Kontratat më negocim të ministrisë së Liburn Aliut, Auditori: Ministria nuk kishte zhvilluar si duhet procedurat e prokurimit

Kontratat më negocim të ministrisë së Liburn Aliut, Auditori: Ministria nuk kishte zhvilluar si duhet procedurat e prokurimit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës me temën “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”. Objektiva e këtij auditimi ishte të vlerësohet se sa ishte i arsyeshëm dhe në përputhje me kornizën ligjore të prokurimit përdorimi i procedurës së […]

Vetëm në vitin 2021 Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte kontraktuar afër gjashtë milion euro për 26 kontrata aneks, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Prej tyre Auditori ka audituar 13 kontrata vlera e të cilave është mbi 4 milion euro apo afër 70% e vlerës së kontratave të lidhura gjatë vitit me këtë procedurë. Procedurat e prokurimit për kontratat në bazë të së cilave Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i kishte lidhur kontratat aneks janë zhvilluar në vitin 2018-2019

Ministria nuk kishte zhvilluar si duhet procedurat e prokurimit

Rëndom ministria duhet të identifikojë saktë se cilat janë punët që duhet të përfshihen në kontratën e negociuar, dhe a i mbulon kjo kontratë të gjitha aspektet e projektit/kontratës bazë (a përfundohet projekti me këtë kontratë aneks).

Ligji i prokurimit publik ka paraparë që kontratat për punë të kenë mundësi të plotësohen me një kontratë aneks, qëllimi i së cilës është që finesat e projektit, që eventualisht mund të mos jenë përfshirë në kontratën bazë, të përfshihen në aneks kontratë. Punët shtesë të secilit projekt që është në vijim duhet të identifikohen dhe të përfshihen në aneks kontratë dhe kjo duhet të jetë e mjaftueshme për të përfunduar plotësisht projektin.

Sipas ZKA, ministria kishte identifikuar nevojat për secilën kontratë veç e veç, kishte themeluar komisione për vlerësimin e punëve shtesë, pas kërkesës së MK-së për to.

“Në të gjitha rastet komisionet kishin miratuar pikë për pikë secilin pozicion që MK-ja kishte konsideruar se duhet t’i shtohet kontratës bazë. Sipas intervistës së zhvilluar me njërin nga kryetarët e komisionit për miratimin e punëve shtesë, kemi gjetur se komisionet vetëm formalisht i shqyrtojnë kërkesat e MK-së për shkak se nuk janë në gjendje që vetë të matin/kalkulojnë para-masën e punëve shtesë (nevojitet një gjeodet dhe pajisje gjeodezike, burime këto që i mungojnë Ministrisë, si dhe softuer për të kalkuluar saktë sasitë e pozicioneve të punëve shtesë)MK-të mbështetën në matjet që i bëjnë gjeodetët dhe pajisjet, gjegjësisht kalkulimet e OE-ve të kontraktuar për ndërtim të rrugës. Përveç raportit me shkrim të komisionit ), nuk kishte dokument tjetër në dosje të komisionit që provonte se sasitë shtesë të miratuara korrespondonin me punët shtesë që duhej kryer”, ka gjetur Auditori.

Përveç kësaj, në dy raporte të komisioneve për vlerësim të punëve shtesë ishte konstatuar se projektet/kontratat përkatëse kishin nevojë për punë shtesë, vlera e përllogaritur e të cilave e tejkalonte 10% të vlerës së kontratës bazë. Kjo do të thotë se punët shtesë të nevojshme për të përfunduar plotësisht projektin, sipas MK-së dhe komisionit, ishin aq voluminoze dhe përcilleshin me kosto aq të lartë sa që vetëm një kontratë aneks nuk mjaftonte për të kryer të gjitha punët. Kështu në rrugën Dragash – Brod, komisioni kishte miratuar vetëm pjesërisht kërkesën e MK-së për punë shtesë, vetëm aq sa mbulonte 10%, ndërsa për pjesën tjetër kishte rekomanduar që të zhvillohet aktivitet tjetër i prokurimit.

Sipas auditorit, praktikë e njëjtë ku Ministria nuk ka identifikuar nevojat si duhet është edhe tek segmenti Dollc-Gjakovë Llot 3, në këtë rast raporti i komisionit ka rezultuar që nevoja për punë shtesë është 25.89% e vlerës së kontratës, ku 10% është kontraktuar me kontratë aneks ndërsa 15.89% ka mbetur që të realizohet me procedurë të re të prokurimit.

