Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, trupi gjykues lëshon pesë urdhra me gojë

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, trupi gjykues lëshon pesë urdhra me gojë

Trupi gjykues në rastin e Pjetër Shalës, i udhëhequr nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia gjatë seancës së të enjtes, ka nxjerrë pesë urdhra me gojë dhe ka paraqitur kalendarin për këtë çështje deri në janar të vitit 2024. Urdhri i parë, kishte të bënte me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të 20 marsit 2023, […]

Urdhri i parë, kishte të bënte me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të 20 marsit 2023, që të pranohen deklaratat e mëhershme të dëshmitarit numër 1 dhe materialet shoqëruese

Sipas ZPS, pranimi i këtyre materialeve do të mundësonte një vlerësim të plotë të dëshmitarit, por që kjo është kundërshtuar nga mbrojtja e Shalës më 14 prill 2023.

Sipas mbrojtjes, duke pasur parasysh historikun e të kaluarës së dëshmitarit dhe kontradiktat eventuale, kanë kërkuar që si të tilla të mos besohen dhe të konstatohen si të papranuara.

Si opsion alternativ, mbrojtja ka kërkuar që nëse si të tilla trupi gjykues i pranon, atëherë të pranohen si prova edhe disa materiale që lidhen me karakterin dhe të shkuarën kriminale të dëshmitarit.

Gjykatësja ka bërë të ditur se ka pasur kundërpërgjigje nga ZPS më 24 prill 2023, duke thënë se mbrojtja mund të eksplorojë materialin gjatë kundër-pyetjeve dhe se kërkesa për pranim të materialeve sipas tyre nuk është e vlefshme.

Në këto rrethana, trupi gjykues ka vendosur që për shkak të natyrës së dëshmisë që ka ky dëshmitar, të rrëzohet kërkesa e ZPS-së.

“Forma më e përshtatshme për t’i paraqitur provat dëshmitari një është përmes dëshmisë Viva Voce, për këtë arsye trupi gjykues rrëzon kërkesën e ZPS-së dhe urdhëron ZPS-në të thërras dëshmitarin një që të japë dëshmi në mënyrë të drejtpërdrejt, tërësisht”, tha gjykatësja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, ka urdhëruar ZPS-në që deri më 12 maj të dorëzojë një llogaritje të përditësuar për kohën që do i marrë për pyetje ndaj dëshmitarit.

“Trupi gjykues do t’i paraqes ZPS-së, mbrojtjes dhe mbrojtësit të viktimave mundësinë për të eksploruar plotësisht aspektet e tjera përkatëse që i gjykojnë të rëndësishme dhe t’i paraqesin dëshmitarit çdo deklaratë të mëhershme dhe material që gjykojnë të rëndësishëm”, tha ajo.

Tutje, urdhri i dytë kishte të bënte me kërkesën e ZPS-së për të shtuar në listën e provave materiale një sërë dokumentesh zyrtare, fotografi dhe video të vendeve të pretenduara ku kanë ndodhur krimet, që janë mbledhur pas një vizite që është bërë në këtë vend nga ZPS-ja në fillim të këtij viti.

Për këtë, trupi gjykues tha se mbrojtja nuk ka paraqitur kundërshtim dhe se kërkesa është dorëzuar me kohë, duke shtuar se ky material mund ta ndihmojë trupin gjykues që të kuptojë vendin e mundshëm të pretenduar të krimit, andaj edhe kanë miratuar kërkesën.

Ndërkaq, urdhri i tretë kishte të bënte me përcaktimin e hapave procedural për paraqitje të provave nga mbrojtësi i viktimave.

Andaj, është vendosur që kjo mund të bëhet pasi të përfundojë Prokuroria me prova dhe para se të fillojë mbrojtja me paraqitje të provave.

Është vendosur të kryhet procesi penal dhe procesi i zhdëmtimit në të njëjtë kohë, andaj është udhëzuar mbrojtësi i viktimave që të paraqes provat si për gjetje të të vërtetës, ashtu edhe provat për zhdëmtim të viktimave.

Nga mbrojtësi i viktimave, është kërkuar që të dorëzohet deri më 30 qershor 2023 lista e dëshmitarëve që dëshirojnë t’i thërrasin, përfshirë edhe ekspertë.

Po ashtu, që të paraqesin akt-ekspertiza jo më vonë se 30 qershori 2023 lidhur me dëmin e viktimave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta dhe nëse jo atëherë të paraqesin mendim për përllogaritjen e dëmeve nga pikëpamja financiare.

Lidhur me raportet e ekspertëve, do iu jepet mundësia që në afat 7 ditor të paraqesin kundërshtimet e tyre mbrojtja dhe ZPS-ja.

Tutje, është kërkuar nga mbrojtësi i viktimave që deri më 17 korrik 2023 të dorëzojë çdo provë jo gojore që kërkojnë të paraqesin.

Si dhe nëse ndonjë prej viktimave dëshiron të paraqes pikëpamje dhe shqetësimet tyre, duhet të kërkojnë autorizim nga trupi gjykues deri më 30 qershor 2023.

Sipas gjykatëses Veldt-Foglia, provat e paraqitura nga mbrojtësi i viktimave duhet të paraqiten gjatë javës 21-25 gusht 2023 dhe më së voni deri më 18-23 shtator 2023.

Në vazhdim të seancës, urdhri i katërt ishte në lidhje me gamën dhe specificitetin e akuzave.

“Trupi gjykues kujton se çështjet e lidhura me gamën dhe specificitetin e akuzave dhe çdo defekt në formën e aktakuzës duhet të ngrihet në fazën paraprake të çështjes, sipas rregullës 97 të rregullores. Vëzhgimet e mbrojtjes janë pra rrjedhimisht të parakohshme për më tepër këto çështje janë diskutuar si nga gjykatësi i procedurës paraprake dhe nga paneli i Gjykatës së Apelit dhe për këto janë marrë masa, janë marrë vendime’’, tha gjykatësja Veldt-Foglia.

Sipas saj, mbrojtja duhet të vendos për çështje dhe aspekte për të cilat dëshiron të bëjë pyetje dhe për të marrë prova apo në një plan më të përgjithshëm për mënyrën se si do ta paraqes çështjen e saj, duke thënë se për shkak të ndjeshmërisë së parashtrimit nuk do të vazhdojë më tutje me këtë çështje.

Kurse, urdhri i pestë kishte të bënte me propozimin e mbrojtësit të viktimave në seancën e 3 majit, ashtu që u aprovua i njëjti propozim duke vendosur që pala do nxjerrë listën e dokumenteve vetëm me dokumentet që nuk janë të pranishme në listën e materialeve të listës thirrëse.

Lidhur me kalendarin e seancave, gjykatësja Veld-Foglia tha se duke qenë se deri më korrik 2023 kanë të caktuara seancat, do të komunikohet kalendari deri në janar 2024, e që përfshin edhe datat 21-25 gusht, 18-22 shtator, 2-4 tetor, 23-27 tetor, 20 nëntor deri më 1 dhjetor 2023 dhe 15-19 janar 2024.

Më 25 prill, Shala e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë dhe po vazhdon dëgjimi të gjashtit.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj.

Këta dëshmitarë ishin paraparë të dëgjoheshin për pesë seanca, por meqë të njëjtit kanë përfunduar dëshmitë për katër ditë, seanca e 31 marsit 2023 nuk është mbajtur.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të fundit
Të ngjashme