Lajçak: Vëmendje e plotë tash për normalizim e implementim të marrëveshjeve

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi se vëmendja e palëve në dialog duhet të jetë plotësisht në normalizim dhe implementim të marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Emisari evropian, ka shkruar në profilin e tij në Twitter se në takimin e së enjtes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në […]
Emisari evropian, ka shkruar në profilin e tij në Twitter se në takimin e së enjtes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë ka diskutuar për pritjet që ka nga takimi i javës së ardhshme të kryenegociatorëve.
“Para takimit të javës së ardhshme në nivel të kryenegociatorëve, kam vizituar Kosovën. Me kryeministrin Albin Kurtin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kam diskutuar për pritjet për javën e ardhshme. Vëmendja jonë e plotë duhet të jetë tash në normalizim dhe implementim të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit”, ka shkruar Lajçaku në Twitter. 
Gajtë ditës i dërguari i posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka paralajmëruar një takim mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe të ashtuquajturit, shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Perkoviq, të hënën në Bruksel.
Ai ka thënë se me kryeministrin, Albin Kurti ka diskutuar për hapat e ardhshëm në dialogun me Serbinë, për çka ka thënë se presin normalizim të marrëdhënieve mes palëve.
“Erdha në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, tha Lajçak.