“E njëjta kishte ndodhur edhe në rrugën Lubozhdë – Lugu i butë, ku me 10% ishte mbuluar vetëm një pjesë e punëve shtesë që i kishte kërkuar MK-ja. Rasti tjetër kishte ndodhur në rrugën Deçan – Mali i zi ku 10% të aneksit nuk ishin as afërsisht të mjaftueshme për ta përfunduar projektin.

Kishte edhe punë/pozicione të tilla që nuk ishin përfshirë fare në kontratën bazë. Për të përcaktuar çmimin e këtyre pozicioneve Ministria kishte aplikuar një metodologji që konsistonte me përzgjedhje të tri kontratave të mëhershme të Ministrisë që përmbanin pozicionet në fjalë duke kalkuluar mesataren e thjeshtë të çmimeve. Çmimet përkatëse të këtyre tri kontratave mblidheshin dhe pjesëtoheshin me tre për të nxjerrë çmimin për pozicion për kontratën aneks”

Auditori ka gjetur se një numër i konsiderueshëm i stafit që Ministria i kishte caktuar në komisione për vlerësimin e punëve shtesë, e shpesh si kryetar të komisioneve, ishin nga DMRr-ja, gjë që potencialisht mund të paraqet konflikt interesi për arsye se stafi i caktuar në komisione ishin njëkohësisht edhe menaxherë të kontratave në projekte tjera. Fakti që kjo potencialisht paraqet konflikt interesi mund të rris rrezikun e vlerësimit joadekuat të punëve shtesë pasi që projektet që ata i menaxhojnë do të vlerësohen nga stafi që në këtë rast janë kërkues të punëve shtesë, në rast se parashtrojnë kërkesa për punë shtesë në projektet e tyre.

Me gjithë këto punë shtesë të kërkuara, të miratuara në parim, por ende të pa kontraktuara, rezulton se kosto për përfundimin e plotë të këtyre projekteve nuk do të mund të kufizohet me vetëm 10% të kontratave bazë. . Me fjalë tjera, shifrat në ligjin e buxhetit për projektet në fjalë, ato të ndara dhe të projektuara për vitet në vijim, nuk janë as të përafërta me ato që pritet të rezultojnë kur të përfundojnë projektet. Sa do të jetë kostoja shtesë e këtyre projekteve do të mund të dihet vetëm kur të jenë përfunduar tërësisht këto projekte.

Kontrata aneks nuk i plotëson projektet tërësisht

Pasi të jetë justifikuar përdorimi i procedurës, Ministria duhet të identifikojë saktë se cilat janë punët që duhet të përfshihen në kontratën e negociuar, dhe a i mbulon kjo kontratë të gjitha aspektet e projektit/kontratës bazë (a përfundohet projekti me këtë kontratë aneks). Katër kontrata aneks që janë lidhur për shkak të nevojës për plotësim/ndryshim të projektit fillestar rezultojnë se nuk e janë të mjaftueshme për të përfunduar plotësisht projektin.

Rasti i tillë vlen për projektin për rrugën Deçan – Mali i zi, të cilin Ministria e kishte ndryshuar në masë të konsiderueshme pasi që e kishte kontraktuar. Efektin më të madh financiar e kishte ndryshimi i gjerësisë së rrugës nga gjashtë metra në shtatë metra, me kërkesë të Kryetarit të Komunës së Deçanit. Ky ndryshim jo vetëm që e kishte shtuar sasinë e materialit të nevojshëm për ndërtuar rrugën, por e kishte shtuar edhe sasinë e gërmimeve e në veçanti të gërmimeve të kategorisë së VI-VII (material guror) ku ka nevojë të përdoret edhe eksplozivi. Ndërsa plotësimet kishin të bëjnë me zëvendësimin e lëshesave10 gypore me lëshesa pllakore në mënyrë që rruga t’i përballojë më mirë reshjet atmosferike. Këto ndryshime u reflektuan me reduktim të rrugës nga 14.5 km në 9 km. Ky projekt që pritej të përmbyllej me një kosto prej 3,8 milion euro tanimë kostoja e tij është rritur në 4,1 milion euro vetëm për gjatësinë e rrugës prej 9 km, ndërsa pjesa e mbetur e rrugës, prej 5,5km do t’i shkaktojë Ministrisë kosto shtesë, të cilat ende nuk i ka përllogaritur. Por në rast se Ministria do të mund t’i kontraktojë pjesën e mbetur të rrugës me çmimet e njëjta si në kontratën bazë, kostoja shtesë do të arrinte vlerën prej 2,642,711 euro ose 64% e vlerës së kontratës bazë.

