vlerë 18,468,427€ ishte nënshkruar me datën 13.02.2018. Sipas nenit 7 të kontratës, afati kohor i përfundimit të punimeve është 30 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Lidhur me këtë projekt ishte nënshkruar edhe një aneks kontratë me datën 14.06.2019 në vlerë 1,843,392€ me afat 60 ditë për realizim të punëve. Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2022 ishte 13,413,652€ apo 73%.
Kontrata “Furnizimi dhe instalimi i pajisjeve sinjalizuese ndriçuese, numëruesve Automatik Radar si dhe i pajisjeve radar vetëdijësues” në vlerë 302,674€ ishte nënshkruar me datë 08.08.2022. Sipas nenit 6.4 të kontratës, data e fillimit të punëve ishte 5 ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe realizimi i punëve maksimum 90 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës. Vlera e punëve të realizuara deri në përfundim të auditimit, ishte 57,650€ apo 19%. Arsyet e mos-realizimit me kohë ishin vonesat në liferimin e produkteve nga prodhuesi tek OE.
Kontrata “Ndërtimi i Urës në rrugën Nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë” në vlerë 390,254€ ishte nënshkruar me datën 14.04.2022. Sipas kontratës afati i përfundimit të punëve ishte 130 ditë pune nga data e nënshkrimit të kontratës, sipas planit dinamik. Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2022, ishte 61,585€ apo 16%.
Kontrata “Renovimi i objektit të Departamentit për menaxhim të rrugëve DMRR” në vlerë 155,277€ ishte nënshkruar me datën 23.09.2022. Sipas kontratës afati i përfundimit të punëve ishte 3 muaj. Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2022, ishte 65,228€ apo 42%. Për këtë projekt kemi bërë edhe ekzaminim fizik dhe deri në periudhën 15.05.2023 renovimet në objekt nuk kishin përfunduar.
Kontrata “Asfaltimi i Rrugës lokale nga kryqëzimi N25 – Grejkoc –Rrafshi Livadheve” kontrata në vlerë 2,980,445€ ishte nënshkruar me datën 06.05.2020 (aneks kontrata me vlerë 297,248€ me datën 03.12.2021), dhe realizimi i punëve ishte për 15 muaj. Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2022 ishte 954,039€ apo 29% e vlerës së kontraktuar.
Auditori ka shkruar se, vonesat e theksuara në projekte janë pasojë e problemeve me shpronësimin e tokave, elaborati i pakompletuar i shpronësimit, gabimet në projektin ekzekutiv, projektet gjatë realizimit të punëve kanë rezultuar se nuk përshtaten me gjendjen e terenit, mungesa e mjeteve buxhetore, inflacioni etj.
Ky raport ka rezultuar me 20 rekomandime, prej tyre tre janë rekomandime të reja, 14 rekomandime të përsëritura dhe tre (3) rekomandime pjesërisht të përsëritura.
Lidhur më të gjitha të gjeturat, si dhe më nivelin e zbatimit të rekomandimeve të kalluara, ZKA, i ka dhënë MMPHI-së një “Opinioni i kualifikuar”.
Ky opinion formulohet kur janë zbuluar keq-deklarime dhe/ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keq-deklarimi dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë me ose tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse ka kufizim të fushëveprimit, i cili mund të mos shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e). /Periskopi/












