Krasniqi: Largimi i të rinjve nga Kosova shkak i qeverisjes së paaftë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur takim të përbashkët me kryetarët e Degëve të PDK-së, ku kanë trajtuar çështje që kanë të bëjnë me zhvillimet politike në nivelin qendror dhe lokal në vend. “Duke u nisur nga vizitat që kam bërë gjithandej nëpër Kosovë, si dhe nga takimet e përditshme që […]
“Duke u nisur nga vizitat që kam bërë gjithandej nëpër Kosovë, si dhe nga takimet e përditshme që kanë kryetarët e Degëve të PDK-së më bashkëqytetarët e tyre, ndamë shqetësimin e përbashkët për rritjen enorme të numrit të qytetarëve që po largohen nga Kosova për shkak të qeverisjes së paaftë të nivelit qendror e cila nuk po mbështetë projektet e komunave si dhe nuk po realizon asnjë nga premtimet e shumta që kishte dhënë para qytetarëve”, tha Krasniqi, përcjell Reporteri.net.
“Për fat të keq, shifrat tregojnë që janë të rinjtë ata të cilët në masë të madhe e kanë humbur shpresën se mund ta zhvillojnë potencialin e tyre duke jetuar këtu”, shtoi ai.
Kryetari Krasniqi theksoi se Kosova nuk do të mund të bëjë hapa përpara pa kapacitetet dhe energjinë e rinisë, e cila është motori i zhvillimit dhe avancimit të shtetit tonë.
Ai tha se është obligim i secilit prej nesh për t’u angazhuar në rikthimin e besimit dhe shpresës te qytetarët në mundësitë që ofron vendi ynë.
I pari i PDK-së dhe kryetarët e Degëve të PDK-së u dakorduan për nevojën e zgjerimit të komunikimit me të gjithë qytetarët, pa dallim, kudo nëpër Kosovë, për të parë nga afër nevojat dhe kërkesat që ata kanë, si dhe për të definuar mënyrat e adresimit sa më të mirë e më serioz të tyre.
“Së bashku mund ta ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona – një vend me mirëqenie të lartë dhe cilësore, një vend ku secili qytetar jeton dhe trajtohet dinjitetshëm”, shkroi ai.