Edhe projekti për ri-ndërtimin e rrugës Dragash – Brod Llot 2, sikurse edhe në rastin e

mësipërm, me intervenim të Kryetarit të Komunës së Dragashit, Ministria kishte vendosur që rrugën ta zgjeronte nga 5 metra në 6 metra, me çka gjatësia e projektuar e rrugës prej 12,3 km mund të realizohej vetëm në 9 km. Pjesa e mbetur e rrugës do t’i shkaktojë Ministrisë kosto shtesë të cilën Ministria as nuk e ka kalkuluar sepse ende nuk i ka identifikuar pozicionet që e mundësojnë përfundimin e tërësishëm të projektit. Përderisa kontrata për këtë projekt të ri-formatuar, ende nuk është përfunduar, Ministria ende nuk ka nisur aktivitet të ri të prokurimit për pjesën e mbetur të rrugës.

E njëjta situatë ku aneks kontrata nuk plotëson tërësisht projektin është edhe tek kontrata e Auto-udhës A7.1, Llot 2, ku do të ndërtohet nën-kalimi i cili sipas komisionit pritet që Ministrisë t’i shkaktojë kosto. Ministria ka shpallur tenderin për ndërtimin e këtij nënkalimi vlera e parashikuar e të cilit është një milion euro ose 17% e vlerës së kontratës bazë.

Tek “Zgjerimi i Rrugës Nacionale M9.1” segmenti Dollc-Gjakovë, 15.89% e punëve shtesë dhe të paparashikuara kanë mbetur të pa kontraktuara, Komisioni për shqyrtimin e kërkesës së MK-së, pas konsultimeve me projektuesin, ka konstatuar që vlera e kërkesës për punë shtesë dhe të paparashikuara arrin mbi një milion euro. Kontrata bazë kishte çmimin afër katër milion euro që do të thotë se aneks kontrata mund të ketë vlerë jo më shumë se 400 mijë euro (kontrata së bashku me aneksin arrinin 4.4 milion) pra, këtij projekti për t’u përfunduar plotësisht i nevojiten edhe mbi 600 mijë euro shtesë.

Shkaktar për këtë gjendje ku kontratat aneks nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kostot e projektit është identifikimi jo i duhur i nevojave në fazën e projektimit.

Ky identifikim jo adekuat ka rezultuar me ndryshime substanciale në projekt, pas kontraktimit.

Për pasojë Ministria ishte ballafaquar, dhe vazhdon të ballafaqohet me kosto shtesë që tejkalojnë limitet e lejuara me ligjin e prokurimit publik dhe me projeksionet buxhetore.

Ministria nuk ka hartuar si duhet specifikimet teknike në kontratën bazë

Punimi i shqyrtimeve gjeo-mekanike (shpimet në thellësi 8-15 m, analizat laboratorike dhe punimi i elaboratit gjeo-teknik) janë të nevojshme për punimin e projektit kryesor të rrugës.

Ministrisë i kishte munguar elaborati gjeo-mekanik në tri projekte që kemi audituar nga gjithsej tetë ku aplikohet kjo kërkesë. Këto janë: “Asfaltimi i rrugës Babush-Tern-LubocKoshare-Slivovë”, “Ndërtimi i rrugës Lubozhdë-Lugu i butë” dhe “ndërtimi i rrugës Dragash-Brod”.

