Osmani: Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit

Osmani: Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se procesi i dialogut me Serbinë, nuk duhet të përdoret “për ta normalizuar” presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Le të jemi të sinqertë. Po flasim për një autokrat. Po përballemi me një shtet që nuk ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e kryer ndaj njerëzve të […]

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se procesi i dialogut me Serbinë, nuk duhet të përdoret “për ta normalizuar” presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Le të jemi të sinqertë. Po flasim për një autokrat. Po përballemi me një shtet që nuk ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e kryer ndaj njerëzve të mi, por Kosova, në të njëjtën kohë, e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, për të qenë konstruktive dhe e angazhuar. Janë nënshkruar mbi 40 marrëveshje në Bruksel, dhe lista e shkeljeve nga ana e Serbisë është shumë-shumë e gjatë”, ka thënë Osmani, në një bisedë me Këshillin Atlantik në Uashington.

Këshilli Atlantik është institut amerikan që merret me çështje ndërkombëtare.

E pyetur për rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka thënë se duhet pasur shumë kujdes për rrugën që mund të marrë dialogu.

“Teksa ka tentime për ta bërë atë temë më të rëndësishme sesa të tjerat, unë mendoj që kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për të ardhmen e dialogut. Ne nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që nënkupton vetëm vonesa dhe zvarritje të procesit. Serbisë nuk i intereson minoriteti serb, por i intereson vetëm që ta ketë një instrument, përmes të cilit do të mund ta sfidojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

Ajo e ka komentuar edhe draft-statutin për Asociacionin, të prezantuar më 2 maj, nga një ekip menaxhues, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.

“Pika fillestare duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës. Jo propozimi i Serbisë që synon të krijojë një tjetër republikë të [udhëheqësit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad] Dodikut, apo edhe më keq, në rajon… ndërsa draft-vizioni i Qeverisë i ka prezantuar parametrat, mbi të cilët do të mund të formohet statuti dhe i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Kushtetutës”, ka thënë ajo.

Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se draft-statuti i prezantuar, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.

Si përgjigjje, ai e ka prezantuar më pas një draft-vizion, që, sipas tij, rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Disa burime në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, ditë më parë, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Mbështetja për anëtarësim në Partneritetin për Paqe

Përgjatë bisedës Osmani i ka përshëndetur lidhjet me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se SHBA-ja është partnerja kryesore e Kosovës në NATO.

“Kosova ka marrë garanci nga partnerët, që nëse pajtohemi me pikat e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, një pikë në të cilën do të marrë shumë mbështetje, lidhet me anëtarësimin në Partneritetin për Paqe”.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në këtë program.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në realizim të këtij synimi ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës.

Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 26 prej tyre, ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo.

Perëndimi të mos lejojë vakum për Rusinë dhe Kinën në Ballkan

E pyetur për ndikimin potencial të luftës së Rusisë në Ukrainë, në rajonin e Ballkanit, Osmani ka thënë se lufta prek të gjithë njerëzit në Evropë.

“Pse është Ballkani Perëndimor më i rëndësishëm në këtë aspekt? Do të thosha për faktin se, historikisht, Rusia ka treguar interesim që ta përdorë atë pjesë të Evropës për ta destabilizuar pjesën tjetër të Evropës”.

Ajo ka vlerësuar që është shumë e rëndësishme që Perëndimi të mos lejojë vakum, i cili më pas mund të shfrytëzohet nga Rusia dhe Kina, në rajonin e Ballkanit.

“Kur e analizojmë rolin e Rusisë, nuk mund ta analizojmë kurrë ndaras prej mënyrës se si sillet Serbia. Kjo e fundit është vetëm një kopje e veprimeve të [presidentit rus, Vladimir] Putinit. Ndonëse Vuçiq me raste flet si duhet, ai kurrë nuk i jetëson ato. Ai e bën krejtësisht të kundërtën. Ai e ka rritur bashkëpunimin me Rusinë, në ushtri, në fushën e ekonomisë dhe politikës, regjimi atje është autokratik, pa liri të mediave, të shprehjes, pa shoqëri civile, dhe i gjithë rrjeti kriminal po përdoret për t’i destabilizuar vendet fqinje”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?