Projektuesi nuk e kishte bërë fare shqyrtimin gjeo-mekanik për projektin “Asfaltimi i rrugës Babush-Tern-Luboc-Koshare-Slivovë”. Në para-masën e këtij projekti, projektuesi kishte përcaktuar më pak sasi të gërmimit të dheut të kategorisë III-IV6 dhe më pak sasi të mbushjes7 se që ishte e nevojshme. Këtë e kishte konstatuar OE-ja gjatë ekzekutimit të kontratës në terren duke përdorur pllakë dinamike rrethore kishte bërë matjet dhe kishte konstatuar se aftësia mbajtëse e tokës ishte shumë e ulët për shkak se ishte tokë argjilore e ndikuar përherë nga ujërat. Përveç kësaj Menaxheri i Kontratës (tutje MK) kishte parashikuar qarkullim të mjeteve të mëdha motorike.

Ndërtimi i rrugës Lubozhdë-Lugu i butë, nuk kishte elaborat gjeo-mekanik prandaj sasitë e projektuara të gërmimit të dheut dhe formacionit shkëmbor nuk përputheshin me gjendjen në terren. Menjëherë pas fillimit të punimeve MK kishte bërë kërkesë për sasi shtesë të disa pozicioneve të specifikuara në kontratë. Ministria, përkatësisht komisioni për vlerësimin e kërkesës, e kishte miratuar kërkesën për punë shtesë.

Projekti për ndërtimi i rrugës Dragash-Brod nuk ishte i plotë sepse i mungonte elaborati gjeo-mekanik. Projektimin e kishte kontraktuar Komuna e Dragashit, ndërsa Ministria e kishte marrë përsipër kontraktimin për ndërtim. Me të dalë në terren për të ekzekutuar kontratën, MK-ja së bashku me kontraktuesin kishin vërejtur se projekti ka nevojë për ndryshim/plotësim. MK-ja dhe OE-ja kishin konstatuar, ndër tjera, se aftësia mbajtëse e materialeve nën shtresën e asfaltit ishte e ulët, gjë që projektuesi nuk e kishte marrë parasysh kur e kishte hartuar projektin. Për pasojë sasitë e materialit mbushës të projektuara në para-masë duhej shtuar gjë që e rriste edhe koston e projektit.

Ministria ka pranuar projektet nga komunat (Ferizaj, Dragash dhe Istog) pa u siguruar se i kanë elaboratet gjeo-mekanike. Për shkak të mungesës së elaborateve gjeo-mekanike dhe gjeodezike, Ministria ka hasur në probleme gjatë zbatimit të kontratave sepse pozicione të caktuara në kontratë nuk përputheshin me gjendjen në terren, në aspektin sasior. Për pasojë Ministria kishte lidhur aneks kontrata, të negociuara.

Elaborate gjeo-mekanike jo të sakta

Sic ka gjetur auditori, Ministria kishte hasur në probleme gjatë zbatimit të kontratave edhe në projektet që ishin përcjellë me elaborat gjeo-mekanik. Në katër projektet tjera që janë mostër e këtij auditimi elaboratet gjeo-mekanike nuk përputhen me gjendjen reale në terren.

Për zgjerimin e rrugës Nacionale N9.1 Dollc-Gjakovë, Ministria e kishte elaboratin gjeomekanik megjithatë pasi që ishin nënshkruar kontratat, gjatë zbatimit, MK-ja dhe OE-ja kishin gjetur mos përputhje në kategoritë e dheut që duhej gërmuar. Sipas elaboratit, në bazë të së cilit projektuesi kishte hartuar para-masën e projektit, duhej gërmuar kategoria V dhe VI e dheut, ndërsa OE-ja gjatë gërmimit kishte hasur në dheun e kategorisë VII dhe VIII që përbëhet kryesisht nga shkëmbinj. Kështu OE-ja është dashur të angazhohet më shumë (punë shtesë) për të kryer këtë gërmim. Këto punë shtesë ishin rezultat i mos përputhjes mes matjeve gjeologjike dhe gjeo-mekanike të kryera nga projektuesi dhe atyre të kryera nga OE-ja (kompania ndërtuese), kjo sipas MK-së dhe Komisionit për miratimin e punëve shtesë.

“Projekti i hartuar për segmentet e rrugës “Dollc-Gjakovë” dhe “Rakovinë -Dollc” kishte mos përshtatje të projektit me gjendjen faktike në terren. Ri projektimi kishte paraparë sasi shtesë për forcimin e tokës dhe zëvendësimin e dheut.

Në auto-udhën A7.1 Banullë – Bresalc, në Llot-in 2, OE-ja kishte gjetur mospërputhje mes pozicionit të gërmimit të projektuar dhe atij të realizuar, me mbi 27,000 m³. Këtë mospërputhje e kishte konstatuar edhe komisioni i themeluar enkas për shqyrtimin e punëve shtesë. Ky pozicion, së bashku me pozicionet tjera përcjellëse, e rrit koston e projektit për mbi 100 mijë euro”, shkruan në raport tw ZKA-së

Po sipas auditorit, bazuar në projektet që kishte porositur dhe pranuar pa rishikim të mjaftueshëm në terren, Ministria ka zhvilluar aktivitete të prokurimit (me procedurë të hapur) që kanë rezultuar me kontrata për ndërtim të rrugëve, në vend se t’i rishikonte këto projektet në detaje të mjaftueshme, duke dalë në terren që së paku në disa pika përgjatë projektit të merrte mostra dhe t’i krahasonte për të parë se a përputhen me projektin e hartuar. Vetëm pasi t’i ketë rishikuar dhe verifikuar këto pika, dhe të sigurohej se projekti i hartuar përputhet me kushtet në terren dhe se para-masa përputhet me projektin e hartuar/pranuar, do të duhej ta publikonte tenderin

Mos përfshirja e të gjitha objekteve në rrugë nga projektuesi

Matjet gjeodezike dhe elaboratet e shpronësimit duhet të bëhen me kohë, si parakusht dhe pjesë përbërëse e secilit projekt kryesor të hartuar për ndërtimin e rrugëve.

Ministria, gjegjësisht projektuesi, sipas auditorit, nuk i kishte identifikuar dhe përfshirë në projekt të gjitha objektet që preken nga projekti rrugor.

“Kjo kishte ndodh në projektin “Zgjerimi i rrugës Nacionale N9.1” segmenti Rakovinë – Dollc ku projektuesi nuk kishe paraparë rrënimin e disa objekteve komerciale të cilat gjendeshin përskaj rrugës, e që paraqisnin pengesë për ndërtimin e një mbikalimi të paraparë në projekt. Gjithashtu varrezat që ndodheshin përskaj rrugës duhej mbrojtur me një mur betoni me gjatësi 65 metra, e që nuk ishe përfshirë në projektin fillestar, si dhe ndërtimi i një zgjidhjeje (rreth-rrotullimi) për t’iu mundësuar kyçje disa lokaliteteve në rrugën e re nuk ishte përfshirë në projekt. Prandaj MK-ja kishte bërë kërkesë për punë shtesë dhe komisioni për vlerësim e punëve shtesë e kishte aprovuar kërkesën e tij. Vlera e kontratës aneks është 523,913€ ose 9.65% e kontratës bazë.

Në projektin për ndërtimin e “Auto-udhës A7.1 Llot 2” projektuesi e kishte paraparë që rruga të kalojë nën rrjetin elektrik , mirëpo nuk e kishte pasur parasysh distancën vertikale mes rrugës dhe përçuesve elektrik, që ishte shumë e vogël. Me standarde (sipas MK-së) nuk është e lejuar që rrjeti i tensionit të lartë (energjia elektrike) të ketë këtë lartësi prej rrugës. Kështu që projekti fillestar është modifikuar për të mundësuar kalimin e rrjetit nga ajror në nëntokësor gjë që kishte kushtuar 32,000 euro vetëm për këtë pozicion ndërsa vlera totale e kontratës aneks është 138,558 euro’, ka shkruar auditori.

Rruga e ndërtuar i ndan dy vendbanime, banorët e të cilëve qarkullojnë nga njëri vendbanim te tjetri në baza ditore. Projektuesi nuk e kishte përfshirë ndërtimin e një nën-kalimi, për të mundësuar këtë qarkullim, tek rruga ekzistuese natyrale, por e kishte projektuar në një distancë rreth 1km larg rrugës ekzistuese. Me kërkesë të banorëve dhe me insistimin e tyre përmes pengesave që ia kishin bërë OE-së gjatë zbatimit të kontratës, Ministria ishte detyruar të ndërpresë punimet në këtë kontratë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Zgjidhja e përshtatshme ishte ndërtimi i nënkalimit të dytë në lokacionin ku e kërkojnë banorët. Ky ndryshim në projekt nuk mund të mbulohet me 10% të kontratës për punë shtesë, pasi që 10% tanimë është shpenzuar për zhvendosjen e rrjetit elektrik dhe punë të gërmimit, kështu që Ministria ka filluar me aktivitet të ri të prokurimit në mënyrë që të përfundohet ky segment i auto-udhës.

Për ndërtimin e rrugës Dragash-Brod, projektuesi nuk kishte përfshirë në projekt zhvendosjen e disa objekteve (krojeve) që ishin “të shenjta” për qytetarët. Prandaj MK-ja kishte bërë kërkesë që krojet të zhvendosen dhe të ruhen pasi që qytetarët kanë dobi nga to. Ky ndryshim në projekt kishte shkaktuar kosto shtesë, që ishte përfshirë në kontratën aneks të këtij projekti. Kontrata aneks ka vlerën 316,528 euro ose 9.86% të vlerës së kontratës bazë.

Të gjitha këto kërkesa që i kishin parashtruar MK-të, Ministria i kishte trajtuar duke themeluar komisione për shqyrtim dhe të gjitha ishin miratuar.

Mungesa e vizitës në punishte para lidhjes së kontratës, nga ana e Ministrisë, ka ndikuar në mos përfshirjen e të gjitha objekteve në projektin kryesor.

Për shkak të mungesës së vizitës në terren nga projektuesit, projektet nuk ishin përshtatur me rrethanat ekzistuese të terrenit. Për pasojë projektet është dashur të modifikohen për të përfshirë të gjitha objektet të cilat janë të domosdoshme për përfundimin e rrugës. Këto ndryshime janë pasuar me aneks kontrata për punë shtesë dhe punë të paparashikuara që kishin arritur afër 10% të vlerës së kontratës bazë. Gjithsej vlera e aneks kontratave në këto tri projekte arrin 979,000 euro. Përveç kësaj vlera e nënkalimit shtesë është parashikuar të jetë një milion euro, që do të thotë se kostoja shtesë për të gjitha këto projekte deri më tani pritet të jetë afër dy milion euro, pa përfshirë edhe kostot e mundshme për ndryshimet të cilat Ministria i ka vlerësuar të nevojshme por që nuk i ka përllogaritu.

Konkluzionet

Bazuar në gjetjet e prezantuara në raport auditori ka ardhur në përfundim se përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, për kontratat aneks, ishte pjesërisht i arsyeshëm. Procesi i prokurimit ishte dokumentuar mjaftueshëm por në disa raste nuk është arritur vlera për para në projektet që janë kontraktuar sepse Ministria kishte paguar më shumë se 829,000 euro për disa nga projektet e saj për shkak të ri-projektimit pas kontraktimit.

Ministria nuk ka arritur vlerën për para, së paku në njërin nga 13 projektet e ndërtimit të rrugëve që kemi audituar. Kjo kishte ndodhur për shkak se Ministria nuk i kishte marrë të gjitha veprimet për t’u siguruar se projektet e saj janë në përputhje me nevojat në terren. Për pasojë Ministria kishte ndryshuar projektin, ndryshim që i kishte kushtuar Ministrisë mbi 829,000 mijë euro.

Ndryshimet në projekt për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve, tregojnë se Ministria kishte treguar performancë jo të mirë në identifikim të nevojave të projekteve të saj, gjë që ishte reflektuar me kontrata aneks. Vlera e kontratave aneks arrin mbi 5.7 milionë euro vetëm për vitin 2021. Në katër prej 13 kontratave që ne kemi audituar, kontrata aneks nuk mjaftonte për të mbuluar të gjitha kostot e projektit kështu që gjasat janë se

Ministria do të duhet të lidh kontrata tjera për të përfunduar projektet që i ka nisur. Kostot e përllogaritur deri tani, vetëm për tri projekte, përveç kostove të kontraktuara, kap vlerën afër 4,3 milion euro. Këtu duhet theksuar se jo të gjitha punëve shtesë, që janë identifikuar si të nevojshme, iu është përllogaritur vlera financiare. Vlera e parashikuar për njërin nga këto projekte (Auto-udha A7.1) është një milion euro, që tanimë është tenderuar. Për projektin Dollc-Gjakovë vlera e përllogaritur është mbi 640,000 euro dhe për projektin Deçan-Kufiri me Malin e Zi vlera e përllogaritur arrin mbi 2.6 milion euro, bazuar në çmimet e kontratës aktuale. Prandaj përdorimi i procedurës së negociuar, në rastet e lartcekura nuk ishte i arsyeshëm pasi që Ministria kishte ditur se katër nga 13 kontratat aneks nuk mbulonin plotësisht kostot e projekteve në fjalë. Ministria do të duhej që të shmangte përdorimin e procedurës së negociuar, dhe për këto katër projekte do të duhej të zbatonte procedurën e hapur.

Ministria nuk i kishte hartuar si duhet specifikimet teknike (para-masën) në kontratën bazë, pra nuk kishte siguruar shqyrtime adekuate gjeo-mekanike dhe matje gjeodezike për projektet/kontratat e saj për ndërtim të rrugëve. Mungesa e matjeve të duhura ka rezultuar me projekte jo adekuate dhe si të tilla është dashur të ndryshohen. Ky ndryshim ka rezultuar me kosto shtesë (kontrata aneks) në vlerë mbi 4 milion euro për të gjitha projektet e audituara, ndërsa katër prej tyre nuk pritet të përfundohen as me kontrata aneks kështu që kosto shtesë, përveç kostove tanimë të kontraktuara, pritet të jetë afër 4,3 milion euro. Këto ndryshime e kanë obliguar Ministrinë që të ndajë fonde shtesë, mbi vlerën e lejuar prej 10%sipas LPP, për procedura të reja të prokurimit (të hapura).

– Mungesa e elaborateve gjeo-mekanike është një ndër faktorët kryesor për punët shtesë në projektet që kemi audituar në Ministri. Në rastet kur projektet e kishin elaboratin gjeo-mekanik, kërkesa për ndryshimin e pozicioneve të caktuara në kontrata ka ndodhur për shkak se projektuesit nuk e kishin shqyrtuar si duhet konfiguracionin e tokës duke hartuar elaborat gjeo-mekanik që nuk i përgjigjet saktësisht terrenit, ndërsa Ministria nuk e kishte verifikuar si duhet elaboratin para se ta shpallte tenderin.

Identifikimi jo i duhur i nevojave ka shkaktuar mos përfshirjen e të gjitha elementeve përbërëse të rrugës (objektet në dhe përreth rrugës që do të ndërtohej) në projektin e hartuar, dhe mos përputhja e gjendjes në terren me pozicionet e specifikuara në kontratë, në aspektin sasior, kishte shkaktuar ndërprerje të punimeve për të plotësuar/ndryshuar kontratën. Prandaj plotësimi/ndryshimi i kontratave, përveç që kishte shkaktuar vonesa në ekzekutim të tyre, kishte shkaktuar Ministrisë kosto shtesë për të realizuar projektet.

– Caktimi i stafit në komisione për punë shtesë nga DMRr-ja mund të paraqesë konflikt interesi për shkak se të njëjtit janë edhe menaxher të kontratave në projekte tjera. Rrjedhimisht vlerësimi i kërkesave për punë shtesë mund të rezultojë jo adekuat ose i anshëm ose jo i qëndrueshëm.

Si pasojë e mungesës së kontrollit të duhur gjatë pranimit të projekteve dhe mos kthimit në revidim të tyre, Ministria nga gjithsej 13 kontrata të audituara në gjashtë prej tyre ka bërë ndryshim/ri-projektim. Defektet e projekteve janë vërejtur vetëm pas fillimit të ekzekutimit të punimeve në terren.

Ministria nuk është siguruar se kontratat janë zbatuar si duhet në aspektin e cilësisë dhe kohës. Ministria nuk ka arritur t’i përfundojë projektet brenda një kohe të arsyeshme për shkaqe të ndryshme. Ndër to është pranimi i projekteve jo adekuate direkt nga projektuesit e saj të kontraktuar ose indirekt nga komunat, pasi që nuk i kishte rishikuar mjaftueshëm. Ministria kishte identifikuar të metat e projekteve vetëm gjatë ekzekutimit të projekteve (zbatimit të kontratave), dhe kishte modifikuar ato për t’i përafruar me gjendjen në terren. Mirëpo korrigjimi i këtyre të metave kishte pasur efekt në kohëzgjatjen e zbatimit të kontratës sepse të metat që duhej korrigjuar i takonin fazave të hershme të zbatimit të kontratës (p.sh. zëvendësimi i lëshesave gypore me lëshesa pllakore). Pa miratimin e këtyre ndryshimeve në projekt, që kishin zgjatur në shumë raste me muaj, punimet nuk mund të vazhdonin.

Ministria nuk është siguruar se ka caktuar menaxherë të kontratave të përgjegjshëm dhe profesional në zbatimin e detyrave përkatëse të menaxherit. Kjo sepse në dy nga tri projektet rrugore që Ministria ka arritur t’i përfundojë dhe t’i vë në dispozicion për qytetarët, komisioni i pranimit, përkatësisht i përcjelljes së investimeve kapitale, ka gjetur të meta të konsiderueshme në projektin e realizuar. Për pasojë Ministria nuk i ka pranuar punët që OE-të i konsiderojnë si të kryera dhe tani duhet të ballafaqohet me zgjedhje mes opsioneve: të ndërpresë kontratën dhe të mbajë shumën e ndaluar prej 10% në secilën. situacion të kryer ose, të pranojë rrugën ashtu siç është me defekte.

– Nëse Ministria vazhdon me intensitetin e njëjtë të punimeve, kjo zgjatje e afatit të sigurisë së ekzekutimit të kontratave, që është më së shumti deri në muajin shkurt 2024 mund të jetë e pamjaftueshme dhe me gjasë do të duhet të vazhdohen përsëri pasi këto të kenë skaduar, gjithmonë nëse Ministria nuk e rrit intensitetin e punimeve në këto rrugë.

Rekomandimet

Për të siguruar se projektet që inicion Ministria janë në përputhje me kushtet në terren, zbatohen plotësisht dhe pa sfida gjatë zbatimit si dhe përfundohen me kohë dhe me cilësinë e kontraktuar, rekomandojmë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe

Infrastrukturës të sigurohet se:

– projektet që i pranon nga hartuesi t’i rishikojë e në veçanti t’i kushtojë vëmendje saktësisë së elaborateve gjeo-mekanike dhe gjeodezike;

– ka identifikuar të gjitha objektet që ndërlidhën me rrugën dhe t’i përfshijë ato në projekt në mënyrë që t’i shmanget nevojës për punë shtesë;

– ka përfshirë të gjitha elementet e rrugës në projekt dhe në kontratë, në mënyrë që të mos ketë nevojë për kontratë aneks eventualisht për aktivitet të ri të prokurimit;

– ka identifikuar si duhet nevojat për punë shtesë për secilin projekt. Nëse kostoja e punëve shtesë nuk është brenda limiteve të lejuara me LPP, atëherë Ministria të konsiderojë inicimin e një aktiviteti të ri të prokurimit në vend të një kontrate aneks që nuk i mbulon të gjitha punët shtesë;

– stafi i caktuar në komisione për punë shtesë të mos jetë nga DMRr-ja për shkak se mund të paraqesë konflikt interesi;

– të gjitha kontratat janë të afatizuara në ditë kalendarike, krahas ditëve efektive të punës duke përfshirë edhe një afat të fundit se kur duhet përmbushur kontrata;

– ka krijuar kushtet për zbatim pa ndërprerje të kontratave duke zgjidhur çështjen e shpronësimit, koordinim me kompanitë që ofrojnë shërbime publike (energji, ujësjellës, kanalizim, postë etj.);

– kontrata po zbatohen në pajtim me kushtet e kontratës, në aspektin sasior, kohor dhe cilësor. Të vazhdojë të kryej inspektime në terren gjatë dhe pas zbatimit të kontratave në mënyrë që të parandalojë/korrigjojë çfarëdo devijimesh nga kushtet e kontratës;

– menaxherët e kontratave raportojnë në baza të rregullta dhe sigurohen se punët e pranuara janë në përputhje me cilësinë e kontraktuar;

– emërimin e menaxherëve të kontratave ta bëjë në përputhje me kompleksitetin dhe kohë-zgjatjen e parashikuar të kontratës si dhe në rastet kur menaxherët ndërrohen, të sigurohet se pranim-dorëzimi formal mes menaxherëve ka ndodhur; dhe

– menaxherët e kontratave përdorin platformën e prokurimit elektronik për të raportuar lidhur me progresin e kontratave. /Periskopi/

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?